AH KUKULLA / Tregim nga Mark Simoni

Tregim nga Mark Simoni

 

AH KUKULLA

Ajo tashmë e dinte se në pallatin e saj ishin dymbëdhjetë vajza të vogla. Mbasi e kujtoi dhe një herë me saktësi numrin, i kërkoi shitëses dymbëdhjetë kukulla. Donte t’ua bënte dhuratë vogëlusheve. Dhe i deshi kukullat pak a shumë të njëllojta, nga që i erdhi në mendje vargu i njohur “Në këtë botë vetëm engjujt i ngjajnë njëri tjetrit”. Pasi i sistemoi në çantë të dymbëdhjetë kukullat, doli nga dyqani dhe u nis për në portin e trageteve.
Kthimin për në vendin e saj donte ta bënte ngadalë. Kishte dëshirë ta shijonte detin, ndaj mori tragetin e linjës më të gjatë.
Nëpër katet e tragetit kishte zhurmë e rrëmujë, njerëz që silleshin vërdallë. Vajza zgjodhi të shkonte drejt e në dhomën e saj. Sapo hyri nxori kukullat nga çanta dhe i shtriu mbi krevat. Fytyrat e kukullave iu duk se i njihte. Madje iu bë se kukullat u ngjanin voglusheve të pallatit të saj. Duke i kundruar një e nga një e me një farë malli, vajzën e zuri gjumi mes kukullave.
Jashtë, mbi det pati rënë nata. Poshtë krevatit të vajzës, madje fare poshtë qe deti i zi me heshtjen e thellë, e me gjithëfarë peshqish, që atje ndoshta dhe flinin. Ndërsa mbi det kupa e qiellit qe krejt e rëndë, si këmbanë kishe.
Në mëngjes, kur u zgjua, i përshëndeti kukullat si t’i kishte shoqe, krejt si vogëlushet e pallatit kur i gjente shkallëve, dhe ajo vraponte për në punë. I mori të dymbëdhjetë kukullat në krah dhe doli nga dhoma e u ngjit në verandën e tragetit. I rradhiti në një nga stolat, dhe nisi të fliste me to. I pyeste, bënte lojra, dhe kukullat qeshnin me zëra fëmijësh. Pastaj i vuri në parvazin e verandës dhe luajti gjatë me to. U këndoi këngët që pati kënduar në fëmijërinë e vet. Kukullat sikur duartrokitën dhe gëzuan me hare.
Befas, njëra kukull u anua pak, rrëshqiti dhe ra poshtë në det. Vajza thirri, zgjati dorën e u lut, por kukulla shkoi me ngulm poshtë, në fillim mbi valë, pastaj u zhduk në ujin e thellë e të zi. Vajza i mlodhi vrik të njembëdhjetë kukullat e tjera, i mori në krah dhe duke u dridhur vrapoi me to drejt dhomës së saj. Fytyrën e kukullës që ra në det iu bë se e njihte me të vërtetë. Ndjeu se i ngjante dikujt dhe qau me dënesë.

***
Sapo mbërriti në port kërkoi taksi, dhe me çantën me të njëmbëdhjetë kukullat e tjera u nis drejt qytetit të saj. Qau gjithë rrugës, duke sjellë nëpër mend se njëra nga vogëlushet e pallatit të saj do të mbetej pa kukull. Madje ajo filloi t’i numrojë dhe një herë nga e para, se mos vërtetë në pallatin e saj kishte njëmbëdhjetë dhe jo dymbëdhjetë vogëlushe. Por ngado që e sillte numërimin ato qenë sak dymbëdhjetë vajza të vogla.
Mbërriti. Në oborrin e pallatit kishte shumë njerëz. U trondit. Mbi kokat e njerëzve ishte ngritur një tymnajë e keqe. Nga gryka e zezë e hyrjes së pallatit doli diçka që s’e dallonte dot mirë, nga që e pengonte turma. Mes njërëzve u krijua një koridor, ku disa mbanin mbi supe një arkivol të vogël sa trupi i një fëmije. Vajza klithi. Arkivoli iu bë se ishte fare i vogël, sa trupi i një kukulle. Krejt përbrij dëgjoi përshpëritjen e një plake: “E shkreta. Kishte rënë në fund të detit dhe askush nuk mundi ta shpëtonte!”

***
Të nesërmen, mbi dheun e butë të varrit të vogëlushes, punonjësit e funeralit gjetën njëmbëdhjetë kukulla që qanin nën zë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s