Poezi nga Rexhep Hoti

Poezi nga Rexhep Hoti

 

Me lëkurën e shpirtit më bie kujtimi

Fjalët i kam mihur gjithmonë me dheun e shkriftë,
Pa çka se liria e qytetërimit më bëri nomad;
Rendin me shat e kryeja i pari në Rrasa,
Djersa më pikonte në ngjyrën e tharë të shkronjave
Dhe nëpër lakesat e tyre më rridhte kuptimi si vadë.

Tash rrallë ik tek ai vend;
Stinët e jetës e kanë vendlindjen aty;
O, s’dua të fryjë nëpër fushën time erë trishtimi;
Malli më ndjek nga pas si një lypsar;
E dhimbja e kohës i zgjat duart e çara,
Tok me lëkurën e shpirtit më bie kujtimi.

Kthehem të ta dëgjoj zërin te Kalaja e Prizrenit;
Atje te Lidhja është Shkëmbi im;
Ah, si kërciste në Urën e Gurit taka jote;
Ma vriste zemrën në shenjë te Rrapi;
E ti më puthje me britma
Gjersa bie me gjoks përmbi!

 

Ngjyra e tingujve në dëborë

Unë jam rritur me pamjen e dimrit,
Me shtëllunga dëbore duke rënë;
Me zogj nëpër drunjtë me kristale,
Pranë shtëpisë mullarët me sanë!

Gjatë nuk kam vajtur tek ai vend
Po malli s’më ka braktisur kurrë!
S’ka breg në fshat ku s’kam qenë,
Të rrëshqisja i hedhur me aq turr!

Fëmijëria ime ishte si stinët e jetës,
Shoqe e shokë me ngjyra pafund;
Ah, s’di në sa shtete janë degdisur,
Atëherë e gjithmonë i dua aq shumë!

Nuk mund t’i takoj të gjithë e di;
Fëmijëria shtegton me ligje të veta;
Sa herë kthehem me kujtime atje,
Shpirti me gaz u thotë: Tungjatjeta!

Gjatë i shoh pikturat e fshatit me borë,
Prej zjarrit të shpirtit më bie pena;
Atëherë i dëgjoj ngjyrat e tingujve,
Tek më shfaqet Filharmonia nga Vjena!

 

Ankthi ballkanik (1998)

1.
Kam qenë në ankth gjithë kohën,
Mos barbarët do të shfaqen diku në kufij.
Pa e ditur në jam zgjuar apo ëndërr,
E kam grisur njëmijë herë këtë poezi.

2.
Gadishulli i etshëm për bukuri,
Mblodhi pa numër raca e popuj.
Për të mos mbetur e mërzitshme rrëmuja,
Gënjeshtra e ardhacakëve rrëfehej në shekuj.

3.
Barbarët nuk vijnë, thotë ai me dëshpërim.
Një zgjidhje ardhja e tyre ishte gjithsesi.
Europa e mahnitur nga Kavasisi,
Nxori prej tempulli barbarët si shpëtim!?

4.
Masakra filloi bashkë me vikendin.
Ndërkaq Bota ndodhej e tëra në pushim.
Dëbimi qe mbështjell me mjegull.
Në gadishull ka vetëm të diela. S’ka informim.

5.
Pas çdo terrori rishfaqen burrat shtetërorë.
Bursa Politike nëpër monitorë s’kënaq.
Dhunimi i viseve duhej të mbetej i trullosur ende
Për t’u gatuar në Ballkanin e trazuar një kulaç?

6.
S’mund të besoj në zgjidhjen kavasisiane,
Sado që te ti poet këtë mundësi e kam parë.
Natyrisht, s’mund ta di a ke menduar ndonjëherë,
Për të mbijetuar Foshnjat e skipetarëve duhet vrarë?!

 

Ekzekuto kujtimet në puthjen e fundit

Nuk të ndahen ngricat e marsit,
Të ndjekë ajo bandë e kokërrimët pa u ndalë;
Shtreza të kërcënon të mos e zhveshësh ti belin,
Prej shpirtit koçan s’më del asnjë fjalë.

Mërzia është blinduar në veshjen e prillit;
Shkundja e plakave është larg për të ikur,
Koha do ta zhvesh veç në fundin e majit
Gjoksi yt bën Diellin të duket i përhitur.

Eja ta ndajmë së bashku ftohtësinë e territ,
Me prekjen time e zhduk thellimin e acartë,
Verëza s’i ndjen mëdyshjet që i sjellë stina,
Dita agon me lëndime, e mavijosur, e përçartë!

Gjersa ikën prej meje për në kohën tënde,
Mos guxo të marrësh me vete asnjë mendim;
Kujtimet i ekzekuto në puthjen e fundit, zemër!
Të ardhmen s’ke përse ta jetosh me trishtim.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s

%d bloggers like this: