Përgjegjësia dhe influenca e mediave në shoqërinë kosovare / Nga: Ariana Bytyqi


Përgjegjësia dhe influenca e mediave në shoqërinë kosovare

 

Nga: Ariana Bytyqi

Përmbledhje/Abstrakt:

Nevoja për të qenë i informuar dhe në rrjedhë me ngjarjet, padyshim se ngjall kërshërinë e gjithësecilit.

Çështja e mediave dhe ndikimi i tyre në rrjedhat e shoqërisë në veçanti të atyre të Kosovës tanimë është shndërruar në një çështje që ushtron ndikim të pamohueshëm në krijimin e opinionit, në veçanti tek ndjekësit e saj.

Përveç mediave të shkruara, dhe të atyre audio dhe vizive, të cilat në të kaluarën ushtronin ndikim tejet të madh në krijimin e opinionit publik, shfaqja e internetit ka lënë në plan të dytë ato dhe ka marrë udhëheqjen, në sjelljen e informacionit, në veçanti përmes shfaqjes së portaleve të shumta, të cilat kanë mbirë si “kërpudhat pas shiut”, dhe kësisoj kanë gllabëruar pjesën dërmuese të shpërndarjes së informacionit, si pasojë e “lajmeve-rrufe”, të cilat atypëraty, krijojnë ndjenjën e informimit, ku të shpeshtën ngjajnë edhe mashtrime por njëkohësh edhe zhgënjime.

Në punimin tonë do të përpiqemi të vëmë në spikamë përgjegjësinë e këtyre mediave dhe ato t’i trajtojmë nga këndvështrimi i ndikueshmërisë së tyre në shoqërinë kosovare, duke nxjerrë detaje nga informacione të natyrave të ndryshme dhe ato t’i krahasojmë në rrafshin diakronik dhe sinkronik, dhe natyrisht që rezultatet na shpiejnë tek e dhëna se një pjesë e mediave, në Kosovë, në veçanti ato të forumeve të ndryshme, janë vënë jashtë përgjegjësisë, dhe kësisoj sjellin huti tek ndjekësit e tyre.

Kontrolli i hapësirës mediatike, tanimë duket si një nevojë e pashmangshme, për të vënë rregull në qiellin informativ, dhe sjellja dhe plotësimi i një ligji mbi veprimtarinë e mediave do të sillte një përgjegjësi më të lartë.

 

Fjalë kyç/key words:

Kosova, përgjegjësi, ndikim, gazeta, portale

 

HYRJE

Zhvillimi i mediave të lira në Kosovë dhe studimi i tyre, luan një rol të rëndësishëm për të parë ndikimin dhe sfidat që e shoqërojnë biznesin e medias përkundrejt funksionit primar që masmedia luan – atë të informimit të publikut.

Ky punim është organizuar në kapituj të cilët japin zhvillimet e formave të ndryshme të masmedias. Për qëllime të këtij punimi me forma të masmedias do të kuptohen media e shkruar, media vizive dhe radiofonike.

Në pjesën e parë e cila edhe do jetë më tepër një përshkrim i gjendjes aktuale, do të flasim kryesisht për aspektin institucional të organizimit të mediave, përgjegjësinë ligjore ashtu si është e përcaktuar me politikat aktuale si dhe harmonizimin e këtyre politikave me standardet më të avancuara.

Në pjesën e dytë do të fokusohemi në shqyrtimin e atyre që paraqesin sfidat kryesore të mediave në Kosovë dhe influenca e tyre në shoqërinë kosovare. Gjatë analizës në këtë pjesë do të shfrytëzohen burime të ndryshme të informatave të cilat do të ndihmojnë në një qasje sa më objektive kundrejt kësaj problematike. Kjo do të paraqesë pjesën kryesore të analizës sonë.

Në të njëjtën kohë duke pasur parasysh format e reja të funksionimit të masmedias, në pjesë të punimit do të listohen disa nga format dhe mënyra e funksionimit të tyre në vendet e Bashkimit Evropian në vështrim krahasues. E gjithë kjo do të pasqyrohet në pjesën e tretë të këtij punimi.

Krejt në fund do paraqesim gjetjet dhe rekomandimet konkrete të cilat do të ndihmonin edhe në rritjen e përgjegjësisë por edhe të ndikimit të mediave në shoqërinë kosovare.

 

  1. AMBIENTI I MEDIAVE, KORNIZA LIGJORE DHE ORGANET QË NDËRLIDHEN ME MEDIAT

Sipas vlerësimit të shumicës së raporteve ndërkombëtare po qoftë edhe të atyre të vendit, në krahasim me vitet e kaluara sfera e mediave në Kosovë ka shënuar një përmirësim të lehtë. Nga burime të shumta, të cilat kanë trajtuar dhe analizuar atë, po del se arsyeja kryesore për këtë përmirësim të renditjes në këto raporte janë adaptimi i Kodit Penal të Kosovës, ku janë hequr disa nene, të cilat kanë qenë tejet kundërthënëse.

