Bela Ahmadulina
Kalendari poetik: Bela Ahatovna Ahmadulina (Белла Ахатовна Ахмадулина) 1937-2010
Sot është data e lindjes së poetes së shquar ruse; babai i saj qe tartar, nëna italo-ruse. Me ish burrin e saj të parë, Evgenij Evtushenko dhe poetin Andrej Voznjesjenskij qenë të parët që i prinë antistalinizmit dhe mbrojtjes së Boris Pasternakut, kur shumica e artistëve iu bindën pushtetit kur i ndërseu si zagarë kundër tij. Artisti i vërtetë duhet të jetë gjithmonë disident i pushtetit, jo himnizues i tij, sidomos kur ai pushtet është antipopullor. Pa u zgjatur më tej, sjell në 81 vjetorin e lindjes së saj këtë shqipërim:
NAMATISJE (ЗАКЛИНАНИЕ)
Mos më qani, do të mbijetoj,
te një më pak e lumtur, te një grua burgu
në acarin e veriut, te një grua jugu
te një tuberkuloze nga Petërburgu
dhe në jugun malarik do të mbijetoj.
Mos më qani, do të mbijetoj
te çalamania që del çdo mëngjez,
te një i dehur përmbys mbi tryezë,
te një piktor,
që shën Mërinë vizaton,
te vetë nëna e Zotit do të mbijetoj.
Mos më qani, do të mbijetoj
te vajzë e vogël që mëson të lexojë
dhe sa të rritet, koha do të vijë,
vargjet e mia përmendësh do t’i dijë.
Do të mbijetoj.
Mos më qani, do të mbijetoj
te murgesha më e pëshpirtshme,
te marrëzi e luftrave të çuditshme
te yll i shën Mërisë së ndritshme,
gjithsesi, në gjithçka do të mbijetoj.
© shqipëroi Maksim Rakipaj