Poezi nga (Hamdi) ErjonMuça
Hëna Ditën
Hëna ditën duket si e hutuar,
seç bën ca andërra të çuditëshme,
kur bota e zhurmëshme është zgjuar;
andrron sy hapur urrejtjen që mbledhin
kallijtë e misrti që rriten kokëposhtë,
herë këndojnë himnet e tyre në lartësi,
e herë shkrehin mllefin e mbledhur
në brendësi…
Hana nuk kupton, mundohet të
kapë fillin që lidh e streson gjitarët;
në vend që ta shkatërrojë lëmshin,
më keq veten, në këtë tanatos që rritet,
ngatërron!
Natën, me sytë e vet të mëdhej sheh
se si shkurret rriten poshtë lisave, e ma
poshtë, bari shtron me butësi tokën;
gjithçka sheh natën, jeton në qetësi.
Vetëm ditën ngatërrohet pamja; në
botën e zhurmëshme, askush nuk
don të jetë shkurre a bar, të gjithë
lisa, a qiparisa; të gjithë duan të ngrihen lartë
aq sa qiellit ia nxjerrin sytë me majuca…
Impresion
Malit, i kujtohet si të ishte dje-
eh si janë kujtime, të nguliten në të gjitha
qelizat e me jetë udhëtojnë me ty- kur
sapo qe shfaqur mbi koren e eshkur
të tokës, një krijesë e zezë, kërrcënuese
iu afrua ngadalë, mbi krye.
U drodh rioshi mal, edhe grimcat
më të papërfillshme e ndjenë ankthin
që zemrën i drodhi, por ja që ajo krijesë
me dashuri e mbështolli, nja dy ap tre
vetëtima, pasi bubulliu ethshëm, i shkarkoi
mbi trupin e tij, e më pas, me përkushtimin
e një të dashure, etjen e tij shoi.
E ja edhe tani malit plak i afrohet
një tjetër re, pasardhësja e asaj që
me tmerr lindej e tij mbi dhé shoqëroi,
nuk lëviz dot, por çdo vel pluhuri me drithma
pret përqafimin e krijesës së asaj,
që lëkurën e djegur të një sapo të lindur,
me bekimin e ujit mbuloi.
Edhe një herë për Detin
Eh sa andërra mbledh ky det
përgjatë netëve,
E me të çel dielli
ato avullojnë
duke krijuar një mjegull gri
në horizont…
Ndonjë herë andërrat janë të rënda,
të zymëta, si të dala prej ferri,
në ato ditë nuk ngrihen lart,
por deti i përthith nën të,
përplaset me dallgë të furishme,
e me ngjyrime prej terri…
E ndonjë herë duket sikur ai
i përthith andërrta,
ndonëse ato janë të lehta.
E në ato ditë ka ngjyrë të kristaltë,
pëshpërima dallgësh ledhatare
me përplasje bregore,
të qeta…
Eh sa i duruar është ky det!
I mbart andërrat e njerëzorëve,
i ka mbartur që kurë smbahet mend.
Ndonëse herë-herë i kushtëzojnë humorin,
ai nuk i braktis si të pjella ilegjitime,
për çdo andërr të thurur dhe harruar,
ka vend…