Poezi nga Dijana Toska

Poezi nga Dijana Toska

 

Karvanët

Buzët tuja janë pafundësi,
ndër buzë, buzëqeshja jote e pamëshirë.
Sytë tuej, oaze të çiltra në shkretëtinën e pafund,
bebëz, shndërrue në guacë të fildishtë.

Të premtoj se sonte kam me t’i dërgue karvanët ngarkuem,
përplot dashuni dhe mall
kane me kalue pranë tendës tande, qielli kur të hapet,
ti qëndro pas perdes dhe priti plot durim,
dhe, në vedi, dëshirat e fshehta përball.

Pastaj, lute bylbylin e natës me kendue nëpër terr,
le të japë shenjë me dalë me i pritë…
Të lutem, mos ik! Rri aty dhe prit!

E di, veshun me këmishë mëndafshi.
Në mëndafsh mbulue trupi yt,
veç flladi i natës zbulon shpatullën bilur të bardhë
e ti skuqesh në çdo rrahje të zemrës,
e turpërueme nga gjaku që të vlon ndër dej.

Në largësi fërfërimë palmash,
era lehtësisht shpërthekon kujtimet;
tek këmisha jote ndalet,
atëherë, ndalet edhe koha,
edhe toka më nuk rrotullohet.

Atëherë karvanët kane me te ngja si halucinacion;
herë vijnë e herë largojnë.
Po dije se kanë me fërfëlli grimca dashunie kah ti,
grimca malli si inxhi,
flladin e natës ta kthejnë në melodi.

 

Shkruej

Shkruej për përrallën e papërfundueme të gjyshes,
për gojëdhënat e saj
dhe mallin që ke për të.
Shkruej për qingjin e vogël,
për blegërimën e tij
përroit të vogël diku në fund të fshatit.

Shkruej për rrugën që duhet ece
nëpër ferra,
me kambët varrë.
Shkruej për kujtimet e bukura.
Zhytu,
ringjalli ato.

Shkruej për nji kukull,
shkruej për kambën e humbun të saj.
Edhe ashtu, ajo për ty
sërish ma e bukura.
Shkruej, kujtoji ninullat që i këndoje
dhe fjalët e pashqiptueme mirë.

Shkruej për lulet,
për gërshetat e shprishuna,
për fushën e blertë, të pafund.
Shkruej për flladin e vjeshtës së vonë,
Ikun, krejt pa u përshëndete.

Shkruej për fëmininë;
e dashtun, vetëm shkruej
mos u ndal kurrë.

Dhe, mos harro,
shkruej për dashuninë e parë
për puthjen e parë
për drithërimën e parë të zemrës.

Shkruej për dorën në dorën tande
gjatë shëtitjeve përskaj lumit.

Shkruej për lotin e parë,
për humbjen e parë,
për rrenen e parë.
Shkruej për netët e kalueme pa gjumë,
për hanën e zbehtë dhe yjet e hallakatuna.
Mos u ndal, vetëm shkruej.

Dhe, përsëri shkruej
për ndjesinë e të qenit grue;
shkruej për rebelizmin e fshehun thellë në ty,
shkruej për dëshirat e fshehta,
të ndalueme, të pazbulueme.

Shkruej, vetëm shkruej.

© Dijana Toska (Rruazat e jetës, Shkup)

Lektor i gegnishtes: Gjergj Jozef Kola

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s