Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Një frymëmarrje e thellë

Kemi shkuar me ngulm te mendimi,
Se asgjë dhe askush s’do mund të na e mirrte
Të vetmen fije shprese,
Dashurinë që përshëndet net dhe pret mëngjese.

I yni qe një takim vështrimesh,
Një frymëmarrje e thellë që s’të ngop kurrë.
E lash veten të më rrëmbete era,
Pa frikë se do mund të më zhbënte një diktaturë.

Jeta jote me energjinë pozitive larg e lart më çoi.
Qe një poezi që mbështolli jetën time
Dhe vetëm me virtyt më mëkoi.
Po jeta jote qe dhe si një rrjedhë e zakonshme,
Që e bën të përsosur edhe një ditë të çfardoshme..

Udhëtoj nëpër idenë, se s’ishte vetëm fati,
Që dy ecje të ndryshme gjetën të njejtën rrugë:
Një takim vështrimesh, një frymëmarrje e thellë,
Për t’u kthyer përsëri në botë
Dhe aty vetëm dashuri për të mbjellë.

Pas syve të tu ndodhet një shpirt i madh,
Që vibron nga një vrundull i çuditshëm urtësie.
E lë brenda meje, si askund
Të butën, tënden shije,

Ke një mendim të përveçëm.
Emocion përherë më ka prurë.
Një copë tokë në det të gjërë,
Mes dallgësh që s’u sosën kurrë.

E kam pjekur tashmë mendimin,
Se asgjë dhe askush nuk do të na e marrë,
Atë që zbriti, s’di se nga ku,… vite më parë.

 

Pas njëzet vjetësh

Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,
Do dua prapë të të takoj
E në kuzhinë, (zakon poetësh),
Në sytë e tu thellë të ngulmoj.
S’ka gjë për rrudha, për flokë të thinjur,
Buzëqeshja jote do t’i shkëlqejë
Dhe flladi i agut do t’na ketë nginjur,
Ashtu së bashku kur të na gjejë.

Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,
Do t’dua prapë, si zjarr që mbron,
Të vij në dhomë, si ëngjëll shtretësh,
Të shoh jastekun si ma qafon.
E nëse gjumi të ka zbuluar,
Me frymë të lehtë të të mbulojë.
Gjersa me diell të jesh praruar,
Atëherë me heshtje le t’më largojë.

Dhe po s’qesh më, pas njëzet vjetësh,
Do vij të t’gjej si zonjë mbi zonjë,
Me mbesa e nipër, mes ditësh, netësh,
Të shfletosh vargje shkronjë për shkronjë.
E ndonëse botës dhe pas kaq vjetësh,
Më e madhja vlerë prapë i mungon,
Aty në librat e mi, mes fletësh,
Fle dashuria, që e shpëton.

 

Biri i Harresës
(Marshi i të përndjekurve)

Thonë s‘kam emër, as mbiemër
Biri i harresës jam,
Po m’ka mbetur thellë një zemër
Dhe të heshtjes bijë s’e kam.

Ndaj një ditë heshtjen e shemba,
Se vazhdon zemra të rrahë,
Manushaqe dhe ndër gjemba,
Me pranverën krah për krah.

Nga Olimpi s’ka rrufera,
Heshtje ka edhe harresë,
Por ta dini unë kam vlera,
Zemrën time kurrë s’e shes.

Zemra ime e marrosur,
Të vërtetën prapë do të ngas.
E plagosur, e fashqosur,
Veç nuk di një herë të vras.

Kur i shoh nëpër ekrane,
Po ata e po ata…
Them: Moj bota jonë mjerane,
Të përjetshëm… po këta?

Atë kohë që shkoi helmuan
E vazhdojnë prapë të helmojnë.
As nuk heshtin, s’u penduan,
Bëjnë sikur dhe Zot besojnë.

E kujtdo që më sheh shtrembër,
Ia kthej qetë në kafene:
Kam dhe emër dhe mbiemër,
Rrënjëthellë e kokë mbi re.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s