Viti 75′ / Tregim nga Sabina Darova

Viti 75′

 

Tregim nga Sabina Darova

Tre janë goditjet mbi mur: një, dy, tre… Tre goditje koke të prera si me thikë, të forta, të vendosura, të ngjeshura plot dëshirë pas muri dhe gjaku rubin që  rrëshqet curril po mbi atë  faqe muri që çliron nga poret ende erën e gëlqeres së freskët. Era e gjakut dhe e gëlqeres shpojnë hundët e mureve të dhomës së vogël dhe për flegrat e njeriut që sapo ka humbur ndjenjat, shërbejnë si ngacmim për ta mbajtur në jetë. Dera shtyhet me zhurmë nga dy palë këmbë që tërheqin këpucët ushtarake me qafa e ngarkuar me baltë mbas shollës. Dy burrat, hedhin sytë e lodhur mbi dysheme ( janë në punë prej orës tre të natës, kur trokitën dhe ata, tre herë mbi derën e apartamentit të tij), shihen në sy  e pëshpërisin: 

” do të ketë vdekur thua? Ndoshta më mirë për të shkretin i vdekur, sesa i gjallë dhe po i vdekur.”

Gjunjëzohen dhe kthejnë trupin e rrëzuar përballë tyre. Mbi ballin e njeriut të shtrirë, gjaku  vazhdon të rrjedhë  lirshëm e të marri rrugët mbi dysheme. Zgjasin duart ti masin pulsin që rreh butë e vakët.

” E dua të gjallë”- dëgjohet një zë i hollë,si zëri i nëpërkës në orarin e drekës.

Dy burrat këmbejnë vështrimet e përgjigjën njëzëri :” Gjallë e ke!”

Nuk kalojnë as 10 minuta dhe sirena e ambulancës shtyn dyert e hekurta. Një mjek dhe dy infermierë zbresin me nxitim duke u drejtuar nga i vetëplagosuri.

Tre fasho të trasha rrethojnë kokën me flokët onde të zeza që lëngojnë nën lagështirën e gjakut dhe jodjos. Një gjilpërë me glukozë për ta sjellë ndër vete dhe zëri i mjekut që i drejtohet hetuesit me sytë e ulur përdhe:

-” e keni jashtë rrezikut.”

Sirena e ambulancës largohet, ndërsa dy palë duar zgjaten për ta tërhequr trupin drejt një salle të lyer me ngjyrë jeshile të fortë bizele, në të cilën gjenden si fajtorë të heshtur, tre radhë stolash të gjatë me drurin të kafshuar nga koha vënde vënde. Të ulur në rrjeshtin e parë, tre burra me lëkurë të errët e të tharë si eshkë, që përtypin duhanin e padjegur mirë. Përballë tyre, një tavolinë e bardhë dhe tre karrige kafe të errët, ku qëndron trupi gjykues i përbërë nga gjykatësi, hetuesi dhe një sekretar.

Njeriu që tentoi vetëvrasjen, mbahet i ulur mbi një karrige disa metra larg trupit gjykues dhe shtrëngohet prej krahësh nga dy policët, që e mbajnë si dhëmballa e prishur mes  darës që lufton për ta shkulur.

Si në ëndërr, ai, njeriu që nuk kupton se ku ndodhet nga kllapia e dhimbjeve, sheh konturet e tre fëmijëve  që zgjaten duke marrë trajta të paqarta dhe e akuzojnë me gishtin tregues përpara:

” Si na e bëre këtë baba, do na lesh  përsëri vetëm?”

Gëlltit lotët e ndjen lëkurën e kores së kokës që i djeg. Për të, nuk është hera e parë që provon një skenë të tillë. Pesë vjet më parë e njëjta skenë. Nuk arrinte ta zotëronte gjuhën e tij. Rebele, i shpëtonte gojës dhe mbllaçiste ç’ka zemra dhe mendja i fliste. Kish folur gjatë ngritjes së tekeve të rakisë me shokë, më tepër se ç’duhej. Ish ankuar për djathin dhe mishin që mungonte tryezave të fëmijëve.

Xhipsi gri i degës e kish përcjellë në burg për 5 vjet.

” Përse nuk vdiqa? Nuk i paskam matur mirë gjuajtjet mbi mur. Eh budallla i gjorë, hajde e hidhu tani po deshe! O zot, ku je?! Përse nuk më more?!”

Njeriu, shtrëngon sytë ndërsa tëmthat i buçasin dhe dëgjon si nëpër mjegull, zërin e hetuesit që e pyet duke bërtitur:

” je ti që ke thënë që letërsia kineze nuk vlen asnjë grosh përpara letërsisë ruse?”

Njeriu tund kokën dhe mohon.

