Poezi nga Bilall Maliqi
PRITJEN MA DËFTUAN MUZAT
(Mbrëmë) ia shkeve perden natës
Për ta grimcuar errësirën
Matanë kujtesës së zgjuar
Përmes një gërfyelli
Më gjete ulur në një kthinë të ëndrrës
Pritjen ma dëftuan muzat
Brenda vargut të pasosur për Ty
(Se) dritën e parë të agimit
Do ta zbardhin ata sy
Për të lumnuarën dashuri…
MOS MË DIL PËRPARA (MËRZI)
Mos më dil përpara mërzi
Mos më dil…
S’ke vend
Në timin shpirt të lodhur
Ik si një fluturake e zezë
Në të qiellit kaltëri
Lidhu me hidhërimin
Pas reve të zeza
Dhe ngrihu në ngrehinë pikëllimi
As (Ti)…
Shkaktar i mërzisë
Përpara mos më dil (kurrë)
S’e të groposi
Si mbeturinë në gropën e harrimit.
S’TREMBEMI DOT
I
S’më trembën (as sot) hijet e zeza
Që lodronin mbi kreshtën time
Hije me surrat korbi
(E) me oshëtima trishtuese
II
As sot s’u trembën heshtakët urtakë
Veç me sy shqiponje
I vështronin vallet e tyre satanike
Jo… s’trembemi dot
(Se) frikën
Moti e ka përpirë xingona e errët.
U KRY NJË SHFAQJE
U kry edhe një shfaqje e zezë
Në hapësirën e qiellit kaltërosh
Zhurma shurdhoi ajrin
Ca re të zeza rrëmbimshëm
Përpinë edhe dritën
U kry edhe një spektakël
Përmbi kreshta të hijeve heshtake
(E) në shpinë të epilogut
Tymi vizatoi udhën e kthimit…
MYSAFIR NË TONËN SHTËPI
S’jetohet (më) me shpresë
As me ëndërr të Fatit
N’sy korbi shihet trishtimi
Në të zezën erë
Përkundet përdit pikëllimi
Hej…qenqe nuk jetohet
Jo, s’jetohet më qenqe
Si mysafir në tonën shtëpi
Me gëzime të thyera
E me frikë të futur në gji,,,