Poezi nga Iliaz Bobaj
TI VJEN PËRHERË…
Ti vjen përherë më zgjon kujtesën,
ashtu siç më vjen vetëm ti,
tek unë qëndron sa duhet ndenjur
dhe shkon, që të vish përsëri.
Si roja në një vend të shenjtë,
unë derën hapur lë përherë,
se ti do vish siç vjen mëngjesi,
do hysh si flladi në pranverë.
E di që vjen nga rrugë e largët,
se malli zjarrin ta ka ndezur
dhe do të rrish pakëz tek pragu,
si besimtari në një tempull.
Ca fjalë të shenjta do më thuash,
pasi të jemi krejt të vetëm,
si cicërimë e dallëndyshes,
kur kthehet tek folezë e vjetër.
Kam dashur shpesh të ta mbyll derën,
betim kam bërë si murg i rreptë,
po prapë betimin e kam shkelur
dhe derën e kam hapur krejt.
Më kot me veten jam betuar,
se derën ty do të ta mbyll,
tek unë do jesh sa të jem zgjuar,
ndaj kur të duash, hyr e dil.