Abu’l Qasim al-SHABBI
Kalendari poetik: Abu ‘l-Qasim al-Shabbi (1909-1934)
Kalendari poetik shënon sot, më 24 shkurt, datën e lindjes së Abu ‘l-Qasim al-Shabbi-t, poet dhe eseist i njohur jo vetëm në vendlindjen e tij në Tunizi(deri në vitin 1956 koloni franceze, sot më keq), por në të gjithë popujt arabë. Në poezitë e tij, shpesh i bënte thirrje popullit të tij të përgjumur e të matufosur të ngrihej kundër tiranisë, madje dhe duke e fyer, prandaj sa qe gjallë, njerëzit e shihnin armiqësisht. Për ironi të fatit . . .vargjet e tij u përdorën gjatë së ashtuquajturës ‘Pranvera Arabe’ e viteve 2011-2012, një ‘pranverë’, frutet e së cilës vetëm arabët nuk i shijuan.
PËR TIRANIN
O tiran mizor,
i territ je dashnor dhe i jetës armik,
zgërdhihesh me rënkimet e popullit të mjerë
dhe duart me gjakun e tij i ke ngjyer.
Me këmbë magjinë e jetës ti shkel,
në fushat e saj vetëm gjëmba ke mbjellë.
Por merre më shtruar! Mos u mashtro nga kjo pranverë,
nga dritë e mëngjezit dhe ky qiell i kthjellët;
tej në horizont tmerri i territ dhe për ty po vjen,
oshëtimë bubullimash dëgjohet dhe furi e erës.
Kujdes! Hiri i nxehtë, brenda zjarrin mban fshehur
dhe kush gjembat mbjell, plagë ka për të mbledhur.
Vështro atje…sa koka ke prerë
sa lule shprese ke shkelur.
Me gjak e nginje zemrën e dheut,
lotë i ke dhënë të pijë e me ta është dehur.
Një përrua gjaku do të të përfshijë,
lum i kryengritjes do të të përpijë.
© shqipëroi Maksim Rakipaj