Në këtë kontekst, aprovimi i ligjit për transmetuesit publik dhe ligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) kanë qenë zhvillime të nevojshme dhe pozitive. Nga ana tjetër, heqja e tatimit në vlerën e shtuar ka ndihmuar mediat e shkruara pas ndalimit të reklamave të sektorit publik në media. Këto, dhe disa zhvillime të tjera më të vogla, Kosovën e kanë çuar në përmirësimin e renditjes së saj.

Megjithatë, edhe përkundër këtij rregullimi nga spektri i ligjvënies, gazetarët dhe mediat në vend vazhdojnë të ballafaqohen me strumbullar problemesh, të cilat vazhdojnë të mbeten pa ndonjë zgjidhje konkrete dhe të cilat njëkohësh janë të pashmangshme dhe të vazhdueshme dhe ato nuk arrijnë dot tek pika e dëshirueshme e përmirësimit cilësor. Problemi kryesor në këtë kontekst edhe më tutje mbetet çështja e presionit ndaj gazetarëve. Përmes përdorimit të Ligjit për Shpifje dhe Fyerje, si armë për frikësimin e gazetarëve, ato po marrin formën e një “flaster-discipline” në gojën e gazetarit, dhe një vetëdisciplinim të tyre, duke mos e gjetur zgjidhjen e duhur për të dalë nga kjo lëvozhgë. Nga ana tjetër gjyqësori, edhe më tutje vazhdon të  mbetet i paaftë për të zgjidhur dhe për t’i dhënë trajtimin e drejtë dhe të shpejtë.

Megjithatë, nuk është vetëm ligji mbi informimin shkaku për “ngulfatjen” e gojës dhe penës së gazetarëve. Ligji për qasje në dokumente publike nuk zbatohet në masë të duhur, dhe për këtë, gjithnjë ekzistojnë dyshime të mirëmbështetura, se ai megjithatë, përdoret si mjet për kontrollimin e mediave. Kësollojshëm, një ligj i këtillë, nuk mund të konsiderohet si i mirëfilltë dhe transparent meqë nuk ka të bëjë edhe me informatat por vetëm me dokumentet. Rregullatorët e mediave, kanë probleme rreth zbatimit të detyrave të përcaktuara. Mungesa e kapaciteteve, si dhe mungesa e vetëdijesimit të publikut për rolin vetanak lë për të dyshuar se në këtë trup rregullator ka dyshime për ndikim të politikës.

Rrjedha e zvogëlimit të numrit të mediave është e dukshme. Kjo ndodh për shkak të problemeve ekonomike të mediave, që rrjedhin kryesisht nga gjendja e rënduar në vend. Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i portaleve të lajmeve në internet përbën një sfidë serioze për shumë media pasi që rregullimi i këtyre portaleve është i vështirë ndërkohë që kostot e tyre janë më të vogla. Edhepse, mediat në Kosovë kanë shënuar përparim të lehtë, problemet e tyre vazhdojnë të jenë brengosëse dhe pa një zgjidhje fatlume, e cila do të ngriste cilësinë e saj në nivel të së dëshirueshmes.

 

  1. SFIDAT NË NGRITJEN E PËRGJEGJËSISË DHE INFLUENCËS SË MEDIAVE NË SHOQËRINË KOSOVARE

Liria e shprehjes, liria e medias dhe siguria e gazetarëve në Kosovë është temë debati dhe ajo tanimë është analizuar në disa raporte të hartuara nga organizatat ndërkombëtare dhe të vendi. Shumë  hulumtime mbështesin mendimin e pranuar botërisht se gjendja edhe më tutje mbetet e ndjeshme përkundër disa përmirësimeve kozmetike në këtë aspekt.

Sipas shumë hulumtimeve të cilat janë kryer gjer më tani, sfidat kryesore për lirinë e medias gjatë viteve të fundit në Kosovë kanë të bëjnë kryesisht me sundimin e ligjit. Edhe përkundër miratimit apo ndryshimit të legjislacionit në këtë fushë, problemi mbetet tek zbatimi i tij. Sipas disa sondazheve të organizmave ndërkombëtarë, ekzistojnë raporte se gazetarët janë kërcënuar, frikësuar, se është ushtruar trysni ndaj tyre dhe se në disa raste janë sulmuar fizikisht. Gjyqësori deri më tani ka qenë i ngathët në trajtimin e rasteve të tilla. Ligji i punës gjithashtu nuk zbatohet në masë të mjaftueshme, posaçërisht në sektorin privat që përfaqëson shumicën e skenës mediatike ku pasiguria e vendit të punës ndër gazetarë paraqitet si një sfidë shtesë. Disa media fillimisht u zhvilluan përmes ndihmës së donatorëve, por jo të gjitha prej tyre janë në vijë me nevojat e tregut.

Raporti i shpenzimeve qeveritare në reklama kundrejt të ardhurave nga sektori privat synon në dobi të së parës, duke nxitur kështu pohimet e herëpashershme të ndikimit politik që ushtrohet mbi mediat përmes fondeve të reklamave. Pagat në këtë sektor nuk janë konkurruese dhe ndërrimi i shpeshtë i punëtorëve paraqet një sfidë për punëdhënësit. Pretendimet e besueshmërisë së pamjaftueshme janë gjithashtu relativisht të theksuara. Nuk ekziston ndonjë sindikatë që do të përfaqësonte sektorin e medias në përgjithësi apo gazetarët në veçanti, me përjashtim të dy sindikatave që mëtojnë të përfaqësojnë interesat e punonjësve të transmetuesit publik. Prandaj, nuk është e pazakonshme për gazetarët dhe mediat që të kërcënohen me padi, ndërsa shumë raste përfundojnë në gjykata.

Me qëllim të përmirësimit të gjendjes, përqendrimi i të gjithë aktorëve kryesorë duhet të ndryshojë nga legjislacioni në instrumentet përgjegjëse për zbatimin e tij. Procedurat, sipas të cilave qeveria dhe kompanitë në pronësi publike shfrytëzojnë buxhetin për reklama, duhet të bëhen tërësisht të hapura dhe të besueshme dhe duhet t’i përgjigjen numrit të lexuesve dhe tirazhit për cilindo medium që pranon fonde për reklama nga sektori publik. Komuniteti i donatorëve po ashtu duhet t’i rishikojë politikat e veta, duke shtuar kështu përkrahjen për sektorin e medias dhe duke siguruar një proces të besueshëm dhe konkurrues në shpërndarjen e fondeve të veta.

Shoqëria civile dhe vetë mediat duhet të bëjnë përpjekje për të shtuar besueshmërinë e sektorit të medias, duke rritur kontrollin ndaj punës së gazetarëve dhe duke shtyrë përpara projektet që rrisin nivelin e profesionalizmit.

  1. PRAKTIKAT E MIRA TË SHOQËRIVE MEDIALE NË VENDET E BASHKIMIT EVROPIAN

“Zotëri, unë nuk i ndaj mendimet me ju, por unë do ta rrezikoj jetën time për të drejtën tënde që t’i shprehësh ato.” VOLTAIRE (1694 – 1778)

Kërcënimi më i madh për lirinë e mediave është bërë koncentrimi i mediave, i cili ekziston në të dyja nivelet – në nivelin lokal dhe në atë global. Prandaj, në shumë shtete dhe në Bashkimin Evropian ka ligje kundër koncentrimit të mediave në mënyrë që të ruajnë pluralizmin medial. Sifda të mëtutjeshme dhe më të elaboruara të reja, të lirisë së informimit dhe mediave janë sjellë nga zhvillimi teknologjik, si shpërndarja e komunikimeve satelitore dhe rritja e qasjes në internet. Shumë shpesh shtetet mundohen ta kufizojnë qasjen në mediat e reja, për shkak të pamjeve apo përmbajtjeve të kundërta të cilat frikësohen se janë kundër politikave të tyre nacionale p.sh. në baza morale apo religjioze. Pasi që ekzistojnë shumë internet faqe që ofrojnë propagandë raciste dhe ksenofobike apo pornografi të fëmijëve, brengat e tilla gjithmonë nuk janë të pajustifikuara. Pyetja ngritet, megjithatë, sa është i thyeshëm balanci në mes lirisë së shprehurit dhe mbrojtjes legjitime të intereseve në shtetet demokratike. Falë natyrës të pakufishme të internetit, përgjigjet mund të gjenden kryesisht në shkallën ndërkombëtare.

Në Konventën e tij për Krimin Kibernetik, OBEZH tashmë e ka dënuar pornografinë e fëmijëve dhe ka provuar të shtojë përgjegjësinë e krimit të organizuar si dhe kooperimin ndërkombëtar për ndjekje; puna në një protokol shtesë që merret me racizëm dhe propagandën ksenofobike është në progres. Konventa ende nuk ka hyrë në fuqi. Samiti i Kombeve të Bashkuara për Shoqërinë Informative në Gjenevë në vitin 2003 dhe në Tunis në vitin 2005 merret edhe me një çështje tjetër me rëndësi të veçantë.; përfshirjen dhe përjashtimin në kohën e komunikimit, të thirrur po ashtu “koha digjitale”.

