ATA TË DY PAS MESNATE / Tregim nga Mark Simoni

ATA TË DY PAS MESNATE

 

Tregim nga Mark Simoni

Në mëngjes bënë dashuri pranë oxhakut të madh, ku drurët, duke u djegur, fishkëllenin herë si fyej dhe herë si era që ikën pyllit. Të shtruar krejt rrafsh, mbi një batanije me kaproj. U ngritën dhe pinë deri sa po deheshin. I bënë fotografi njëri tjetrit, u futën në dush e bënë prap dashuri. Treguan përrallat më të bukura që dinin për të rriturit, vallëzuan gjatë në hollin e madh, në oxhakun e të cilit fishkëllenin e digjeshin drurët e kuq.

Kur erdhi mbrëmja u zunë me njëri tjetin. Bënë shamatë keq. Ai i tha ik, ik për fare, ik….

-Megjithëse ik nesër në mëngjes, pasi tani sapo ka ardhur nata dhe jashtë bie shi. Madje ti trembesh dhe nga hijet e vetëtimave. Por për të ikur ke për të ikur.

-Do të iki menjëherë sapo të dalë drita. Do të zhdukem për fare. Mezi po pres që të dal prej teje.- ia ktheu vajza

-Porta e shtëpisë sime është e çuditëshme, – i tha djali, -Sikur ti, duke dalë bën zhurmën më të vogël, porta mbyllet dhe ti mbetesh brënda njëherë e përgjithmonë. Prandaj kujdes kur të nisesh, ec në majë të gishtrinjëve dhe madje mbaje për pak edhe frymën. Mos bëj aspak zhurmë se pastaj s’del dot.

Ajo tundi kokën e saj të bukur dhe flokët sikur trokllitën si zilka të vogla, apo fishkëllyen si era kur ikën pyllit.

-Mezi po e pres mëngjesin- tha me një farë inati.

Kur sahati i madh i ra mesnatës, ajo u shtri mbi një kanape, hodhi mbi vete velencën me kafshë pylli që iknin me vrap, dhe mbylli sytë që deri atbotë qenë të lodhur e të trishtuar. Fjeti. Ndërsa ai iku diku anash, lart në një papafingo dhe u shtri krejt i drobitur.

Vajza u zgjua diku aty nga ora dy pas mesnate. Mbi tavolinë gjeti porosinë që të mos bënte fare zhurmë se do të mbetej brënda, mbasi porta mbyllej menjëherë. Qeshi dhimbshëm dhe ndjeu se diçka brënda vetes iu rrëzua me rropamë. Duke parë sahatin, iu bë se akrepët ecnin mbrapsht. U nervozua.

Nisi të bënte gati çantat me rrotullat që fishkëllenin ankueshëm. Mbi flokë, si bigudina, vuri ca rrigixhinge të vogla që krokllitnin melodinë e tyre të çuditëshme. Zilkat që i mbante prej vitesh i montoi në lidhëset e këpucëve, ndërsa qafës i hodhi një palë rruaza metalike që cingëronin vazhdimisht. Madje dhe në borsën e dorës vuri ca lugë e pirunj që bënin traket e tyre kur përplaseshin me njëri tjetrin.

Në koridor iu bë se ndjeu pak zhurmë. Në maj të gishtrinjëve u nis për atje. Qe ai. Po vendoste pranë pragut të derës ca kurthe gjithëfarëlloji. Mureve qenë montuar sinjale që binin menjëherë sapo dikush t’i afrohej portës. Kudo nëpër koridor djali pati vënë pengesa të lidhura me zile. Ai i vendoste me ngut sa nuk kishte ardhur akoma drita.

Bënë sikur nuk e panë njëri tjetrin dhe vazhduan secili në punën e vet. Ai duke ngritur pengesa, kurthe, sinjale e zile ndërsa ajo me rrigixhinget e rropamat e veta.

Kur çdo gjë e patën bërë ashtu siç donin, u kthyen për të pritur mëngjesin, ai në papafingon e tij, ajo mbi ndenjësen pranë oxhakut ku fyejt e drurëve patën pushuar së rëni.

* * *

Sapo një rreze drite çau xhamat, ajo u ngrit vrik, hodhi tej velencën me kafshët që vraponin për diku, veshi këpucët me zilka, mori borsën me lugë e pirunj, tundi kokën ku vareshin rrigixhingat, dhe duke tërhequr çantat me rrotat e prishura që fishkëllenin doli në koridor. Dera ishte e hapur dykapakësh. Madje për të parën herë asaj i ra në sy se dera kishte dy kapakë dhe iu duk më e madhe nga herët e tjera. Ashtu e hapur i kalli datën. Donte që të mbyllej sa më parë. Por befas asgjë e saj nuk zhurmoi. Edhe zilkat e këpucëve, edhe rruazat metalike, edhe rrigixhinget e flokëve, edhe rrotullat fishkëllitëse, madje edhe lugët e pirunjtë qenë shurdhuar dhe heshtnin si gjuhët e memecëve. Ajo i tundi me tërë forcën, me shpresë se do të zhurmonin për ta mbyllur derën, por asnjë zë nuk dilte dot nga atje. Vrapoi drejt pragut, ku ai pati vënë pritat. Futi këmbët në kurthet, por asnjëra nuk e mbajti,. Ngacmoi sinjalet, por asnjë nuk fishkëlleu. Donte të pengohej vetëm pak sa të mbyllej porta, por ato vareshin si gjuhë të prera. I hodhi të gjitha rraqet në dyshme. Ato ranë mbyturazi.

Tashmë pati mbërritur në prag. Dera nuk qe mbyllur. Thirri, por zëri humbi brënda mushkërive të veta. Doli dhe vrapoi në rrugë, e mbytur e tëra në lot. Qante.

Ndërsa nëpër banesë sillej ai, me shpresën se do ta gjente derën të mbyllur e vajzën të mbetur në ndonjërën prej kurtheve. Por dy kapakët qenë të hapur sa s’ka dhe vajza kishte dalë.

U kthye në papafingon e vet i mbytur në lot dhe krejt i dërmuar, duke mallkuar të gjitha zhurmat e portat e botës.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s