Poezi nga Evisa Hadëri Mele
Përqafime hëne
Lermëni ta zbraz unë torbën e rëndë,
Në krahë e mbajta deri në mbërritje
u ula të çlodhem në gurin e pritjes ,
pa kuptuar gjësend nisa pëshpëritjen.
Mos prisni të nxjerr përqafime hëne,
mbase në gjumë ka rënë qyshkur,
As gjurmë të rendjes përditë prej nëne,
As yje që zverdhen në netët si zhur.
Mund të mbaj kothere të bukës së vjetër,
a grushtet me ujë t’ i ruaj me merak,
ca kokrra ulliri që piqen në dimër,
Do mbeten relike që kurrë nuk i flak.
Idil pranveror
I dua të bardha dallëndyshet,
Që vijnë plot shend nga viset e largëta,
Qiellin – pëlhurë blu
që sqepohet nga fluturimi i tyre,
Aromën e mallit ua jap borxh mimozave,
Sa të nisin përkundjen fijet e barit.
Shije të ndryshkura
Adhurimi i vjetërsirës është seç është,
“E krisur , – më thonë,
të duash atë që zbardhi kohë e shkuar”
syri tërhiqet drejt diçkaje të mykur,
aludim për ndriçime të perënduara,
kërkoj të kap një tingull ,
me gjuhë e lëpij
dhe shija e ndryshkur zbret drejt e në stomak,
nga e sotmja vjell gjak.
Tërësisht e tejngopur prej modernitetit,
dhe çantën e dua me beze të vjetër,
më shurdhoi veshët muri i rënë,
çatia pa tjegull,
kjo shpellë po shkrin…
( shkëputur nga vëllimi ” Shije të ndryshkura”)
Efekti uniformë
Hedh në krahë siluetën e nënës,
këshilla,këshilla,këshilla.
Shkund supet e bëhem gruaja,
detyra,detyra,detyra.
Mbyll sytë e kthehem vajza e vogël e shtëpisë,
ëndërro,ëndërro,ëndërro…
Zgjohem e mbetem njeri,
durim,durim,durim.
Të paktën e kam rastin të ndërroj kostumet,
….kur bie furishëm shi…