Qëllimet e mëdha për të zhvilluar një plan të veprimit se si të mbyllet hapësira ndërmjet “esnafëve” dhe “të thjeshtëve” të qasjes në teknologjitë e informimit dhe komunikimit. Pasi që i ashtuquajturi digjital që ndan veriun dhe jugun (por po ashtu në veri, ku regjionet rurale dhe ato më pak të përparuara janë lënë mbrapa) vazhdon të zgjerohet me shpejtësi, është e nevojshme një kohë e gjatë për ta gjetur linjën globale të veprimit. Liria e të shprehurit është në thelb e prekur nga refuzimi i përfshirjes në infrastrukturën informative, për arsye se rritja e rëndësisë së internetit e bën gati të pamundur që me aq lehtësi të korrigjojë apo përhap idetë në çdo vend. Për çdo rast duhet të theksohet se nuk mund të ketë liri pa përgjegjësi dhe liritë e pakufizuara mund të shkaktojnë shkelje të të drejtave të njeriut, siç është e drejta e intimitetit. Por frenimet duhet të justifikohen nga qeveria për arsye legjitime, të cilat mund të shqyrtohen me kujdes nga opinioni publik, dhe si burim i fundit, institutet juridike.

  1. KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Zhvillimi i mediave të lira në Kosovë dhe studimi i tyre, luan një rol të rëndësishëm për të parë ndikimin dhe sfidat që e shoqërojnë biznesin e medias përkundrejt funksionit primar që masmedia luan – atë të informimit të publikut.

Sipas vlerësimit të shumicës së raporteve ndërkombëtare po qoftë edhe të atyre të vendit, në krahasim me vitet e kaluara sfera e mediave në Kosovë ka shënuar një përmirësim të lehtë.

Edhe përkundër rregullimit nga spektri i ligjvënies, gazetarët dhe mediat në vend vazhdojnë të ballafaqohen me strumbullar problemesh, të cilat mbeten pa ndonjë zgjidhje konkrete dhe të cilat njëkohësh janë të pashmangshme dhe të vazhdueshme dhe ato nuk arrijnë dot tek pika e dëshirueshme e përmirësimit cilësor.

Zhvillimi i shpejtë i portaleve të lajmeve në internet përbën një sfidë serioze për shumë media pasi që rregullimi i këtyre portaleve është i vështirë ndërkohë që kostot e tyre janë më të vogla.

Mediat në Kosovë ndonëse kanë shënuar përparim të lehtë, problemet e tyre vazhdojnë të jenë brengosëse dhe pa një zgjidhje fatlume, e cila do të ngriste cilësinë e saj në nivel të së dëshirueshmes.

Sipas disa sondazheve të organizmave ndërkombëtarë, ekzistojnë raporte se gazetarët janë kërcënuar, frikësuar, se është ushtruar trysni ndaj tyre dhe se në disa raste janë sulmuar fizikisht, ndërsa gjyqësori deri më tani ka qenë i ngathët në trajtimin e rasteve të tilla.

Me qëllim të përmirësimit të gjendjes, procedurat, sipas të cilave qeveria dhe kompanitë në pronësi publike shfrytëzojnë buxhetin për reklama, duhet të bëhen tërësisht të hapura dhe të besueshme. Komuniteti i donatorëve po ashtu duhet të shtojë përkrahjen për sektorin e medias duke siguruar një proces të besueshëm dhe konkurrues në shpërndarjen e fondeve të veta.

Në shumë shtete dhe në Bashkimin Evropian ka ligje kundër koncentrimit të mediave në mënyrë që të ruajnë pluralizmin medial. Sifda të mëtutjeshme dhe më të elaboruara të reja, të lirisë së informimit dhe mediave janë sjellë nga zhvillimi teknologjik, si shpërndarja e komunikimeve satelitore dhe rritja e qasjes në internet.

Pasi që i ashtuquajturi digjital, vazhdon të zgjerohet me shpejtësi, është e nevojshme një kohë e gjatë për ta gjetur linjën globale të veprimit. Liria e të shprehurit është në thelb e prekur nga refuzimi i përfshirjes në infrastrukturën informative, për arsye se rritja e rëndësisë së internetit e bën gati të pamundur që me aq lehtësi të korrigjojë apo përhapë idetë në çdo vend.

Nuk mund të ketë liri pa përgjegjësi dhe liritë e pakufizuara mund të shkaktojnë shkelje të të drejtave të njeriut, siç është e drejta e intimitetit.

Literatura e shfrytëzuar:

http://www.etc-graz.at/typo3/fileadmin/user_upload/ETC-Hauptseite/manual/versionen/albanian/express_media/express_media.pdf

http://www.osce.org/sq/kosovo/122391?download=true

Public Pulse INDEP, Liria e Shprehjes në Media dhe Roli i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, UNDP, USAID, 2013

OSBE MISIONI NË KOSOVË, Liria e mediave dhe siguria e gazetarëve në Kosovë,  Qershor 2014

http://www.osce.org/sq/kosovo/122391?download=true 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s