EDHE UNË JAM NGA LUMA ( Mbresa nga takimi me poetin Agim Spahiu) / Nga: Nehat Jahiu

EDHE UNË JAM NGA LUMA

 

Nga:  Nehat Jahiu

Njëherë poeti i mirënjohur dhe vëllai i gjakut tim Agim Spahiu gjendej në shtëpinë time këtu në vendlindje, ku kishin lindur edhe të parët e mi, në Orizare, në vatrën time të bukur që ka aromën e djersës dhe gjakut të të parëve të mi që mbrojtën trojet tona stërgjyshërore. Pasi e njoha Agimin me familjen time qysh nga kjo ditë, ajo shtëpi ishte edhe familja e tij. Ndaj ai duhej ta ndjente veten si në shtëpinë të vet në Kolesjan ku kishte lindur ose në shtëpinë e tij në Kukës ku jetonte dhe vepronte.
Poeti Agimi Spahiu ishte një njeri i urtë, ishte një mësues dhe një pedagog shumë i mirë. E donte me shpirt arsimin , sepse gati tërë kohën ia kishte falur profesionit më të dashur dhe të shenjtë të mësuesisë. Rrëfimet për profesionin e tij, udhëtimet që kishte bërë me mijëra kilometra për të shkuar e për t`u kthyer nëpër shkolla ishin një rrugëtim i gjatë. Kontributi dhe kujtimet e tij të shumta që ruante për nxënësit dhe gjithçka tjetër për ato vende të malësisë së Kukësit i ruante me xhelozi dhe i kishte futur thellë në shpirtin e tij të një mësuesi dhe të një poeti. Kur ai rrëfente disa ngjarje, ato ishin aq të bukura për t`i dëgjuar, por ishin edhe shumë prekëse që të shponin shpirtin. Eh, sa e sa herë flokët e tij të mbuluara i ishin ngrirë nga ngrica e borës gjatë udhëtimit në ato vende malore të fshatrave të Kukësit për të arritur në shkollë, kur nxënësit i dilnin përpara për ta përqafuar mësuesin e tyre. Shpirti i poetit Agim Spahiu ishte i mbushur aq shumë me frymëzim kujtimesh sa që kur i derdhte me lapsin e tij në fletore të mahnitnin. Me të vërtetë ishte një krijues shumë i talentuar, por kishte edhe një shpirt poetik. Gjatë ditës ai i gdhendte vargjet e poezive të mia të librit që redaktonte dhe që bashkërisht e pagëzuam me titullin “ NA PRET MALLI QË NA TRETI”. Dora e tij i ngjante një skulptori në gdhendjen e vargut. Pas punës që bënte në redaktimin e një pjese të librit, pushonim nga pak në dhomën e punës, por kishte edhe raste kur dilnim në oborrin e shtëpisë dhe nëpër fshat për të bërë një shëtitje dhe për ta njohur poetin me fshatin e lindjes sime Orizaren. Si sot më kujtohet një mbrëmje e muajit shkurt të vitit 1993 kur unë së bashku me Agimin dolëm për të shëtitur në qendër të fshatit dhe mbi kokat tona kishin filluar të binin flluskat e bardha të borës. Kur ia lëshonim sytë bjeshkëve të Karadakut na dukej se rreshjet e borës atje ishin më të mëdha dhe kjo kuptohej se në bjeshkët e larta gjithnjë binte më tepër dëborë në çdo stinë të dimit, se sa në vendet fushore. Mbrëmjes kishte filluar t`ia merrte tani kohën nata dhe ne ashtu nën flluskat e asaj dëbore të bardhë e të butë si mëndafshi dalëngadalë duke biseduar ktheheshim në shtëpi nga shëtitja që bëmë në fshat. Dy vajzat dhe djemtë e mi që në atë kohë ishin pak më të rritur e disa pak më të vegjël sa nuk fluturonin nga gëzimi kur e shihnin xhaxhin Agim Spahiu me ne bashkërisht në shtëpinë tonë e ai sa mundte i përqafonte dhe i përkëdhelte me dashuri. Atë natë pasi kishim ngrënë darkë në sofrën e shtruar dhe kishim filluar të diskutonim me Agimin