Pesë këngë baritore – Safo / Shqipëroi: Vasil Çuklla

Safo
(Pesë këngë baritore)

1.

Afërditë e Pavdekshme, gjoksi me bizhu
e Zeusit, lozonjare bijë, të përgjërohem
mos më lodh më, me lodërzat e tu
derteve dhe anktheve t’a dish, ju largohem.

Dëgjomë si aherë, në pallatet e Tij
të thërisja që poshtë, të kërkoja e marra
dhe e lije babanë dhe thoshja do të vij
dhe zbrisje dhe vije tokës mbjellur fara.

Pajtonin e artë, zogj të shpejtë e ngisnin
Ah si flatëronin të bukurit shpend
si rendnin ajrisë dhe këtu të sillnin
kafshit bëhej shtati, i qiellit, njimend.

Sy të hareshëm, buzët gjithë të qeshur
fytyrës shenjtëruar, e pavdekshmja zonjë.
Sy edhe buzë gjithë më pyesin heshtur
çfarë kam që bërtas, vallë çfarë më mundon

çkërkon zemra ime që m’është marruar?
“Për ty, kë t’i kërkoj erinisë Pitho?!”
Nga prehëri yt, kush vallë ka munguar
Kush të ka zhgënjyer, bija ime, Sapfo?

Qetohu e dashur, në të la në heshti
dhuratat pafund, të tuat, përçmon
dhe në thotë se kurrë ajo nuk të deshi
do të vijë, dashuruar do të të falet gjithmonë.”

Eja pranë meje, o torturë mendimesh
më jep ç’ka unë dëshiroj.
M’u bëj aleate, çliromë tundimesh
nga brerrjet e shpirtit të mund, të shpëtoj.

2.

Perëndi ngjason rioshi trim
që rri bri teje dhe dëgjon me vëmendje
buzëqeshjen e valë, mërmërimë
fjalë-ëmbëlën tënde.

Ju vështroj dhe zemra copash më bëhet
rrethqafën m’a shtrëngon një kular
mbytem, më ngjan se zëri më shuhet
dalë – ngadalë.

Gjuhë më nuk kam. Mbaroj, u meka!
Brenda meje zjarr. Digjem n’agoni
Syve të mi, ju vodh drita. U treta!
Rrekem në verbëri!

Veshët më gjëmojnë, marrur mendsh dridhem,
Djersij, si të lashtat e brishta, jeshiloj pikur
Nëse s’vdes tani, ajrisë do të kridhem
shpirtfikur.

Por i varfëri, hovet e urisë
të ketë të guxojë […

3.

Të tjerë thonë, se këmbsoria
marina, kalorësia
zbukurojnë mjeranen jetë.
Por unë them, se më e mirë
është gjithmonë një dëshirë
që çdo kush ka dëshiruar, me vërtetë.

Eshtë e thjeshtë, ju them me zemër
pa shikoni atë femër
Helen-nuren, që për Parin përvëlohej
Se vërtet qe djalë me emër
kishte nur e kishte shemër
dhe kujtoj se ish e drejtë të dashurohej.

Shkoj dhe Troja e nderuar
mes gërmadhash e rrënuar
etër, bij edhe fëmij shih si braktis.
Derisa ka dashuruar
ndoshta dhe është marruar
dhe nuk di në ç’hone-varri u gremis!

Zemra e femrës llahtarruar
e ka lehtë për të ngatërruar
gjithë sa saktë në jetë nuk çmoj…
Anaktori, e ëmbël vragë
tani që më je shumë larg
nga ty – thuam vallë çfarë të kujtoj?!

Vetëm sytë të të hedh vrik
atij trupi erotik
dhe fytyrës larë hëne. Të kujtoj!
Armatimet e Azisë
do t’ja falja natës pisë
veç të isha prap me ty. Nuk të haroj!

Përfundimi, si gjithmonë
thotë: atë çka dëshiron
s’mund t’a ketë çdokush nga herë […

4.

Kur hëna del, mbesin në errësirë
yjet një nga një, të natës së mirë…
Nëse nis e mbushet, ndritohet gjithë vendi
dhe botën e lan, në ngjyrë argjendi.

5.

Përreth rrjedhin ujërat. Fjollë
dhe era, aty, përmbi mollë
si zog mes gjethnajës ligjëron pikët…
Heshtaz gjethnaja fillon pëshpërit
fjalëfshehta, të brishta e larë në dritë
dhe diç ëmbëlane, e bukur i bie të fikët!

 

Shqipëroi: Vasil Çuklla

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s