Kapiteni Y / Nga: Fatmir Minguli

Kapiteni Y

 

Nga: Fatmir Minguli   

Kishte mbushur mbi pesëdhjetë vjeç dhe në këtë gjysmë shekulli, jeta e tij kishte kaluar plot dallgë. Po i afrohej moshës së pensionit se si kapiten lundrimesh të largëta ishte i lodhur dhe energjia që e karakterizonte ishte fshehur diku në trupin e tij, gati e padukshme.

Lundrimet me flotën detare shqiptare kishin formuar te kapiteni Y një karakter të çuditshëm, një karakter herë të egër, gati brutal e herë të butë si një djalë qyteti që sapo i kishin mbirë mustaqet.     Kishte bredhur botën dhe i mbetej gjithmonë në mendje India dhe Australia, vetëm aty nuk kishte shkelur këmba e kapitenit. Se ç’e lidhte me këto dy vende  sidomos Indinë dhe përse përsëriste vazhdimisht Indinë, asnjë nuk e dinte por dhe ai nuk e zgjaste por vetëm psherërtinte.

Brenda tij sikur fshihej një mistikë, shkak ndoshta për t’i  tulatur  atë energji të kohëve të kaluara.

Shokët e tij thonin se ka qenë një nga kapitenët më të zot, ato kohë kur flota shqiptare çante dete dhe oqeane. Kapiteni ishte njeri i shkathët, hokatar, psikolog me  marinarët, shkurt dallonte ndër shumë oficerë.

Të gjithë e thërrisnin “Kapiteni Y”, mbase dhe “Kapiteni Ypsilon”, duke e menduar si  një shkurtim  të një emri simbol. Asnjë nuk e dinte kuptimin e kësaj shkronje dhe për çudi asnjërin  nuk e hante meraku për ta pyetur.    Dikush nga shokët e afërt mendonte, vetëm ai mendonte, se ai kishte disa dhunti të pa shprehura, të pashfaqura deri në atë kohë kur…

Ajo kohë erdhi krejt papritmas dhe kapitenit as që i kishte shkuar në mend se do t’i ndodhte një gjë e tillë. Ndoshta edhe në ëndërr nuk do t’i ketë parë ato që i ndodhën pas atij udhëtimi në Tailandë.

Ishin fillimet e viteve ’90 kur flota detare në Shqipëri filloi të dekompozohej në format më të ndryshme, e të pabesueshme. Gjithsesi disa anije mbaheshin gjallë dhe lundronin  gjysmë privatisht duke bërë transporte mallrash për firma të huaja. Anija e kapitenit Y quhej ” Lanterna -1″ emër po aq enigmatik sa dhe ai i  kapitenit të saj.

Ditën që u nisën nga porti i Durrësit, ishte kohë shumë e keqe, dhe nisja u bë me mëdyshje. Mbas ngarkimit në Bari ata do niseshin për në Tailandë. Një zot, vetëm ai, mund t’i ndihmonte e t’i bënin ballë dallgëve të detit.

Por çasti më ogurzi nuk ishte në kapërcimin e dallgëve, por aty afër brigjeve të Tailandës, kur të gjithë motorët e anijes u prishën krejt, pa shpresë rregullimi të përkohshëm.

Specialistët e portit tailandez mundën ta tërhiqnin deri në kalatat e tyre dhe gjithçka u bë një pikëpyetje e madhe.

Sipas çdo perceptimi që mund t’i jepnin këtij fati, e vetmja gjë konkrete që ndodhi ishte se mbasi u shkarkua malli, firma tailandeze u preu bileta avioni të gjithë marinarëve të “Lanterna-1″ përveç kapitenit Y. Të gjithë mbritën në Shqipëri.

Ai ndejti për të riparuar anijen në një nga  mënyrat e mundshme.     Kapiteni Y, kështu  u ndodh i vetmuar në një qytet të panjohur, Bangkok. Ishte një qytet jo vetëm  i panjohur, por plot çudira, plot zakone e mënyra jetese ndryshe. Kapiteni ishte i siguruar për fjetje e për ushqim, por dhe për nevoja të tjera. Por pjesa më e vështirë ishte kalimi i kohës. Do kalonte ditë e netë në atë skaj tjetër të botës dhe nuk dihej se sa do ishte kjo kohë.

Mbasi i pa dhe provoi të gjitha qoshet  me restorante e me tregje të rrugës, në atë qytet,  kapiteni vendosi të dilte jashtë qytetit jo vetëm të shuante kuriozitetin, por edhe për të kaluar kohën. Edhe për t’u larguar nga zhurma marramendëse e rrugëve të Bankokut.

