Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

SA E BUKUR QENKA LIRIA

Ishte rrugë e gjatë,
Ne, megjithatë, ecëm deri në fitore
Cilës nuk i dihej fillimi
E as mbarimi.

Njerëzit ëndërronin lirinë,
Atë mollë të ndaluar,
Por megjithatë e kafshuam
Deri në palcë drurin që rritej në kopsht.

Armiku ishte i dukshëm në lëndinë,
Por edhe i padukshëm,
I ngjante zjarrit që digjej në heshtje,
I ngjante llavës së gjallë.

Ne nuk kishim tjetër rrugë
Për të mbërri deri te portat,
Nuk kursyem as frymën e fundit,
Ecëm derisa u hapën dritaret e mbyllura.

 

TE DERDHJA E LUMIT

Një ditë e njëherë
Ne të gjithë do të mbërrijmë në shesh,
Në çdo çast e kohë
Udhëtojmë kah derdhja e lumit

Atë ditë kur të mbërrijmë
Deri te vorbulla e kaltërsisë
Mbase për herë të fundit do të këndojmë
Atë këngë të njohur kaherë alejluja.

Por fluturat më nuk do t’i ndjekim
Nëpër fushat e pakorrura të mendjes,
Do mbeten shterpe arat,
As luadhet s’ka se kush t’i kositë.

Ky udhëtim i pandalshëm
S’do pushojë asnjëherë deri te shëtitorja
Edhe të tjerët do vijnë pas nesh
T’i lexojnë epitafet e kohës së ikur.

 

GJITHMONË UA KALON RREPEVE

Drurët nuk e njohin vdekjen si njerëzit,
Ecin ballëhapur shtigjeve të hënës
Kur takohen me zjarrin
Janë po aq krenarë
Sa që nga gjethet e tyre lindin fluturat.

Një mal pa dru dhe lisa
S’mund të quhet mal veç një shkretim
Ku vdekja i shtrin krahët
Dhe i përqafon hijet që vdesin
Ende pa u takuar me dritën.

Po të njëjtin fat e ka edhe bari,
Gjithmonë ua kalon rrapeve,
Asnjë tufan a furtunë
Nuk mund t’ua shembë çatitë e gjelbërimit,
Çdo pranverë përsëritet si ringjallja.

 

NGA GJOKSI I SAJ I BARDHË

Në maje të një plepi
Si një kalë i paçjerrë
Mes gjetheve posa të bulëzuara
Flinte hëna lakuriqe.

Nga gjoksi i saj i bardhë
Si qumështi i një zane
Buronte drita e llambave,
Buronte vesa e kristaltë e mëngjesit.

Më poshtë lagjes,
Te ura e evgjitëve
Defatorja e moshuar
Me afsh luante një valle.

Po kush nuk këndoi sonte
Kur e pamë hënën
Duke i kapërthyer në ajërin e tendosur
Komçat e këmishës së bardhë.

Përtej dritareve çeli një trëndafil,
Çelën rrënjët në njëmijë ngjyra.
Sa e bukur qenka liria
Kur lulëzon në sytë e virgjër të njomëzakëve.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s