Të përulesh para vlerave njerëzore *RUSHEN GOLEMI / Nga: Lela Kokona Dardha

Të përulesh para vlerave njerëzore

Pak ditë më parë, mësova ndarjen e saj nga kjo botë. Atë ditë, Rushen Golemi nuk vdiq, thjeshtë ndërroi jetë, jetën tokësore për atë të përtejmen, të vërtetën e të përjetshmen.Them kështu, sepse njerëz të tillë nuk vdesin,nuk mund të vdesin.Ata ndodhen diku tjetër, diku ku vdekja s’ është,diku ku ajo nuk futet, sado fort t’ i biesh derës me grushte e tersëllimë.Ajo grua jeton në dimensionin e jetës.Ai ëngjëll,ëngjëlli im, me flokë e zemër të bardhë, por me duar e mendje të artë, ka shpëtuar shumë jetë.Se jeta ishte zanati i saj,pse jo, natyra e saj e dytë.Natyrshëm, ndoshta ajo s’më mban mend,se unë jam një nga ato qindra, ose mijëra që, jetën ia detyrojnë Rushen Golemit.Por, unë jo!Unë do ta kujtoj jetë e mot, sa të kem frymë, atë që ajo më riktheu me frymën e saj dhe me ato duar të buta e të ngrohta, me të cilat Zoti ka blatuar vetëm nënat. Në fakt, ajo grua është nëna ime e dytë.Nëna ime e mirë më fali jetën kur më lindi, kjo tjetra, ma riktheu kur e humba.Më mban mend zonja Rushen? Jam një nga dy vajzat e reja, një nga dy motërzat, që në një ditë të mbrapshtë vere të 1969- ës,ti i shpëtove nga mbytja, në detin e trazuar plotë shkumë të Durrësit.Trupat tanë , vërtiteshin si lodra prej tapet nën dallgët që shfrynin zemërimin e tyre, nuk e kuptoja pse, mbi kurmin tim dhe atij të motrës sime.Humba ndjenjat, e bashkë me to, lidhjen me këtë botë.Tashmë, shihja dhe ndjeja ndryshe.Pas vuajtjesh e mundimesh të sikletshme,përjetoja çuditshëm një ndjesi të pakapshme paqeje,shihja një dritë që prej së përtejmes.E vetmja lidhje që më mbante me botën tokësore, ishin afishet e vdekjes sonë nëpër shtyllat e rrugëve, që shumëfishoheshin e regëtinin në një dritëzim të ftohtë që llamburiste qetësueshëm .Imagjinoja njerëzit që i shihnin dhe shprehnin keqardhje për moshën tonë të re.Unë e doja jetën dhe luftova sa munda për të.Por,kthetrat e vdekjes më kishin mbërthyer keq për fyti dhe më morën edhe fillim e fundit të frymës.Kur ndodhesha në fundin e udhëtimit transhendental, kur mbërrita në zgrip me të përtejmen dhe dyert e zeza po hapeshin, pash një dritë dhe një ëngjëll,të dy njësh e të trupëzuar.Ishe ti, gruaja e mirë, nëna, mikja, njeriu.Ishe ti, humanizmi! Ti u shfaqe aty si engjëll, ose engjëlli ish futur në ty,o engjëlli im shpëtimtar! Më treguan më pas se pasi më nxorën nga uji,njerëzia u grumbullan rreth meje, tërë pezm e meit në fytyrë nga pamja makabre e vdekjes dhe askush nuk guxonte të afrohej, thua se kishin frikë nga molepsja e ftohtë e mortit.Befas, ishte dëgjuar një zë, si zëri që thërriste në shkretëtirë. Hapuni! Hapuni! Jam mjeke! Jam mjeke! Dëgjoni njerëz ? Jam engjëll…po sjell frymën…
_ Është e kotë.Ka mbaruar.Të dyja kanë mbaruar.Mos i prek! Nuk e shikon se kanë vajtur? Dhe kishin të drejtë, unë kisha mbaruar.Edhe ti e dije , apo jo, Znj.Rushen ? Por ti vije nga , dhe shkoje aty, ku vdekja s’ mund të jetë.Pasi na shpëtove, mua dhe motrën time të vogël,u largove në punën tënde.Kurrë nuk të takova dot më.As të pash më nga afër.Të nesërmen, gazeta ” Drita” dhe” Bashkimi” shkruan për ngjarjen dhe humanizmin tënd,si grua dhe mjeke e shkëlqyer.Por, në atë kohë,nuk mund të shkruhej për engjëj e mrekulli, sado që unë isha e bindur për këtë.Gjithë jetën kam ruajtur në zemër një strehë mirënjohjeje për ty. Gjithmonë, nga larg, të kam dhënë në heshtje bekimet e mia ty dhe familjes tënde.Dhe familja jote ishte shumë e madhe. Ajo përbëhej nga mijëra njerëz, të ndihmuar e shpëtuar nga duart e tua të arta, nga humanizmi yt prej gruaje shqiptare, nga mirësia jote prej nëne.Ne jemi shumë, mirëbërsja jonë e dashur. Ti ndoshta, nuk i kujton dot të gjithë, se do ishte e pamundur që kujtesën t’a kishe po aq të madhe sa zemrën.Secili ka historinë dhe përvojën e tij të mirënjohjes ndaj teje.Të gjithë i falen e i përulen duarve tua.Por unë kam diçka më shumë.Unë u shpëtova jo vetëm nga duart e tua virtuoze, por edhe nga fryma jote.Dhe me frymë shërojnë vetëm engjëjt dhe shenjtorët. Sa të jemi ne, do rrosh edhe ti, engjëlli ynë i përbashkët!

Faleminderit për jetë!

U prehsh në paqe zonja e nderuar RUSHEN GOLEMI !

 

Nga : Lela Kokona Dardha

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s