Jorgo Nanidhi shpëton qytetin… / Shkëputur nga novela* “Jorgo Nanidhi” i autorit Timo Mërkuri

Jorgo Nanidhi shpëton qytetin…

 

Shkëputur nga novela* “Jorgo Nanidhi” i autorit Timo Mërkuri

Xhelo Xhelili  ishte një djalë shkolle  i fshatit X.. Sit ë gjithë fëmijët, mëndjen e kishte top e cingëla. Kur e gjuante topin nga sheshi i fshatit tutje në lëmë shko e gjeje. Se sa për cingëlat e dinin të tërë, ngado që ti gjuante,te xhamet e shkollës së fshatit do përfundonte. Dhe do ti, gjithnjë xhamet e klasës së shtatë e pësonin. Kjo ndoshta ishte dhe arsyeja që  Xhelua nuk e kaloi kurrë klasën e gjashtë. Pse ore, në klasë pa xhama të vente ai? Të ftohej e të plevitosej? Jo, jo, punë që s’bëhet kjo. Kështu, ndërsa vërsnikët kapërcenin klasat si kaluçin  e gjimnastikës, Xhelua mbeti tre vjet   në të njëjtën klasë. Jipte e mirte i jati me pëllëmbë e me thupra thane, s’u ngjit e s’u ngjit një klasë më lart. Vazhdonte gjyshja me përallën e të bukurës së dheut që ishte te klasa e sipërme e që priste Xhelon të vente e ta mirte, por Xhelua i thoshte se i qenë grisur opingat dhe s’miret nuse me opinga të grisura. Priti e priti  i jati dhe kur pa që Xhelua kishte mbetur aguridhe nga mëntë, ndonëse nga trupi qe bërë katana e pa të udhës që ta dërgonte çoban me dhëntë efshatit. E jëma e Xhelos ja plasi të qarit për djalin që do vente çoban që fëmijë  por Xhelua sa s’fluturoi nga gëzimi dhe të nesërmen u ngre që më natë dhe u nis në punë. Vetkuptohet si ndihmës  çoban në fillim.

Rruga për në kullota kalonte para shkollës dhe si për dreq, drejtori i shkollës gjithnjë dilte te shkallët kur vinte kopeja, si për ti kujtuar Xhelos se ç’kishte humbur. Në fakt drejtori  priste të fuste në oborin e shtëpisë dhëntë e tij , që i kishte në tufën e përbashkët që kulloste Xhelua. Xhelua e përshëndeste me ëmbëlsi, siç nuk e kishte përshëndetur asnjëherë kur ishte nxënës, ndoshta nga që i dukej se drejtori e shihte me një trishtim dhe tundte kokën, sikur çoç donte ti thoshte veç përshëndetjes. ..

Dhe ja një ditë,  kur u kthye nga kullota dhe po shpërndanin dhëntë nëpër shtëpira, drejtor Beqiri, ndërsa shtynte dhëntë e tij drejt oborit të shtëpisë, i zgjati Xhelos nja dy letra duke i thënë:

– Meri se do të duhen ndonjëherë.

-Ç’janë këto pyeti Xhelua, ndërsa po i shihte me vëmëndje. Kartëra me vulë e me firmë qenë po përse duheshin, Xhelua nuk e kuptonte.

-Dëgjo more djalë- vazhdoi drejtori- Shokët e tu kanë kaluar gjimnazet e ti ke mbetur me gjashtë klasë. Sikur s’ka lezet kjo punë. Ndajë meri këto dy dëftesa. Njëra është e klasës së shtatë dhe tjetra është e klasës së tetë. Siç e sheh, i ke kaluar të dy klasat. Notat pesa e gjashta ti kam vënë, por dhe ato bëjnë punë. Tani ecë përpara në jetë dhe ua pafsh hajrin.

Xhelua s’kuptoi shumë, madje nuk e besoi drejtorin kur i tha që i paskësh kaluar ato dy klasa.Si paska kaluar klasën kur ai s’qe qasur fare as në obor të shkollës le më të futej në klasë. Serioz ja tregon ato kartërat të jatit në shtëpi dhe e pyet si qënka kjo punë.

