Poezi nga Xheni Shehaj
Dimri solli veç frymën tënde
Ftohtë.
Dimri solli veç
akull e borë.
Ti nuk erdhe.
Vetëm fryma jote
mbuloi qelqet
e dritareve.
Mes dhomës së ftohtë
fryma lëviz në ajër
dhe vizaton
figura të çuditshme.
Trajektoret e gjata
humbasin në dhomën
e ngrirë.
Pastaj, të ndjej tek frymon
pranë oxhakut
dhe humbet në
vezullimet e zjarrit.
Dimri solli akull,
borë,
dhe frymën tënde.
Dëborë
U zhduken hijet e mesnatës
dhe bardhësia triumfoi.
Një, dy, tre hapa në tokën dëborë mbuluar.
Kraap!
Një degë e tharë, kërcu, rënkoi nën shtresën e borës.
Një zog cicëroi plot trishtim.
Një, dy, tre. Bardhësi e frikshme.
Hapa të ngadaltë, frymëmarrje e rënduar.
Horizonti nuk shfaq kurrgjë,
dëbora e ka mbuluar.
Një, dy, tre. Kraap! Ciu – ciu, bardhësi.