Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Ia dolëm, plak
(Shokut që më mungon)*

Ti ishe hija e dritës sime.
Unë hija e dritës tënde, vetë.
Tani me kë të ndërroj mendime,
Se s’di as se ku je, vërtet.

Si Atlantida, vallë, të jesh,
Që koha ëndërr ma kish lënë?…
Po n’ëndërr vetëm ëngjëj ndesh,
Se dashurinë si fe më kanë dhënë.

Ke qenë si heshtja e pafund.
E thitha unë me ajrin bashkë.
Ta kesh atë, asgjë s’të mund.
S’të djegin flakët si fije kashtë.

Ma dhe, tek ikje, dorën fort,
Se gjer në fund s’u bëre plak.
E di që s’do të t’zbehë një mort,
Se s’ka një kohë të t’zbehë, qoftë pak.

Kaluam bashkë të madh rrebesh,
Si hije-dritë nën diell përvëlak.
Po s’kishim monstra brenda nesh:
Ia dolëm plak dhe kjo s’qe pak.

 

Kabul

Nuk më del nga shpirti lufta, rrotullohet historia.
Shi prej rëre, tel me gjëmba, copëtuar dhe mirësia.
Në ekrane nxirë nga tymi, veç fytyra zhul mbi zhul.
Sa trishtim qenka të shohësh sy afganësh në Kabul!

Iku vera, erdhi dimri, me shi gjylesh ia ka shtruar.
Kuturu shtigjeve shkelur dhe sa herë, prapë janë gabuar.
E trishtimi kilometra, çmenduria plumba ngul.
Një vend tjetër sypatrembur, nuk kam parë si ky Kabul.

Gjithçka mbyllur, se fantazmat i ka kapur shtegtimi.
Vjen armiku në mes tyre dhe një çast ja beh shpërthimi.
Copa këmbësh, kokë pa trupa, s’kushton jeta asnjë nul.
Ndaj çdo qoshe e kësaj botë ka nevojë për pak Kabul.

Dhe s’e di a e thotë kush: është dikush që i qesh dielli?
Netët ishin kaq magjike, pse ia ka errësuar qielli?!…
Sypatrembur shkon në luftë, por vetveten ka armik.
Ndaj dhe lufta s’ka të sosur, kështu as Zoti s’të bën mik.

E me vargje e ngre zërin, porse veshët janë shurdhuar.
Nga fytyrat e fëmijëve dhe buzëqeshja është larguar.
Qenkan shpuar tërë balonat, s’ka balona ngri e ul.
Ndaj çdo qoshe e kësaj botë ka nevojë për pak Kabul.

 

Donte

Çdo mëngjes tek i zbres shkallës,
Fqinja e re më mund me ngutje.
Vrap oborrit dhe mëhallës,
Ca dyshime vijnë – shkojnë tutje.
Kyç fëmijët. Ç’t’i bëjë orarit!?
Pas i shkojnë përherë ca fjalë.
Pret një Benz buzë trotuarit.
Vallë kjo grua është “e përdalë”?…
Ndaj sa herë që zbret me ngutje,
Për të, Zotit i bëja lutje:
Të kish forcën dhe vullnetin:
Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte
Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të urrente.
Jetën kush të mos ia brente.

Atje lart qielli i mëngjesit,
Si qeleshe plot me ujë.
Ajo turrej mes rrebeshit,
Lart e poshtë e s’bënte bujë.
Donte shumë të kishte forcën,
Donte shumë të kish vullnetin:
Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte
Dhe të ndjente dhe të gjente, të pëlqente, të shpërthente.
Këtë gjendje ta urrente.

Edhe trupin do ta shiste.
Do të tretej me rrëmetin.
Që fëmijët e saj t’i rriste,
Gjer me këmbë do t’mirrte detin.
Donte shumë të kishte forcën,
Donte shumë të kish vullnetin:
Të shikonte, të kërkonte, të zbulonte, të kuptonte
Dhe të ndjente, të shpërthente, të pëlqente, të urrente.
Fëmijëve qeshjen t’ua gjente.

 

S’të le të ftohesh
(Motrës që mungon prej kohësh)

S’të le të ftohesh kurrë, shpirti im.
Do të mbuloj me ëndrra plot.
Të ngroh me frymë e përgjërim,
Se s’jemi ndarë kurrë në këtë botë.

Së bashku mbushëm mijëra vjet.
E rend kjo kohë si tren ekspres.
Bashkë përsëri në tjetrën jetë,
Si mike e parë jepmë qëndresë.

Orë të pafunda, dallgë dimërore,
Të pamëshirëshme si sy kujtese.
Në shpirt të ndjej erë pranverore,
Që m’davarit çdo smog harrese.

Se të kam shpirt të shpirtit tim.
Me ty vetmia s’ka për t’më vdekur.
Kurrë s’do më shohin në mallëngjim,
Dhe kurrë të nisem pa buzëqeshur.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s