Jam Rozafë / Poezi nga Elida Rusta


 

 

Jam Rozafë
 
Dy herë në ditë ta shoh kalanë,
dhimbjen ta mas
me okën téme.
E di se nuk flen,
s’të len vaji i djalit që mbet’ unshëm.
Të shoh kah mbush ujë n’bolierë,
ndij si dridhen krojet
prej pulpës s’kamve tueja t’bukura
që vrapojnë me shkue
te pengu.
Piskama jote
m’kndon në gjoks,
e shkund femnën mrenda meje.
Ngjitem në ujvarën që pikon qumësht,
ndeshem me kunetnit e tu,
ta urrej burrin,
djallin me brina prej pushi
e thonj t’gjakosun,
që e lshoj ndër xhind kaprollin
e nuk e la me pi gji náne.
Ah,kodi moralit,
që rëndon mbi skeletin e bardhë,
ma zbut idhnimin
a ma prish shpirtin?!
Nuk e di!!
Lot si t’mitë
nuk mujn me thanë t’vërtetën,
sall t’i numërojnë varrët
me t’rrahuna çekiçësh
se s’kisha lan pa i ra brinit,
kur shkove me nënshkrue robninë.
Tash qaj vedin,
që asnji ándërr nuk e çova
fillim e mbarim deri n’fund,
qaj ty,
qaj t’nximen tonë n’zemër,
Hiqem zvarrë
me nji strajcë të shpueme shprese n’shpinë,
shoh gra me lëkurë t’butë
e sjellje t’amla,
që e ruejnë besën
po fundin e kanë t’njëjtë si ti,
amazona që s’duen veç me kén
por edhe me ekzistue.
Asgja s’mbet’ rrazë mureve tueja moj fatcube!
Jam femën dhe unë e dridhem frike,
prej çasti n’çast,
munden me m’nis me i çue bukë
tém shoqi e dy kunetënve.
Prek gjinjtë e tutna,
njeni mundet me kén nesër n’mur.
Nisem nëpër frikën e madhe,
me vakte n’dorë.
Tre vllazën që mshefin vdekjen
si “burra”
mirseardhjen më urojnë.
Ndihem Rozafë në besëprerje,
e vjetra vuen dyfish
…dikush prap’ e futi vdekjen në kala.
A e lexove Ajkunën Rozafë?
Britmat e saj mos mundsh me i kuptue
bane me dit që po i ndigjon.
Ajo çohet n’nadje me i fal të tán,
tuj shpresue se sot ka me kén má mirë.
E ka fshi djersën e piskamës
për gjoks te unë
se i kam do vjet
që kam mbetë vetëm,
veç mos me i premtue kujt rrena.
T’rroku vajzë!
Kisha dasht’ me ja prish magjinë
gjithkujt që s’din me t’ruejt ,
ordekunve
që s’deshtën me pa kah rritet lisi yt i tamlit.
Me ndërtue nji kala
me themele n’shpirtna t’paqtë
kisha dasht’…
 
 
 
Elida Rusta
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s