Poezi nga Wisława SZYMBORSKA (1923-2012) – *Nobel 1996
ZEMRAT NDRIÇOJNË NË ERRËSIRË
Lakuriq, si na pëlqen të dyve,
për bukuri mbi shtrat, si çdo herë,
mbulesë veç qepallat e syve,
thellë zhytur në natën e thellë.
E dinë tashmë për ne, e dinë
muret e xhveshur dhe këto perde,
hijet që mbi karrige po rrinë,
s’ndihet tryeza, por flet me vete.
E dinë gotat, atje tek muri,
se çaji ka mbetur dhe po ftohet
dhe Swiftit s’ka si t’ja presë truri,
sonte ëhë, nuk do të lexohet.
Po zogjtë? Fare mos t’u kesh besim:
i pashë vetë dje, si rrugaçë
tek shkruanin në qiell, fluturim
emrin që në ato çaste të flas.
Po pemët? Për pemët, a s’më thua,
ç’e kanë atë të pëshpëritur?
Them nga era ta kenë dëgjuar?
Edhe ajo e paskërka ditur?
Një flutur nate, prej dritares hyn,
me flatrat e saj me push mbuluar,
gjithë vrull ulet, ngrihet, me një frymë
veç mbi ne fluturon, papushuar.
Ky insekt, të jetë i pajisur
me shikim të mpreht’e sheh më mirë?
Unë dhe ti s’e paskemi ditur
se zemrat ndriçojnë n’errësirë?
© shqipëroi Maksim Rakipaj