“Romeo dhe Zhuljeta në fshat” (roman) – GOTFRID KELLER / Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani

“Romeo dhe Zhuljeta në fshat” (roman) – GOTFRID KELLER

Do të ishte një imitim i kotë të rrëfeja këtë histori po të mos mbështetej në një ngjarje të vërtetë dhe po të mos ndihmonte për të dëshmuar sa thellë është rrënjosur në jetën njerëzore secila prej atyre gojëdhënave që kanë shërbyer si bazë për veprat e mëdha antike. Këto gojëdhëna s’janë të shumta, por ndërkaq rishfaqen pareshtur me një veshje të re dhe na bien në dorë e pastaj s’na lënë t’i lëshojmë më kurrë.

Pranë lumit të bukur që rrjedh një gjysmë ore larg Seldvilës, lartësohet një sipërfaqe e gjerë valëzuese që shkon e humbet, ashtu e lëruar bukur edhe ajo, në rrafshirën pjellore. Atje tej, rrëzë saj, ndodhet një fshat me ca grupe të mëdha shtëpish, ndërsa mbi atë lartësirën e butë shtriheshin gjer larg para disa vjetësh tri ara të mrekullueshme gjatoshe, që ngjanin si tri kordele vigane pranë njëra-tjetrës.

Një mëngjes shtatori plot diell, dy fshatarë po lëronin në dy prej këtyre arave, dhe bash tek ato të dyja që ndodheshin anash, kurse ara e mesit dukej se kishte vite të tëra që ishte lënë djerre, ashtu e mbuluar me gurë e me barëra të këqija e të harlisura, dhe sipër saj gumëzhinin të qeta një mori kandrrash. Ndërkaq, dy fshatarët, që ecnin pas parmendës, secili në arën e vet, qenë burra rreth të dyzetave, eshtakë e shtatlartë, dhe qysh në vështrimin e pare të linin një përshtypje fshatarësh të sigurt në vetvete e në gjendje të mire. Si njëri ashtu dhe tjetri mbanin kilota të shkurtra prej pëlhure të linjtë e të fortë, ku çdo kind kishte vendin e vet të pandryshueshëm dhe kësisoj ngjante si i skalitur në gur. Kur hasnin në ndonjë pengesë dhe e rroknin më fort parmendën, mëngët e këmishëve të tyre të trasha fërgëllonin nga ajo tronditje e lehtë, ndërsa fytyrën e kishin të rruar mirë, të qetë e të vëmendshme, kurse sytë u kapsalliteshin paksa prej shkëlqimit të diellit kur ngriheshin e vështronin para tyre, duke matur brazdën, por nganjëherë edhe duke parë rreth e rrotull sapo ndonjë zhurmë e largët prishte qetësinë e atij mjedisi.

Ashtu ngadalë e me njëfarë elegance të natyrshme, hidhnin përpara njërën këmbë pas tjetrës, dhe asnjëri syresh nuk thoshte një fjalë, përveç rasteve kur i jepej ndonjë urdhër argatit që ngiste kuajt e mëdhenj e të fuqishëm të parmendës. Kur i shihje disi nga larg, ngjanin krejt me njëri-tjetrin, sepse që të dy mishëronin tipin e mirëfilltë të asaj treve, dhe në vështrimin e parë mund t’i dalloje prej shoqi-shoqit vetëm ngaqë njërit i varej mbi ballë xhufka e kapuçit të bardhë, kurse tjetrit i varej mbi zverk. Por edhe kjo këmbehej mes tyre nëse lëronin në drejtim të kundërt me njëri-tjetrin, sepse, kur ndesheshin atje lart dhe kalonin pranë shoqi-shoqit, secili në drejtimin e vet, njërit, që ecte në drejtim të kundërt me erën e freskët, i hidhej prapa xhufka e kapuçit, ndërsa tjetrit, që e kishte erën pas shpine, shkonte e i varej mbi ballë. Kishte çdoherë edhe një çast të ndërmjetëm kur xhufkat e kapuçave të tyre vezullues valëviteshin lart në ajër, duke gjarpëruar drejt qiellit si dy gjuhë flakësh të bardha.

Dhe kështu, që të dy vazhdonin të lëronin të patrazuar, dhe ishte gjë e bukur t’i shikoje në atë peizazh të artë e të qetë vjeshtor tek kryqëzoheshin mes tyre atje mbi kodër, ashtu të heshtur e me hap të ngadaltë, dhe pastaj largoheshin nga njëri-tjetri pa u ndier fare, duke e shtuar gjithnjë e më tepër distancën mes tyre, gjer në çastin kur, si dy yje në perëndim e sipër, zbrisnin e zhdukeshin prapa barkësimit të kodrës dhe shfaqeshin sërish pas një copë here të mirë. Kur hasnin ndonjë gur nëpër brazdë, e merrnin dhe, me një lëvizje energjike e shpërfillëse njëherazi, e hidhnin mu në arën e mesit të lënë djerre, por një gjë e tillë ndodhte vetëm më të rrallë, sepse ajo arë djerre qe mbushur tashmë me tërë ata gurë që kishte qenë e mundur të gjendeshin në dy arat fqinje.

(GOTTFRIED KELLER: “Romeo dhe Zhuljeta në fshat”,
titulli i origjinalit: “Romeo und Julia auf dem Dorfe”,
Roman, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2014, 140 faqe.)

Përktheu nga orgjinali Aristidh Ristani
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s