-Të ka bërë nder drejtori- i tha i jati. T’ja dish e t’ja shpërblesh mirësinë atij deli drejtori. Pa vajtur në shkollë fare, ja ku i more dy klasët që të duheshin. Dëgjo ç’do bëjmë more djalë, do therim dy qëngja dhe do ja shpiesh në shtëpi nësër në saba drejtorit. Do i thuash dhe faleminderit shumë. Dëgjove? Ashtu të paça o djalë. Ja, m’u bëre me tetëvjeçare a të keqen, se e keshë dëngë në shpirt këtë punën e shkollës tënde.

Shkuan muaj e shkoi viti. Xhelua sa herë që i çonte dhëntë drejtorit e shikonte në dritë të syrit dhe përplaste buzët, sikur çoç do t’i thoshte. Vetkuptohet që nuk do ti rrëfente se, ato dy qingja që i theri i jati  darkën e ditës së dëftesave, vërtet ja dha atë mëngjes, por ama ja mbajti nga qingjat që i lindën delet e tufës së drejtorit. Se ai e bloi hollë e hollë në mëndjen e tij këtë punën e dëftesave. Pse duhej ta shpërblente drejtorin vallë? Dëftesat qenë të shtetit, domethënë të askujt, vula qe e shtetit, notat qenë badiava në hava. Drejtori vetëm firmën kishte vënë. Pse, për një firmë donte dy qingja ai? Qylaxhi qënka zotria, por jo të ma hedhë mua. Nuk ja haroj unë që më ka nxirë jetën në shkollë….

-More zoti drejtor- mori kurajën e i foli një ditë ndërsa ndante dhëntë e tij, atë nderin e madh që më bëre zotrote dhe që nuk ta kam haruar e s’ta haroj e ke lënë pa  qylaf. Vuri dhe qylafin në kokë që të duket tamam.  Që ta çmojmë tamam e të ta dimë për nder për gjithë jetën.

-Për ç’qylaf e ke fjalën more Xhelo se s’të mar vesh.

-Po ja, zotrote je dhe drejtor i shkollës së mesme. Por siç e sheh edhe kjo shkollë do mbyllet se firasën nxënësit. Me dëftesën e tetëvjeçares e shumta nga çoban deri në krye çoban mund të bëhem. Nuk më jep dhe dëftesën e shkollës së mesme, je që je? Për nder do ta di. Pastaj dhe ndonjë mish do ta sjell, nuk të lë bosh. Hë si thua?

Drejtori e pa drejt e në sy mendueshëm.

-Pa dil njëherë nesër – i tha qetë qetë- dhë dëgjo: Silli nja dy mishëra se nuk venë dëm. Dëgjove?

-Ulu pak këtu- i tha drejtori të nesërmen, pasi futi në shtëpi dy mishrat dhe në xhep një zarf, që siç e sqaroi Xhelua,  kishte këmbngulur i jati që tja jipte drejtorit, me doemos.. –Tani dëgjomë me vëmëndje. Na dëftesën e shkollës së mesme dhe jemi të larë me këtë punën e mishit. Por siç kanë ardhur punët edhe me këtë dëftesë nuk do hash dot bukë shumë. Duhet shkolla e lartë, patjetër.

-Po çtë bëj pyeti Xhelua i hutuar. Ku ta gjej të përpjetën unë i mjeri.

-Të lartën thuaj- i ndërhyri drejtori- të lartën, jo të përpjetën. Mos u bën merak, vazhdoi ai- përse jam unë këtu? Kam një mik aty në të lartën e qytetit përposh që ta mbaron këtë punë. Ama do katër dele dhe katër herë   nga sa të dha babai lekë te ai zarfi. Mishrat dhe zarfin do ti sjellësh vetë në qytet dhe do më shohësh që unë do ja jap atij mikut. Ai do më japë një karton që quhet dipllomë, me emrin dhe fotografinë tënde. Me atë karton ti do zësh punë në qytet. Edhe drejtor do bëhesh, mbaje mënd që po ta them unë….

Kështu rrodhi puna që Xhelo Xhelili mori kartonin, domethënë dipllomën. Se ç’shkruante ai karton, një si kontabilitet…e ku di unë. Ama kishte firmë e vulë.

