Poezi nga Iliaz Bobaj

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

TUFA E LULEVE

Tufa e freskët që të dërgova për urim,
po fishket dalngadalë.
Nëpër dejet e luleve,
po hyn qetësisht i ftohti.
Petalet bien një nga një si pika loti.
Ti nuk e preke as me vështrimin tënd,
thjesht për kotësinë e fjalës,
të lehtë si fija e thatë e barit.
Nxitimi të mori tatëpjetë,
si gurin shpatija e malit.
Lulet e humbën në heshtje hijeshinë
dhe aromën ia bënë mungesës sate dhuratë,
tani janë përkulur dhe kanë ngrirë,
si një çengel i thatë,
ku varet humbja e dashurisë sonë të pastër.
Ndërsa ne jemi ngujuar në kështjellat tona,
me mure fjalësh,
ku hyjnë e dalin korierë me thashetheme,
që na tjetërsojnë tek njëri – tjetri,
duke na sjellë lajme të rreme.
Ndërkaq, ti mbetesh lulëria e pranverës sime,
ku fluturat e dlira të buzëqeshjeve të tua,
flatrojnë ëmbëlsisht.
Fjala më plagos drejtpërdrejt,
heshtja më vret tinëzisht.

 

ESKORTA E BESËS

Tridhjetë e pesë trima të zgjedhur,
tek porta e kalasë qëndronin,
nga Tepelena, në Turqi,
do shoqëronin Xhorxh Bajronin.

Me burrëri e matnin veten,
ndaj po t’u vije në provë besën,
të tridhjetë e pestë, në një çast,
të parën gjë, të jipnin jetën.

Ishin bashkë, ata si lisat,
sa madhështorë, aq dhe të heshtur,
ai mes tyre si lëndinë,
edhe i mbrojtur, edhe i qeshur.

Nëpër shtëpitë si zgjoje bletësh,
në prag të portave prej guri,
e ftojnë, e përshëndesin mikun,
sikur ta njihnin prej qëkuri.

– Këtu çdo vatër, – mendon lordi, –
ka aq mikpritje e bujari,
sa unë anglezi Xhorxh Bajron,
s’e gjeta dot në gjithë Anglinë.

E ndjek vështrimi i ndonjë vajze,
të ndrojtur si zanë e zabelit,
fytyrën e tij engjëllore,
si virgjëreshë e Rafaelit.

Tek port’ e buzëve të tij,
ia thoshte këngës poezia,
mbi çdo tipar e mbi çdo krelë,
i lulëzonte bukuria.

Trokojnë kuajt anë Vjosës,
përmbi kalldrëm me luspa guri,
katundeve në brinjë të malit,
rreh heshtjen një gjëmim tamburi.

– Atje ! Atje ! – thërret Bajroni
dhe lidhur i mbetet vështrimi,
si një që pret të shohë çudinë:
– Më shpini atje, tek gjëmimi !

Ajo që pa qe tej çudisë,
e zbritur mrekullisht në shesh,
një rit i vjetër, kushtrim lufte,
një valle që të ngrinte peshë.

Si të kish mbrritur në legjendë,
anglezi i mahnitur rri,
ata kërcejnë si erë e lehtë,
ai nis shkruan: ”Tamburxhi…”

Gjëmimi i këmbëve tërmet,
tund si purtekë malet e larta,
toka e rëndë dridhet si fletë,
poeti hedh vargje të arta…

Gjithë natën i tremburi gjumë,
nuk shkoi t’i ulej mbi qerpikë,
shpirti i poetit rrodhi lumë,
për trimat legjendarë, epikë.

E ndërsa koha ndiqte kohën
e rruga zgjatej drejt Greqie,
ai stoliste ”Çajld Haroldin”,
me xhevahirë Shqipërie.

Rruguan ditë e netë Greqisë
dhe shkelën kontinentin tjetër,
tek Porta e Perandorisë,
u ndanë me të si miq të vjetër.

Ndërsa lanë trevat e Turqisë
dhe ikja u ngushtonte krahët,
Bajroni ndjente ç’kuptim kish,
të ishe mik për shqipëtarët.

Ndaj tha me vete i menduar,
teksa po ndahej prej eskortës:
– Me këta njerëz kaq fisnikë,
mund të shkosh gjer në fund të botës.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s