disa biseda që ai kujtonte për jetën e tij dhe më vonë do të fillonim të punonim në redaktimin e librit trokiti dikush në derën e dhomës, ku ishim vetëm unë dhe Agim Spahiu. U hap dera dhe pamë një burrë me një kapelë të trashë futur deri në thellësinë e kokës. Mbështjellur rreth kokës kishte edhe një shall. Në trup i varej një kapotë e trashë. Pas tij ishin edhe katër burra të tjerë. Ky që printe i pari ishte babai im Sejdi Jahiu, ndërsa pas tyre ishin vëllezërit e mi, Shabiu, Salimi, Refiku dhe Samiu. Vëllezërit e mi njiheshin me Agimin, se një mbrëmje më parë kishin ardhur për t`u takuar me Agimin, ndërsa takimi i babait tim me poetin Agim Spahiun ishte takimi i parë i kësaj mbrëmje shkurti të vitit 1993 ku përjashta derdhte fluska të bardha dëbora. Pasi u përshëndetën njëri me tjetrin u ulëm të gjithë në dhomë dhe menjëherë babai im tani i ndjerë m`u drejtua:
– O Nehat, po nga e kemi mikun?
Unë ia ktheva; A nuk po e njeh, – o babë?
-Më duket se e kam parë diku, o bir, – por për momentin nuk më kujtohet.
Atëherë unë ia ktheva përgjigjen: Jo babë! Këtë mik nuk e ke parë asnjëherë deri më tani.
A i fshiu sytë edhe njëherë dhe filloi ta shikojë në fytyrë sy e ballë Agimin dhe përsëri m`u drejtua mua ma fjalët.
– More, Nehat më trego drejt! Kush është se unë e njoh, por për momentin nuk më kujtohet emri i tij?
Të gjithë të tjerët i kishte kapluar heshtja dhe me vëmendje përcillnin pyetjet e babai tim Sejdiut dhe përgjigjet e mia që ia ktheja.
Së fundmi e binda babain, se me të vërtetë asnjëherë më parë – nuk e kishte takuar mikun tim Agim Spahiu dhe ky ishte takimi i parë me atë në këtë mbrëmje.
Atëherë iu drejtua Agimit.
– Po nga të kemi, o djalë?
– Unë jam një mik i Nehatit, o axhë ia ktheu Agimi përgjigjen babait.
– Po prej nga të kemi?
– Unë jam nga Kukësi? Jam nga Krahina e Lumës.
Babai u habit….
– Nga Luma je?
Po axhë, mu nga Krahina e Lumës jam.
Atëherë babai me atë trup të gjatë dhe paksa të kërrusur nga mosha u ngrit në këmbë dhe u drejtua nga Agimi Spahiu. Ia hodhi dy duart mbi supe dhe e përqafoi me mall.
Filluan t`i pikojnë nga sytë pika lotësh dhe i thoshte:
Po qenkemi të një gjaku, sepse edhe unë jam lumjan. Po, po edhe unë jam nga Luma. Që të dy jemi nga Luma dhe jemi të një gjaku.
Përqafimi nisi edhe njëherë mes babait tim dhe Agim Spahiut. Të gjithë mbetëm të shtangur! Ne filluan të na ridhnin lot malli e lot dashurie nga sytë.
 
TË KUJTOJ ME MALL
(Poetit dhe mikut tim Agim Spahiu)
 
Bora dhe akulli u shkri
vargu yt shpërtheu n’poezi ,
Drini zi e Drini Bardhë
shumë kohë na kishin ndarë.
Të kujtoj me mall ty unë
s’të harroj o mik kurrë,
s’ti harroj netët pa gjumë
deri natën vonë ti dhe unë
mbi brenga, mbi varg.
U çmallëm nën lot me shikime
më dhe një fjalë the do të vij,
s’do të na ndalin dhe do t’ishkelim stuhitë
një trung një gjak Orizarja e ujë lumi.
Eh takimi i parë takim me lot
vargu i dhembjes o vëlla na bashkoi,
tani fjalë zemre të them më shumë
eh për ëndrrat tona të bëra shkrumb.
Heu mik o mik n’kujtesë më mbetet
kur më thoje – vëllai për vëlla tretet,
një, nga deti në mal, një, jemi ne
kurrë s’do t`i harroj dhembjet që m`i le.
 
Orizare, shkurt 1993
Nehat Jahiu
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s