 ” Jo, nuk është e vërtetë”.

“S’është e vërtetë? Pse, këta tre burra që janë këtu, gënjekan sipas teje?” 

Njeriu hedh vështrimin mbi stolat ku qëndojnë dëshmitarët. Kërkon të fërkojë sytë për ti dalluar më mirë se nuk i besohet çfarë sheh, por duart nuk mundet t’i përdorë. Janë të zotëruara plotësisht nga një palë hekura që i shtrëngojnë kyçet e që e kanë emrin, pranga. I njeh.  Janë tre fshesaxhinjtë e qytetit, që kalojnë çdo mëngjes sapo zbardh dita, në lokalin ku ai ju shërben kafetë si banakier.

Këtë radhë me sa duket, kanë një detyrë të rëndësishme për jetën e tyre. Partia i ka thirrur të jenë dëshmitarë.

Kërkon t’ju kapi vështrimin për t’ju kërkuar përsenë. Nuk e kupton cila arësye i shtyu këta njerëz të gënjejnë e mbi të gjitha, të spiunojnë. Sa herë ju ka shërbyer kafenë gratis sepse e njihte varfërinë e tyre. E lexonte në fshesat e shqopës që tërhiqnin zvarrë mbas këpucëve apo sandaleve që ju falnin njerëzit për mëshirë. Ishin familjarë e kishin shumë gojë fëmijësh për t’ju shuar  urinë në kasollet pranë liqenit. Ndoshta, varfëria i ka shtyrë për të gjetur ndonjë lek më shumë, përveç pagës  që ju përcillte komunalja e qytetit. Njëherësh, të tre, ngrejnë supet. Kjo ishte përgjigjja që mundën ti komunikojnë.

” He pra, fol! Ke thënë apo jo?” 

Njeriu tund përsëri kokën për të kundërshtuar. Tashmë e kishte të qartë. Asgjë do ndryshonte gjendjen e tij.

Gjykatësi, një meso burrë,me pak bark të dalë, shtyn mbrapa karrigen dhe ngrihet në këmbë. Me vështrim nga salla, duke imagjinuar të jetë plot me njerëz, kruan zërin i vetëkënaqur dhe fillon të lexojë formulën që e njeh me sy mbyllur.

“Në emër të popullit, trupi gjykues merr vendimin nr 4057, të dënojë qytetarin Y.D për agjitacion dhe propagandë! Dënimi parashikon 10 vjet me heqje lirije!

Heshtje varri.

Tre dëshmitarët ulin kokat sikur t’ju kalojë mbi qafë tehu i një thike.

” Dhe guxo dhe një herë tjetër të vetëvritesh! Ata që të dënojmë jemi ne, jo ti! Jetën tënde, po të duam ne ta heqim, po të duam ne, ta lemë! Është Partia zemërgjerë,ajo  që të shpëtoi . Ja ke borxh jetën asaj, more maskara! Tani atje, në burg, do gjesh kohë të rivlerësosh gjykimet e tua të krimbura ndaj popullit mik kinez. Duhet t’i kërkosh të falur Mao Ce Dunit. Bëje përpara nesh. Të lehtësosh ndërgjegjen.

Njeriu shtrëngon dhëmbët dhe hesht. S’pipëtin asgjë.

Hetuesi, i afrohet dhe i zgjat grushtin përpara hundës.

” Na, merre dhe këtë!  Siç duket, nuk paske zënë ment. Hera e parë nuk të mjaftoi. Provo të dytën!” 

Ndërkohë gjykatësi ndërsa largohet dhe ai, ngre zërin dhe me përçmim ju drejtohet  tre dëshmitarëve:

” edhe ju, mu hiqni sysh tani, jevgjër muti!”

Xhipsi gri hap dyert dhe shtyjnë njeriun brënda.Zhurma e rrotave hedh hapin e parë në zgjimin e qytetit. Mbas dy-tre orësh, nën zë, njerzit do pëshpërisnin të friksuar:

” e morët vesh, filanin e rrasën brenda.Pupupu, duhet kyçur kjo e shkretë “, dhe shtrëngojnë buzët deri në dhimbje.

 * * *

Mbas tre ditësh, në ekranet e televizorëve, populli mëson lajmin e prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Vendi nën udhëheqjen e Partisë do ta hidhte vallen vetëm në gojën e ujkut kapitalist, me trimëri e zgjuarsi, siç dinte vetëm ai.

Njeriu me tre çarjet mbi kokë, e kush pyeste më njeri për atë,  reflektonte i mbyllur në qeli, si të gjente një formë tjetër dhe të pashmangshme për ti dhënë fund jetës, degdisur në burgun më të tmerrshëm, atë të Burrelit.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s