Poezi nga Hysen Grajçevci
RUGOVË
kush ta vrau “atë lahutarin plak”
E nga varri,
kush do t’na i ngjallë trimat !?
Mark Milani !?
Po namin e Zhujë Selmanit…
e të Sak Faslisë?
Kujdes gjakun
e Qelë Shabanit
e të Ker Sadrisë.
Rugovë!
Burrat si keta Çakorin
e patën strehë t’burrërisë…!
NUK BESOVA…!
Kurr nuk besova se
kaq shumë zvarranik ka në botē
mbase edhe tani kur shoh se
shumë janë me lëkurë Kameleoni
E vërteta nuk ndryshohet
është kokëfortë
me kohë masken çjerr
dhe fytyrën meskine zbulon
Shpesh herë LIRIA prangoset me heshtje
dhimbja shendrrohet në dënesë
Me grada vishen kameleonët
Heronjët mjerisht mbesin në harresë!
BISEDË ME VARGUN!
Dhimbshëm flas me vargun fjalë përmallimi,
zjarrin e fshehë diku thellë nën bri!
Në pentagram vargu ca nota mallëngjimi,
Si melodi e orkestruar për simfoni!
Në sfond shiqoj diellin, si bëhet njësh me detin,
si shkrihet e mbetet gjurma e flakës së djegur,
cili nga piktorët do ta jetësoj këtë në vepër?
mallin e zhuritur ta pikturoj në letër!?
Dhe ikin stinët si vete jeta…
me vete mbartin ndryshimet në kohë,
ca gjethe bien nga degët e vjetra,
e ca të rejat lindin me agun pranveror.