Në një nga ato ditë që ai i quante ” ditë eksplorimi ” arriti në një lloj fshati me shtëpi përdhese, që pothuaj ngjanin si kasolle më tepër nga muret me kallama e çatitë me kashtë dhe ku ai dalloi një portë të madhe dhe murin e lartë që rrethonte një faltore budiste. Tek i afrohej portës papritmas i ra në sy një tabelë që shkruante ” Lanterna-2″. Tabela ishte e futur në mur dhe ishte ngjitur me portën e madhe prej druri të gdhendur.

Jo pak i tronditur, kapiteni trokiti me dorezën e bronxtë me kokë luani. Ishte i tronditur nga tabela, e ç’kuptim kishte ky emër i njejtë me emrin e anijes së tij!? Madje dhe me numurin 2!?

Ashtu tek priste i zverdhur pak në fytyrë, porta u hap me një tingull të zvarrë dhe para tij doli një murg i faltores.

-Mirdita- përshëndeti kapiteni me gjysmë zëri, natyrisht në anglisht.

Murgu e përshëndeti me kokë dhe e ftoi të hynte brenda. Midis një gjelbërimi të harlisur, ai i shoqëruar nga murgu shikoi një zog me pendë plot ngjyra që duke cicëritur kalonte nga një pemë te tjetra.

Murgu qeshi dhe për herë të parë foli duke i thënë kapitenit se ai zogu e njihte atë. Për një çast, kapitenit i shkoi në mendje që të kthehej sepse po i dukej vetja si në një irealitet. Tabela me emrin e anijes, zogu që e njihte…

-Sër- i tha murgu,- këtej, Sër – do të takosh kryemurgun- dhe e drejtoi për nga një ndërtesë e bukur ku në hyrje ishte statuja e artë e Budës së madh.

Brenda ishte kryemurgu i cili u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me kapitenin. Duke e ftuar të ulej në një nga fronet ai e pyeti për shëndetin por edhe për gjëra të tjera, shkurt të dinte diçka për të.

Kapiteni, mbas një qetësimi të domosdoshëm, e mori veten dhe i shpjegoi gjithçka për vete, për anijen dhe për atë që i kishte ndodhur.

Kryemurgu, në fytyrën e të cilin nuk shihej asnjë lloj lëvizje muskuli, e dëgjonte me vëmendje dhe nuk e ndërpriste. Kapiteni i mbaroi atë që kishte ndërmend të thonte dhe sjellja e një tasi të madh me çaj nga murgu që e shoqëroi, sikur e ndihmoi e të mos fliste më.

-Ç’ fare lexon zakonisht?- e pyeti befas krymurgu.

Kapiteni i hutuar nga kjo pyetje i tha se kryesisht ai lexonte literaturë të lundrimit dhe gjëra të tjera të ngjashme me to.

-Po letërsi? – ngulmoi kryemurgu.

-Eeee, një libër vetëm, në gjithë jetën time, Kiplingun dhe vetëm atë që titullohet ‘’Libri i xhunglës’’- tha shpejt e shpejt kapiteni.

Befas në fytyrën e tjetrit u duk një buzëqeshje e hollë dhe kapiteni shtangu, më tepër i impresionuar nga qetësia misterioze e sallës se sa nga buzëqeshja e papritur.

-Kiplingu është ai që duhet- tha kryemurgu.

Mbas një heshtje relativisht të gjatë të shoqëruar me tasin e çajit, kapiteni i tregoi se këtë libër e kishte lexuar në kohën kur në Shqipëri ishte sistemi komunist dhe për çudinë e të gjithve, ky libër u ndalua nga partia e atëhershme.

-S’ kishte se si të ndodhte ndryshe- foli kryemurgu- dhe vazhdoi- a e di ti se ku ka lindur Kiplingu?

-Jo- tha kapiteni Y.

-Në Bombai- tha krymurgu dhe u ngrit e shkoi në një kthinë tjetër nga ku u kthye me një libër në dorë. Ishte pikërisht ‘’Libri i xhunglës’’ në anglisht.

I’a zgjati kapiteni dhe i tha:

-Merre e ke kujtim nga unë, veçse me një kusht, që të vish shpesh e të pimë çaj së bashku, e ndoshta do jesh më mirë deri sa të mbarosh hallet me anijen.

Kalonin ditët. Librin e Kiplingut, kapiteni e mbante si të shenjtë, po i riktheheshin refleksionet e hershme kur e lexonte në shqip, atë libër që u ndalua dhe u zhduk.

