Vajet e shiut të Din Mehmetit / Përgatiti: Kolec P. Traboini

DIN MEHMETI
1929- 11 nëntor 2010
KOSOVË
 
Din Mehmeti na ka dhënë
edhe zogun edhe qiellin,
gjithçka që i duhet këngëve të pranverës.
 
Tek lexojmë poezitë e Din Mehmetit ndjejmë se përveç së përditshmërisë se jetës që e shqetëson njeriun dhe e bën ti rrah zemra për popullin e vet, ka edhe një qasje e perceptim tjetër të botës që na rrethon e që herë-herë na zë frymën, një hapësire e dimension tjetër që na bën jetën me të lehtë e më të bukur, që na bën të pandehim veten si zog e të kërkojmë qiej për të fluturuar. Në të vërtetë Poeti na ka dhënë edhe zogun edhe qiellin, mjafton që të rrahim krahët e të rrekemi nëpër kaltërsitë marramendëse të qiellnajës poetike te Din Mehmetit.
 
Kolec P. Traboini
 
____________ ____________
 
 
“Vajet e shiut”
 
 
GJITHNJË MË LARG VETES
 
Gjithnjë më larg vetes
Më i përakullt
 
Fjalët s’ më rrinë në gjuhë
Në letër s’rrezatojnë
 
Ikin të ndërkryera e më lënë
Hambar të boshatisur
 
Gjithnjë e më shumë
Po më tërheq zvarrë vetmia
 
Nepër një pyll të mërdhirë
Pa asnjë zog
 
Nëpër qiell të thinjur
Pa asnjë yll
 
Gjithnjë më i përhumbur
Me hiq.
 
 
 
ARTI I RI I VDEKJES
 
Në botë ka festë
Ngritën zbresin
Flamuj të bardhë
 
Ushtrohet arti i ri i vdekjes
Vdekjes pa dhimbje
Pa lot pa klithje
 
Askush s’ka
Ku të fshihet
Nga vetvetja.
 
 
 
VETMIA IME E SHKALLUAR
 
Mbi kokat tona të përdyllura
Mullinj të tërbuar bluajnë
 
Toka varrezë kolektive yjesh
Në qiell vriten mes veti rrufetë
 
Rrugët pështymë e zezë
Shpresat mizorisht japi shpirt
 
Vetmia ime e shkalluar.
 
Maj, 1999.
 
 
 
GJAKU I DRITËS
 
As vet s’e di ku po shkoj
Në këtë natë që ulërin
 
Rrugët më çojnë zjarrishtave të mendimeve
E më kthejnë në hiçin tim të moçëm
 
Tash e di se humbjet
Nuk janë krejt humbje
As fitoret krejt fitore
As unë krejt unë
 
As vet s’e di ku po e thyej qafën
Në këtë natë më të zezë se korbi
 
Rrugët më çojnë në varrezat e shpresave
Ku pëlciti edhe shkëmbi
 
E më kthejnë atje ku shkelet gjaku i dritës.
 
Gjakovë, 28.03.2010.
 
 
 
JETA JONË KOLLITJE
 
Kur flas me mikun tim
Në telefon ia përcjell
Fjalët duke u kollitur
 
Duke u kollitur
Më përgjigjet edhe ai
 
Telefoni mezi merr frymë
I fshin djersët
Edhe ai kollitet
 
Qielli ngjyrë hiri
Toka në buzë të dimrit
 
Jeta jonë kollitje …
 
 
 
UNË DHE FJALËT
 
Herët fillova t’i bluaja
Fjalët e mia
E prej tyre të bëja hi
 
Rrugës vdisnin nga pagjakësia
E m’i braktisnin ëndrrat
Për një botë tjetër
 
Nuk gjenin dalje nga terri
As urë për të kaluar lumin e gjakut
As gacë në hi për ta ndezur zjarrin e jetës
 
Fat e pata të më gërryente nata
Si qeni i uritur eshtrat
 
Herët nisa t’i digjja fjalët e mia
E më flakën e tyre të shkruaja
Emrin tim në fletën e kaltër të qiellit
Të mos vdesin shpresat.
 
Gjakovë, 2010.
 
 
 
PAMJE E TRISHTË
 
Qielli saç i nxirë
Toka pa ngjyrë
 
Mezi marr frymë
Ditët po ngrijnë
 
Frikë …
 
 
 
EMRAT PA NGJYRË
 
Ëndrrat e fjalëve digjen
Xhepat e mendimeve ngrijnë
 
Emra pa ngjyrë.
 
 
 
KUR VETËM ISHA
 
Një natë kur vetëm isha
Ndjeva një gërryerje në dhomë
 
U ngrita e shikova në çdo skutë
Rreth dritareve nën shkallë kudo.
 
 
 
Kot asgjë
 
U shtriva në krevat
E fillova të mendoja
Kur papritmas përsëri zhurma
E gërryerjes edhe më e fuqishme
 
U enda nëpër dhomë si i çmendur
Derisa më në fund e kuptova
Se gërryente vetmia
Si qen i zi eshtrat e gjuajtura në rrugë.
 
 
 
IKJE NGA VETJA
 
Shikime të gjarpërinjtë
Fytyra të akullta të përbishura
Buzëqeshje të egra
Dashuri të ftohta
Pa ngjyrë pa zjarr gjak
Urrejtje të zgjuara te secili
Ikje e vetes nga vetja.
 
 
 
ASKUSH S’ DI CILI ËSHTË
 
Mendimet janë kthyer përmbys
Dhe vdesin mjerisht
 
Në Sheshin e Hyjnive
Dashuria vetëvritet
Pa lot pa klithmë
 
Njeriu tek njeriu
E sheh terrin e dritën e vet
Dhe nga vetvetja ik
 
Askush s’e pranon
Se është ai që është
 
Varrezat e mendimit
Po shtohen çdo ditë …
 
Gjakovë, Mars, 2009.
 
 
 
MEDITIM I VERDHË
 
Shtëpia ime buzë rrugës kryesore
Natë vetëm në ballkon
Veturat shkojnë e vijnë
Me shpejtësi marramendëse
Njëra m’i merr duart
Tjetra këmbët
Pastaj mendimet gëzimet
E më lënë një zhurmë të egër
Që vdes shpejt
Nata derdhet ngadalë në gjumë
Ndërsa unë pres të më kthehen
Pjesët e marra
E në pritje tjetërsohem
E shikoj veten në pasqyrë
Tmerr ik nga vetja
 
 
 
Përgatiti: Kolec Traboini
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s