Poezi *TANKA nga Seti Pezaku Vladi
☆☆☆
Në duar më vijn’ pëllumbat,
guasin ato pa droj’.
Çudi!
Çdo vend ka pëllumba
pse s’vijn’ tek ne njëllojë!?
☆☆☆
Përplaset vala me furi
mbi anijen në kalat’ ,
ajo qesh e sytë lan’.
– Një të vetme si ti e kam
freskore vere, moj e ngrat’!
☆☆☆
Kur dimri me borë zbret
acari përjashta të zen’,
eja në vargjet poetike
shpirtin të ngrohësh,
çati e zjarr gjen!
☆☆☆
Erdhën pelikanët
në lagunë,
ëndrrat mjegull u bënë…,
të trishtë nisën kthimin
natyra kish vesh tjetër gun’.
☆☆☆
Si një trembje zogjsh
ikin vitet…
Në fytyrën tënde
shoh timen për çudi!
Mjegull dhe shi.
☆☆☆
Kudo me vete
marr pemën e mirësis’.
Farëzat rrugëve mbjell;
të bardhat lule çel,
të ëmblat fruta sjell.
☆☆☆
Shiu flokët t’i lagu,
trupi si valë ngritur,
e gjitha
shtatore prej qelqi
me kristale ndritur.
☆☆☆
Në portën tënde
çdo ditë
qukapiku troket,
derën ti s’e hap,
në ëndrra ke mbet.
☆☆☆
Xixëllonjat
netëve të verës
kandilët ndezin
fushave e pyjesh,
reminishencë yjesh.
☆☆☆
Lisin e vetmuar
era krahët i këput,
sopata e pret,
dimri me qerre e merr
në zjarr e fut.
@seti pezaku vladi