Por nuk i hiqej nga mendja puna e tabelës në portën e faltores si dhe ajo e përshëndetjes së zogut…por nuk guxonte ta hapte këtë temë me kryemurgun. Ishte kryemurgu që e ceku si shkarazi këtë rastësi. Ai i tha se ajo nuk ishte rastësi, por një përcaktim i fatit, dhe ciërima e zogut ishte  një aprovim i këtij fati.

Kapiteni ishte si në delir, dhe shpëtimi i tij ishte çaji që servirej me ceremoni sa herë shkonte në faltore. Kur pinte çajin, ndjente një drithërimë në trup dhe në kokë. Nuk guxonte të pyeste për llojin e çajit por…

-Eshtë dikush tjetër që të solli te ne, është një fat i joti që ti të vish te ‘’Lanterna-2’’, që nuk është gjë tjetër zgjatimi i ‘’Lanternës- 1’’, anijes tënde, por me tjetër qëllim. Laternat janë për të ndriçuar edhe për ata që kanë humbur diçka që e kanë por nuk e dinë që e kanë.

Kapiteni Y e vriste mendjen tek dëgjonte këto fjalë dhe besonte se diçka nga budizmi kishte mes atyre fjalëve.

Një ditë, krymurgu i e pyeti se a i pëlqente çaji.

-Po- i tha kapiteni- po se si më duket- nuk e kam provuar në asnjë vend të botës aty ku kam shkuar.

-Eshtë më se e vërtetë kapiten, ti po pi një çaj që e kemi përgatitur me disa bimë dhe kjo përzjereje është mistike, e caktuar vetëm për ty. E rëndësishme është që ti e pëlqen dhe ne jemi të lumtur që e kemi bërë këtë, posaçërisht për ty.

Ndër kohë që po bëheshin negociatat për riparimin e motorëve, kapitenit po i vinin lloj lloj mendimesh në kokë, herë i dukej sikur ishte bërë murg budist me kokë të rruar dhe me mantelin e portokallinjtë deri në fund të këmbëve e herë herë i dukej vetja si Kiplingu, foton e të cilit e kishte libri që i dhuroi kryemurgu.

Pikërisht këto haluçinacione ai i’a tregoi kryemurgut. Ai qeshi dhe tha se çaji e kishte bërë efektin, por i duhej të vinte më shpesh.

Mbas disa ditëve, haluçinacionet e çonin jo më te figura e murgut por e Kiplingut, vetëm se pa mustaqe. Kur i’a tregoi këtë ndryshim krymurgut, e ai përsëri qeshi dhe i tha se duhej të vinte edhe disa herë të tjera, ndoshta deri sa të mbaronin punë riparimet e anijes.

Një ditë prej ditësh, kur u çua në mëngjes, në tavolinë e kabinës së tij në anije ai pa disa letra të shkruara me shkrimin e tij. I mori si i çmendur dhe filloi t’i lexojë. Ishte një tregim me një subjekt nga një ngjarje që i kishte ndodhur në kohën e gjimnazit në Durrës. U trondit aq shumë sa që me një taksi shkoi drejt e në faltoren budiste. Kush e kishte shkruar atë tregim?

Kur takoi kryemurgun dhe i tregoi gjithçka, ky qeshi me të madhe, por papritmas u bë serioz dhe tha:

-‘’Ajo që ishte për t’u bërë, u bë.’’

Kapiteni Y s’po merrte vesh asgjë. Por vështrimi i tij ishte i çuditshëm, e çuditshme ishte dhe shprehja e fytyrës së tij. Kryemurgu i tregoi se çaji që pinte te ata, kishte bërë efektin e vet. Atë që ishte brenda tij e nxorri në pah.

-Kapiten- i tha kryemurgu- ti ke patur dhuntinë e të shkruarit por nuk dilte dot nga trupi dhe mendja jote. Por fati yt ishte i përcaktuar nga emri i anijes tënde ‘’Lanterna’’ emër që të solli te ‘’Lanterna ‘’ jonë, por dhe Kiplingu të ndihmoi ta nxjerrësh të fshehtën tënde sepse ai ishte i lindur në Indi, pranë fesë budiste dhe që në fakt është shquar në shkrimin e tregimeve të shkurtra. Që nga ky moment ti ke filluar të shkruash, apo jo? –qeshi si anjëherë tjetër në jetën e tij.

-Po, po të kishe lexuar ndonjë libër tjetër çaji ynë nuk do ta bënte efektin e tij, mos harro çajin mistik, ai të solli të kaluarën tënde dhe ti e bëre tregimin e parë pa vetdije. Që sot e tutje ti do të shkruash pa pushim. Urime zoti kapiten dhe shkrimtar!

Sot kapiten Y ka shkruar më shumë se dhjetë libra me tregime të shkurtra.

Durrës 7 shkurt 2018

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s