Cikël me poezi nga Petro ÇERKEZI  / Shkëputur nga vëllimi poetik “HARXHOVA GJITHË NGJYRAT”

Cikël me poezi nga Petro ÇERKEZI 

 

Ç’ ËSHTË KJO DËBORE?

Ç’ është kjo dëborë?
Haplehtë dhe e dendur
Që vjen duke vallzuar
Balerinë e bardhë
Si nga një qiell i huaj?

Ç’ është kjo dëborë kështu?
Që puth qerpikët tona
E shkrihet
Si lotë hareje.

Mos vjen nga veriu i ftohtë
Për të na falur
Këtë valle marramendëse
Sikur ta sillje ti me vete pajë të bardhë
Vajzë nga Odessa.

Ç’ është kjo dëborë kështu?
Që na vërtit hareshëm
Sikur do të na çojë larg?
Një tango vallja e dëborës
Në një tango edhe ne
Mijëra flutura
Sakrifikohen duke vallëzuar nën hapat tona.
Dëborë nga një qiell i huaj
Në një përqafim të bardhë unë dhe ti.

 

BIE SHI NË MILANO

U mbyll qielli i Milanos,
Si për vendetë u nxi,
Shkrep e vetëtin e bie shi
Nuk kam çadër,
Nuk kam strehë
Qyteti në çdo hap
Si qen më leh.

Hyj në kafe nuk gjej vend
Dal sërish në rrugë
Kapuçoni qiell
Më mbulon si murg.

Ja befasisht shfaqesh ti,
Oh, u lage, thua
Me një akcent malli njerëzor
Të dashur, të sinqertë
Aspak të huaj
Dhe më rrëmbejnë syt’ e tu
Më mbështjellin me një mantel të ngrohtë
Që vetëm zemra mund të ketë.

 

 NJË TRANTAFIL TË DHUROVA, DASHURI…

Një trëndafil të dhurova, dashuri, një trëndafil,
Një trëndafil të vesitur porsi lot,
Nuk e mbaj mend ç’ përvjetor ishte?
Qielli hidhte shi dhe ne na qeshnin sytë.

Një trëndafil i kuq në gjirin tënd si dashuria.

Sa vjet kanë kaluar, sa vite?
Dhe ai më pëshpërit akoma
Me buzë të njoma
Fjalë të pathëna
Në vazon e kristaltë të zemrës
I pavyshkur ende.

Një trëndafil të dhurova, dashuri, një trëndafil!

 

TË TAKOVA NË NJË ËNDËRR…

Të takova në një ëndërr,
Të humba në një monopat,
Ndoshta diku në një kufi
Të vranë ëndërra ime…
Nuk e di.
Sa dete lundrova,
Me sa demone u kacafyta
Duke të kërkuar,
Sa furtuna më rrëmbyen.
Tani në një breg të panjohur
Që më nxori dallga
Më buzqesh me sy të shuar.
Prit edhe pak, prit, mos vdis,
Më mungove kaq shumë,
Prit të të jap puthjen e jetës.
Të takova, të humba, të gjeta.
Prit, prit, mos më braktis
Në skëterrën e një dite dhimbjeje
Lumturia ime.

 

STINË E PESTË

Mbështjellë te dy me një xhaketë
Shkojmë përkrah pranverë e vjeshtë.

Qesh syri yt në lodërim
Nxin e shkreptin qielli im.

Ti shkund ca gjethe, gris një re
Shkrep blicin pranë një rrufe.

Shkojmë përkrah dimër e verë
Unë mollë kafshoj, ti bën poterë.

Këmbët ngatrojmë në një vals
Mollën kafshojmë të dy bashkë.

Buzët kafshojmë, bëhemi një,
Me një gotë verë bëjmë stuhi.

Dhe përsëri dhe përsëri
Si stinët ndrojmë unë e ti.

Here dielli var ylber ne sy
Herë shund petale e bie shi.

Herë rumba heqim mbi dëborë
Herë prillomaj na vë kurorë.

Mbështjellë me xhaketë të thjeshtë
Njeri pranverë e tjetri vjeshtë.

Ç’ na ndodh kështu, e mira ime
Nga na vine këto drithërime?

Ç’ stinë të jetë vallë tani?
Është stina jote, dashuri.

Është stina jote, stinë e pestë
Dhe me pranverë dhe me vjeshtë.

 

BRAKTISJE

Së pari braktisa sytë
Si në një ceremonial të përbindshëm ciklopik.
Pastaj oborrin me trandafilat
Si në një shkretim dimëror.

Sexin e kisha braktisur me kohë
Si një lumë qe ndron shtratin.

Duart me mbanin lidhur si pranga
Me buzët ishte më thjeshtë
I kafshoja dhe i përgjakja
Aq sa nxihej perëndimi
E zbriste nata e zemëruar e syve.

Sytë i kisha braktisur
Braktisa dhe hënën që më buzqeshte
Si njollë e verdhë në verandën tënde.

Me dallandyshet ishte më lehtë
Së shpejti do të shtegëtonin
Në të tjera vende.

E keqja ishte me duart
Ato më mbetën mbi supe
Si të prera nga një statujë.
Më këndonin si zogj mbi leshra

 

SI MËKATARE…

Një gjethe e verdhë u vërtit dhe erdhi
Si mesazh pakuptim mbi supin tim.
Një tufë zogj bëjnë piruetat e fundit mbi sup të horizontit
Si duar të ndëruara për lamtumirë.

Shegët hapën gojët e kuqe si thirrje hedonike
Me një dhimbje të ëmbël, të kuqe, të lashtë
Mollën e kafshova dhunshëm të paqëruar mbrëmë
Dy avionë bombardues fluturuan ulët mbi pallate
Humbën mes reve dhe pas pak gjëmuan diku larg.

Të gjithë vrapojnë, njerëzit, makinat, avionët, retë
Kurse piktori i këmben ngjyrat si në alarm.
Deti nxori prapë refugjatë të mbytur
E plagosin barbarisht kaltërsinë, vramë edhe detin vetë.
Në akuarelin e një miku tim piktor
Pashë të pikonin nga peneli pika gjaku.

Në breg të detit pashë një grua duke qarë
Ishin lotë apo stërkala.Ngadalësova hapat.
Në këmbët e saj një trandafil i shkelur brutalisht.
Plazhistët e fundit endeshin përreth indiferentë,
Por as unë nuk nxitova ta marr e ta shtërgoj në gjirin tim,
Nuk e kam për zakon të përqafoj gra të panjohura paturpësisht.
Bota vajton në vetmi, thashë dhe bëra tutje.
Ajo e qarë më kafshoi zemrën si një pendesë e vonë.
U ktheva, por nuk e gjeta atë grua sërish.

Mbi paletën e mikut tim ishte ngjitur deti i zemëruar,
Kurse mbi trikëmbëshin e tij varej dielli në të perënduar.

Ax, vjeshtë, vjeshtë, lozonjarja vjeshtë
Na sheh me sy të ëmbël, bën shënja dashurisht,
Pastaj bën grimaca, trishtiohesh, zemërohesh,
Gjëmon e shkrepëtin e derdh lotë qiellorë sikur na përqesh.
E mblodhëm vjeshtën në kanavacë dhe ikëm
Si mëkatarë pa mëkatë.

Nga vëllimi: “HARXHOVA GJITHË NGJYRAT”

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s