Poezi nga Evisa Hadëri Mele
***
Thashë të zhdukesha njëherë,
të ndërroja në polenin e luleve të paçelura,
Që presin të ndrijë dielli i marsit,
për t’ u mbarsur nur e hijeshi.
Të kthehesha frymëmarrje për veten astmatike?
Thashë të tretesha në udhëkryqe,
të humbesha me vetëdije të plotë,
të mbetesha degë e zhveshur kumbulle,
që pret të kalojnë erëra të ngrohta,
për t’i shpërthyer sythet e vetmuara.
Të bëhesha gjak për venat e mia?
Vetja paskish qenë në shurdhëri të plotë,
ndaj s’munda,
u ktheva sërish.
Ti nuk e di
Kur engjëjt të shohin në sy,
Ka gjasa të thyhesh,
E lë vetë të pushtohet kalanë e krenarisë ,
Dhe bëhet kështu dorëzimi më njerëzor i kohërave.
Edhe po qëndrove kokëfortë,
Edhe po deshe t’i rezistosh tundimit,
Do të hyjë vetë drita,
Bekim që vjen drejt bekimit.
A thua?!
Jastëku mbrëmë kish prishur formë,
me vriste qafën ,
supin ,
kokën .
Të qenë ankuar zogjtë që u kisha marrë puplat ,
në gjyqin e parajsës?!
***
E zorshme rruga jote, Odise i vogël,
Lidhi sytë sa të kalosh detrrethimin e gjysmëfemrave,
Të lëndojnë shtriganet e magjepsura…
Po ti,
ke forcë mjaftueshëm ,
sa të mos e falësh veten tek femra e parë mëkatare?!
Dyshoj,
je mashkull i dobët,njësoj si të parët e tu.
Do të thyejë krahët që me mund i rrite,
e ndoshta do thërrasë në kupë të qiellit:
“Edhe ti u bëre skllavi im!”
Ia del dot Odisea im
ta mbytësh dëshirën e mishit,
e bëhesh zot i mendjes sate?!