Tani, në doni të dini ku i gjeti Xhelua delet dhe deshtë, mos haruat gjë marifetin e qëngjave? Lereni këtë muhabet tani po dëgjoni më tejë….

Drejtori i propozoi që ti siguronte edhe një doktoraturë. Duheshin vetëm pesë desh dhe dy herë më shumë lekë nga diplloma. Por Xhelua nuk e kuptonte ç’është doktoratura, ai e ngatëronte me doktorin. Ama doktorët i kishte inat. I kishin bërë një herë ca gjilpëra që lere lere. Po pasi u mendua pak, i tha drejtorit që doktoraturën do ja jipnin djalit të xhaxhait të tij, Pelivanit.  Pelua e kishte bërë të mesmen, mirte doktoraturën kollaj dhe pastaj mirte dhe diplomën e të përpjetës Muhabetin do ta bënte  Xhelua vetë. Kështu që   u nis te xhaxhai dhe llafosi me  ‘të e me djalin e tij..

-Duhen dhjetë desh- i tha Xhelua- ose pesë desh e pesë dele dhe dy herë nga sa i kërkoi drejtori lekë në zarf. Tani e kuptoni vetë, gjysmat qenë për Xhelon. Pse badiava do punonte ai??? Me se do ta blinte kostumin dhe kullaron kur te shkonte ne qytet, ë?

…Xhelua vajti në qytet, filloi punë në bashki dhe u dalëngadalë bë shef i zyrës së tenderave. Me një fjalë drejtor. I doli fjala drejtorit të shkollës. Nuk gënjente ai jo. Tani e kuptoni vetë ju, ca miqtë e ca flamujtë që tundtë fortë e më fortë, ja shtruan rrugën Xhelos. Të zestë vartës universitarë të Xhelos se ç’hiqnin. Kishin mbetur të kapur nga padituria e Xhelos si kaprojtë nga dhëmbët e hekurt të kurthit të gjuetarëve. Por nejse, bashkia e qytetit tonë në breg të liqenit ngriti edhe grupin folklorik për të konkuruar në Festivalin e Gjirokastrës. Xhelo Xhelili do vente se s’bën në Festival. Të mos i hamë hakun, si marës kënge ishte me famë. Konkurenca ishte e fortë, grupi folklorik i bashkisë fqinjë ju qas në prag  fitores të kupës a të flamurit me këngën zulmëmadhe…Dy dele treqint pare…

Por Xhelo Xhelili sa dëgjoi fjalën “dele” dhe “pare” mori një frymëzim hyjnor që e ndezi skenën e Festivalit. Ja nisi këngës more shokë që aman aman. U mblodhën malet kokë më kokë të mbanin iso…Mbi ison e maleve  gjëmonte zëri i Xhelos, kur ja mirte… Gazetat shkruajn e thonë/Ç’bënetë në vëndin tonë/Katër dele një dipllomë/ Çobanët bëhen drejtorë…

U ngre salla në këmbë e dorëtrokëllinte Xhelo Xhelilin, talentin e posaçfaqur. Pa le kur ja mori strofës tjetër, mbamëni o vëllezër se nuk mbahem dot. Ah more Xhelo, qysh i ujdise ato llafe mor aman.. Po qysh ja thoshe, thuaje dhe njëherë…Shqipër moj shkëmb e gur/Se keshë pandehur kurr/ Pes’ desh, një doktoratur…Thonë se nga dorëtrokëllimat e brohorimat krisi kalaja e Gjirokastrës në nja dy vënde e u gremisën nja dy bedena.. Si nuk u gremis gjithë kalaja vetëm zoti e di. Domosdo edhe Xhelo Xhelili….

