Poezi nga Ermira Mitre

Poezi nga Ermira Mitre
 
 
TË SOTMEN JETOJ
 
Jam mbret i Tokës ku këmba më shkel,
I vëndit ku ulem, i shtratit ku fle,
I trupit që prek, i falem e ndjej,
I ajrit, i frymës që thith edhe nxjerr,
të sotmen jetoj, e nesërmja fle.
 
Jam mbret i ndjenjës, i mëndjes,
i fjalës që them, i farës që mbjell, i foshnjës që sjell.
i ujit që pi, i perlës që nga guaska e detit nxjerr,
i frutit, i mjaltit, i gurit, i drurit,
jam mbret i zjarrit që në vatër ndez,
të sotmen shijoj,
e nesërmja enigmën në prehër të më sjellë.
 
Jam mbret i vajit, i dertit, i hallit,
i lotit të ngrohtë që mbi faqe rrëshqet,
që gushën e lag e gjoksin bën det,
në ankth e pritje mbi mur të gjoksit qëndron,
të sotmen jetoj, e nesërmja mungon.
 
Jam mbret i tingullit të lirës së vjetër,
kitarës që bie tek pragu i derës,
jam mbret i qejfit, i valles, i këngës,
i sokakëve ku troket serenatë e zemrës,
ku vashat rrinë zgjuar nën dritën e Hënës,
pas perdes ngre dallgë melodi e brengës.
 
Jam mbret i qytetit ku pija rrjedh botëve,
kalldrëmi latohet nga kripa e lotëve.
të sotmes i këndoj, me gaz e me verë,
e nesërmja nuk e di ç’risi do më sjellë.
 
Jam mbret i paqes në pyll e lëndinë,
ku edhe zogjtë më të egër ulen e ngrenë folenë,
jam mbret i dritës, që dritë mi jep syve të mi,
jam mbret i të sotmes, të nesërmen nuk e di.
 
E djeshmja, thëngji zjarri e shuar pas djegie,
shkruar në letër, a gdhëndur në stoli,
hirin zbraz e heshtur në të vjetrën kuti,
kurora e mbretit, relikë antike mbeti,
kujtim i largët, i lënë kushedi,
të djeshmen braktis, të tashmen jetoj,
të nesërmen pres në padituri.
 
Jam mbret i të sotmes, të ardhmen s’e di,
e Zotit i lutem në gjunjë, në vetmi,
jam mbreti që endet në galaktikat e tij,
si gurë tespije në dorë të tij rrotullohem,
pres të nesërmen me të sotmen të sinkronizohen,
pres një lajm, një figurë, një shenjë të më japë,
pres agimin e të nesërmes me sytë e mi ta shoh prapë,
jam mbret i të sotmes, të nesërmen nuk e di,
jetoj e shpresoj që e nesërmja të më vijë!?
 
 
BJESHKËT E NAMUNA
 
Ajo…
na hodhi me parashutë si diversantë anglezë,
në buzë të rrugës që gjarpëronte e humbte mes pyjesh,
poshtë oborri i shkollës së vjetër,
oshëtinte si një koshere bletësh e lënë në hije,
ndërsa ajo…
ngërdheshej nga maja e malit,
e na kërkonte t’u mësonim një gjuhë tjetër,
me legjenda kalorësish vikingë, keltësh e mbretërish,
t’u zgjonim ëndrrat Lulërve të Vocërr,
si xixëllonjat në muzg,
t’u ndriçonim errësirën, e t’i njomnim buzët,
me ujë të mbledhur nga një burim tjetër.
 
Atyre….
në qafë u varej një çantë prej lecke ngjyrë papirusi,
lahutë e ndryshkur që lëshonte tinguj simfonie,
ndër gishta që fluturonin midis telash të vjetër,
rridhte vaji i mijëra ëndrrave të fjetura ndër shekuj,
si në simfonitë Bethoviane,
çanta derdhte dertin e saj të vdekjes.
brënda një kothere e vjetër që ende merrte frymë,
një laps, një fletore, dhe një yll,
një shpresë që heshtëte e digjej në pritje,
të diversantëve me tjetër lëçitje.
 
Ato….
fytyrat e zbehta, të vyshkura që në lindje,
veshur me ngjyrë të përhime, stoli argjendi të vjetra,
në gropëzat e syve, mbanin dy gurë diamanti,
dy pupilat, fanarë deti në mbrëmje,
shikimet, ëndrra të pashkruara
në pentagramet e Bjeshkëve të Namuna,
rrinin të varura në dritë shprese.
 
Ne ….
me parashutë zbritëm,
të mblidhnim ëndrrat e braktisura,
si luledelet, në luginën e Bjeshkëve të Namuna,
të mblidhnim ato shikime të pafajshme
të shpirtrave të etur,
që klithnin pa pushim trishtimin,
që i brente e i treste në heshtje,
të zgjonim shpresën e përhumbur gjer në dhimbje,
e t’i ushqenim me aromën e polenit të gështenjave,
ne diversantët me kostum parashute,
t’u vishnim atyre kostumin e xixëllonjave.
 
Ne ….
ecnim çdo ditë bënim mijëra hapa,
në asfaltin e lagur, të ngrirë, e me baltë,
këmbët ndezur nga flluskat e ujit
gjenin parajsën,
kur mbështilleshin me leckë të ftohtë,
të lagur me ujë burimi të freskët.
Banesa e fjetjes, barrakë pupuliti,
mbuluar me tjegulla asbesti,
mezi mbahej në këmbë,
aty ish foleja e mbrëmjes,
për ne diversantët me dialekt tjetër,
burimi nga njomnim buzët Lulërit e Vocërr.
 
Sot…
çantën e kujtimeve,
flokë bore rënë mbi diskun e memories,
si kanguri e mbartim me vete në shpirt;
fytyrat sërisht na faniten në mëndje,
herë-herë xixëllonja që shndrisin në muzg,
herë-herë dallëndyshe në migrim.
Ëndërrojmë që një ditë,
kur të zgjohemi mëngjeseve me dritë,
të shikojmë ish-Lulërit e Vocërr,
të na përshëndesin nga parashuta në fluturim.
 
Botuar në gazetën “Muzgu” Tiranë 2015
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s