Poezi nga Fatma Jasimi
MONOLOGU I NDJENJAVE🧚♀️
👌
✍️
🗯️
Flas unë, trishtimi,
Që i ngjaj një fëmije të papërtuar,
Shpirtrat i kap përdore,
I shkund, e pa mëshirë i tërheq.
Flas unë …TRISHTIMI!
Flas unë, lumturia,
Një ndjenjë në vdekje e sipër,
Humb beteja, por jo luftën,
Luftoj, gjë s’fitoj.
Flas unë, LUMTURIA.
Flas unë, guximi,
U linda në shpirtra ëndërrimtarësh,
Nënë pata fitoren,
E baba pata dhimbjen.
Flas unë…GUXIMI!
Flas edhe unë, urrejtja,
Që binjake kam xhelozinë,
U linda në shpirtra të vdekurish,
Që edhe vetë veten e tyre urrenin.
Flas unë…URREJTJA!
Flas unë…dashuria,
Pellgu ujëmbledhës i gjithë ndjenjave,
Unë jam loti, lumturia, dhimbja,
Jam unë jeta, jam unë vdekja.
Flas unë…DASHURIA!
KORDELJA PA NGJYRË…
Ëndrra të ëmbla vogëlushe!
Kur ti të zgjohesh,
Në gjysmën tjetër do të jem,
Në librin e fundit,
Të kam lënë një kordele,
Ngjyrën e shpirtit tënd do të ketë.
E u zgjua vogëlushja,
Kur akrepat e orës u bënë një,
Një libër hapet,
Brenda një kordele,
Por….pa ngjyrë!
U zemërua keq vogëlushja,
Se nuk ish pa ngjyrë shpirti i saj,
Dhe priti gjer sa doli dielli,
Çoja prapë atij,
Kur në gjysmën tjetër të shkosh, i tha me inat.
Por dielli ia ktheu mbrapsht.
Zbardhën mëngjese,
Perënduan shumë net,
E një kordele pa ngjyrë,
Në një libër fle.
Por erdhi një mëngjes,
Ish rritur vogëlushja,
E për dikë kish mall,
Dhe e vetmja gjë që kish nga ai,
Ish kordelja me ngjyrën e shpirtit të saj.
Flokët ishin shpleksur,
Por ajo e uli kordelen në to,
Dhe ajo, ajo u bë rozë!
Dhe tani blu…e pak më vonë lejla,
Pastaj e kuqe…dhe …
Ai dikushi kishte të drejtë,
Kordelja ngjyrën e shpirtit të saj kish.