Këtë historinë  e Xhelo Xhelilit e mësoi edhe Jorgo Nanidhi. Atëherë I lindi mendimi që në këtë mënyrë ti jipte dhe të birit n jë dipllomë. Ky djalë i Jorgo Nanidhit

që thua  ti, akoma s’e kishte bërë shkollën e lartë. Kishte bërë në Greqi një kurs për kompjutera  dhe punonte mirë e bukur në këtë zanat. Sidomos  në vitet 2009, 2010, 2011, 2012 e zgjeroi aktivitetin dhe punësoi edhe ca të tjerë. Hakçe hakçe ishte djalë i mirë e buzëgaz. Jorgo Nanidhi, si nënkryetar bashkie që ishte, i siguroi një vend pune zyre në shëndetsi. Gabimisht i tha të birit që do punonte doktor. Ndoshta e kishte fjalën për shërbime spitali a ku di unë, por ja që djalit i pëlqeu doktorllëku dhe donte patjetër një dipllomë doktori.

-Ah more baba, sa mirë do jetë të më sigurosh një dipllomë kirurgu. Do i operoj të tërë njerëzit. Edhe tij do të operoj, patjetër. Ja ke për të parë….

Jorgua u lemeris. Po sikur ai “miku” nga Tirana ti sillte vërtet diplomë kirurgu, djali do kërkonte me deomos të vendosej shef i kirurgjisë. Dhe do ja niste operimeve si kasapi në thertore, pre andej e ther këtej. Obobo, ç’mu desh kjo punë tha me vete. Sos do vrasë një e dy por do bëjë batërdinë në njerëzi. Kur ta marin vesh si e qysh e do duan ta ndalojnë, do jetë bërë hataja.

Të mesërmen u nis me urgjencë për në Tiranë, brodhi nga brodhi për tre ditë e tre netë, harxhoi gjithë sa kishte marë me vete por ama dipllomën ja solli të birit.

-Dëgjo more bir- ju drejtua të birit kur mbriti në shtëpi- Dipllomat e doktorëve qenë mbaruar, por të prura një tjetër dipllomë. Ke të bësh vetëm me para në punën që do zësh me këtë dipllomë, do ndashë parat e tenderave. Ja si bëhet kjo punë. Ke grumbullin me para përpara, dhjetëshet i mer ti, nëzetëshet i mer mamaja, psh ë,  dhe pesëdhjetëshet i mar unë. Dakort. Ja kaqë është puna.

-Dale pak, dale- e ndërpret i biri- Po sikur ti ndajmë …dhjetëshet ti, njëzetëshet mami dhe pesëdhjetëshet unë. Bëhet, ë.

– Po ti qënke për drejtor more bir, kaqë i zgjuar sa më je.

Kështu ndodhi që shoku Jorgo Nanidhi shpëtoi qytetin nga një vrasës i mundshëm serial, që kushedi se sa njerëz do kishte vrarë në operacionet kirurgjikale. Por shoku Jorgo Nanidhi u tregua i shkathët dhe i zgjuar. Nuk i dha dipllomë kirurgu, jo. I solli një dipllomë nga Fakulteti i Inxhinjerisë Elektonike të Univeristetit “Kristali”. Atë me numër 274. Do thuash ti që Universitetit “Kristal” i plasën kristalet dhe u mbyll sot e ca vjet më parë, qysh e siguroi ai dipllomën. Po akoma nuk e kini marë vesh ju që ai Univeristet, megjithëse është i mbyllur vazhdon të shesë diploma me shumicë e me pakicë. Ore, jini në këtë botë ju, mirni vesh se ç’bën dynjaja. Doni të bindeni? Shkoni ta shikoni dipllomën e djalit të Jorgo Nanidhit te Drejtoria e Burimeve Njerëzore pranë Spitalit të qytetit tonë në breg të liqenit.

Me një çikë marifet, mund ti kërkoni djalit të shokut Jorgo Nanidhi tju dëftojë edhe ndonjë fotografi dalur me shokët e fakultetit gjatë studimeve, psh, ë. Sa për saktësim.

Thuhet se bashkia do ti propozojë Këshilli Bashkiak ti japë  shokut Jorgo Nanidhi  titullin “Qytetar Nderi” apo “Nderi  Qytetit”. Ndoshta edhe titullin “Familje Shëmbull”.

Nuk është e pakët të shpëtosh qytetin nga një vrasës i mundshëm serial.

*-Nga kapitulli “S’ke parë gjë akoma o Jorgo Nanidhi”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s