Poezi nga Eliverta Kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

TESTAMENT

Kur të vdes s’dua varr të mermertë
Mbulomë me guvertë të butë prej bari
Me vesë të më lajë mëkatet Zoti
Kur shpirtin për në qiell të ma marri!

Mos më mbill pranë një qiparisi
Më ka mundur hijeshia e tij për së gjalli
Heshtja e tij melankolike më lodh
S’duroj të më bëjë isharet as te varri.

Mos më ngri përmendore se s’më duhet
Veç një pemë ku fëshfërijnë ca gjethe
Të më mbajë me hakikat për ty
Të më rrëfejë nga lart, erdhe a s’erdhe…

Mos më mbaj fjalime tërkuzë pa shije
Që të gjithë i dinë e i thonë në kor
Ngjyeji fjalët me nostalgjinë e kujtimeve të bukura
Nëse s’je, mos tento të mallëngjehesh me zor.

Nëse s’i bën njerëzit të ndajnë dhimbjen me ty
Të paktën prej tyre mos ndihesh tallur dhe bosh
Ndryshe nuk më duhen funeralët fallco
Në vend të njerëzve më sill një tufë zogjsh.

Një pemë me zogj më duhet mbi vete
Të përgjoj kur për qiellin rrëfehen ciu-ciu
Të marr vesh si duhen e ç’duhen zogjtë
Ndoshta kuptoj të ngjashmen tek njeriu.

Të kem prej zogu dua, krahët, shtegtimin, qiellin
Një jetë të dytë të kem, ta këndoj si një zog
Me pafajsinë e tij përqark ti bie botës
Për gjithçka që si njeri s’e bëra dot.

Nëse më parë nga mua, të mund ty vdekja
Mos prit, as mos kërko të jem në funeral
Unë s’jam aq e zonja të të dua të vdekur
Kaq shumë sa të dua të gjallë!

 

E DIELË SHTËPIAKE

Vajza lexon horoskopin me zë të lartë dhe pulit sytë çuditshëm
Edhe më i çuditshëm falli me letra që po hedh
Një thua thyhet ia shëmton duart e bukura Ç’tmerr!
Mendja e shpirti i fryjnë për të nesërmen
Aty është e kushedi nga merr…
Nëna trazon supën në aneks, lan ca mollë e i vë mbi tryezë
Cek me sy e duar, gjithkënd e gjithçka rrotull
Nxjerr e fut kokën në dritare, gjithë merak
Të shohë motin se nuk është e sigurtë
Nëse duhet ti nderë rrobat jashtë…
Gjyshi ankohet për ftohmën e vjetër që i sëmbon mes shpatullave
Për përdhesin që gjunjët ia kafshon e lëpin sipas vaktit
Për pensionin që nuk i del as për gazepet e ditës
Duke ndjekur lajmet harrohet me gjithë dhimbje
Nuk harron edhe një nëmje për politikën
Pa lidhje
Pa zgjidhje…
Babai turfullon për harxhet që shtohen përditë
Për shportën që vjen e rrudhet si folezë zogu
Përplas në sirtar faturat, librezat
Do të grindet por s’di kujt tia vërë gishtin
Ç’të lerë, ç’të heqë, ushqimet a veshjet?
Nervoz kafshon buzën, kruan hundët
Me kë të ndeshet?
Djali me kufje në vesh tund miratues kokën
Dakort me të gjithë e askujt s’i vë veshin
Ndërsa me laptopin në prehër “punon” projektin
Fantastike kjo këngë hit që dëgjon gjithë kohën
E mbytën sakrificat “për shkollën” të shkretin…
Mbesa rrotullohet gëzueshëm
Ulet e ngrihet në prehërin e të gjithëve
Përplas doçkat, këndon e qesh lum ajo për vete
Pengohet, bie, ngrihet e prapë vazhdon:
Macja le të lahet, prapë do të thahet…

 

NË MARS NISIN FLIRTET

Në mars nisin flirtet
Fër fër, fër fër
Fillojnë si pa dashje 
Kujdes nga vajzat!
Përcëllojnë me sy
Shkundin tundin tulet, lulet
Kur fryjnë baluket, buzët
U bu bu, u bu bu…
Kujdes nga djemtë!
Marrosen në mars fare
Shkumë shampanje
Rrjedhin nga qejfi
Limfëngjeshur nga gjethi
Të ngjethin…
Bie erë dashurie marsi
Deh e trullos flirtonjësit
Fër fër, fër fër
Fletë librash e fletoresh fëshfërijnë
Nga citatet për dashurinë
Fap e fup, fup e fap
Fërgëllojnë xixëllonjat
Apati e dimrit mbetet pas
Flirto edhe ti, ç’pret?
Xixën tënde ndiqe pas
Mos vono, se të nget lemza
Të kujton, zë e të pret
Fibrilacion i pëson zemra
Zu zu zu, zukatja e bletëve
Mjaltë në gishtat e njerëzve
Lëpihen gjuhëlëmpjetat
Flirt i ëmbël mirësetëgjeta!
Qielli i Marsit nuk u del poetëve
Kur vargjet u ngjizen shpirtit
Janë ato që ndezin zjarre
Rrëzë gardhit, pyllit, malit, nëpër ara
Muza, shkarpa mbledh e djeg
Flirti flirton nga e para…
Në mars
Mos ia bëni qejfin gjumit
Merrni dikë përkrah dhe mbathjani
Ndiqni shtegun anës lumit
Ose aty, përtej murit…
Fër fër, fër fër
Fustan e flutura
Marsi flirt nis tek e bukura
Ju kujtohet një ftujake vjeshtë lehonë?
Lojti e qeshi me shpirt u dha, si e marrë
Një flirt marsi filloi
Iu bë barrë…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s