Një libër me poezi që të prek me frymë dhe dritëzon me mendimin e tij filozofik. (Rreth librit me poezi “Kthim me diellin” të poetes Sonja Haxhia) / Nga: Kujtim Agalliu

Një libër me poezi që të prek me frymë dhe dritëzon me mendimin e tij filozofik.
(Rreth librit me poezi “Kthim me diellin” të poetes Sonja Haxhia)

 

Nga: Kujtim Agalliu

Poezinë e poetes Sonja Haxhia dhe stilin e saj të veçantë e njoha qysh në librin e saj të parë “Ujëvara e shpirtit”. Ajo i mbetet besnike mënyrës së saj të të shprehurit, vetëm se tani, me kalimin e kohës, poezia e saj ka evoluar, është bërë, si me thënë, më e pjekur dhe më përcaktuese. Figuracioni i saj artistik e poetik ka fituar nga përvoja e shumë viteve të poetes në fushën e krijimtarisë së saj poetike.
Pa ngurrim mund të them se poezia ka fytyrën e poetes dhe të individualitet të saj. Loja me figuracionin saj të ngjeshur dhe shpërthimi i botës së saj nëpërmjet tij, e bëjnë lexuesin të mos largohet lehtë, të paktën pa i hedhur një vështrim tjetër, këtë herë më i përqendruar, për të hyrë në botën e poetes, në shpirtin e saj të trazuar, apo edhe në ndjenjat më intime, për t’i kuptuar ato më mirë, për t’i ndjerë e shijuar ato. Këtë e vërteton edhe libri i saj i tretë me poezi “Kthim me diellin”, i cili shënon edhe pikën më kulmore të krijimtarisë së saj.
Në vështrim të parë poezia e autores Sonja Haxhia duket si e copëzuar, me figura artistike të palidhura, të paperceptueshme për cilindo, por nuk është ashtu. Është pikërisht kjo mënyrë të konceptuari dhe të shprehuri që e vendos poezinë saj në një pozicion sa të veçantë aq dhe modern. Ajo nuk preokupohet aq shumë për rregullat metrike, apo rimën e vargut, sesa për dëshirën për të shprehur atë që ndjen, atë që ia trazon shpirtin, që e gëzon apo trishton në të njëjtën kohë.

Kthim me diellin

Le të marrim për shembull poezinë e parë, “Kali i bardhë” me të cilën nis libri i tretë “Kthim me diellin” i autores.
Në secilin varg gjejmë fjalët, “thundra të hekurta”, “dallgë shkëmbore”, “lëkur e brishtë”, “drita e yjeve”, e të tjera që, të futura në secilin varg të poezisë kanë një ngarkesë emocionale, kanë një kuptim filozofik dhe duket silur që gjithë vargjet i lidh një fije e padukshme për të shprehur gjithë pezmin shpirtëror të poetes, e cila me figurën kësaj kafshe fisnike e paqësore, lë të kuptohet për një paqe të brishtë, për një botë të trazuar që, në vend të hedh sytë përpara dhe të luftojë për një jetë të qetë e të paqtë, e kthen këtë kafshë besnike në një skllave.
Ashtu siç e konceptoj unë poezinë e poetes Sonja Haxhia, kam përshtypjen se ajo, mjafton të gjejë detajin poetik të poezisë, por se si do të ecë, se si do të vazhdojë ajo më tej, nuk e ha meraku shumë, është robinjë e përjetimeve spontane. E lëshon frerin e fantazisë së saj aq sa të duket sikur figurat e saj letrare, deri në abstraksion, nuk ia prishin lezetin poezisë, përkundrazi e kthejnë atë në një poezi moderne, sa hermetike, po aq kuptimplote. Siç u shpreha më sipër, kjo lloj poezie, kjo mënyrë të shkruari, duhet të lexohet me kujdes e vëmendje për ta përthithur dhe arritur në përfundimet e ideve dhe problemeve që parashtron autorja.
Problemet që parashtrohen në krijimtarinë e autores janë të shumëllojshme. Ato prekin çdo qelizë të shoqërisë njerëzore, gjë që i lidhe me vetë shpirtin e ndjeshëm të saj, me kontaktet direkt me varfërinë, me vuajtjet e njeriut të thjeshtë, me shpirtin e thatë e të zhveshur nga humanizmi të pushtetarëve, me dramat intime të individëve, me rrokopujën që po ndodh sot kudo në shoqërinë njerëzore.

Sonja Haxhia

Këtë shpirt të butë, të dhimbshëm, aq të ndjeshëm, autorja e shpreh thjeshtë, pa droje kur thotë:
”Sa herë kam qarë për to, (çfarëdo të ketë përjetuar)
në heshtje ndjeja akullsinë e tyre ose…
… më duhej të ngrihesha
dhe të flakja tutje përkëdhelinë e shtirë,” etj.
Natyrisht këto vargje janë të pamjaftueshëm për të përkufizuar poezinë e Sonja Haxhisë. Unë vetëm sa desha të theksoja se të gjitha vargjet e këtij libri janë shkruar mbi këtë dhimbje e çiltërsi, ashtu siç është në të vërtetë shpirti i një poeti, sidomos i një poeteje femër.
Tani që poetja ka filluar të ecë e sigurt në këtë rrugë të vështirë dhe të bukur njëkohësisht, shpresoj se në të ardhmen do të na jap vargje edhe më të bukur.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s