Poezi nga Adem Zaplluzha

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

MBASE ISHTE PATRIARKU I GHUHËS SHQIPE

Më duket se kurrë nuk ishim të vegjël.
Na rriti dhe burrëroi skamja,
Në vend të librit
I dëgjonim përrallat e gjyshërve.

Libri për ne ishte një nocion
I largët dhe i pakapshëm,
Kur gjenim ndonjë të tillë
E lexonim me kokë të mbuluar nën jorgan.

Për një abetare ose libër tjetër
Si kokrra e bostanit këputej koka,
Pushteti i huaj kujdesej
Të mos i hapim sytë asnjëherë.

Por ja që nuk ja arriti.
Në shkruanim fshehurazi nëpër mure
Të stallave emrin e atdheut
Dhe të flamurit të Gjergjit.

Në lagjen tonë erdhi një mësues,
Nga ia behu kurrë nuk e mësuam,
Por na dukej si perëndi,
Mbase ishte patriarku i gjuhës shqipe.

 

I THËRRAS ËNDRRAT

Gjithmonë të kam thënë
Se sytë e tua
Janë si dy kokrra ulliri
Që pushojnë në degët e kujtesës.

Kur vjen mbrëmja e bekuar
Hyj në lëkurën tënde
Dhe si i çmendur
Kafshoj ngjyrat e ullirit.

Më pastaj,
Dikur vonë shumë vonë,
I thërrasim ëndrrat
Të bashkohen me yjet endacakë.

Nëpër qiellin e ndritur
Galdojnë meteorët rebelë,
Kurse nën degët e hijeve
Si kërthi flenë ullinjtë.

 

NJERIU PA KAPELË DHE BASTUN

Kur doli nga shtëpia ai njeri
E kishte harruar kapelën
Dhe bastunin.
Ai pa kapelë dhe bastun
Thjeshtë ishte një hije lakuriqe.

Përditë e takonim në kafenenë e lagjes
Pas kafesë farmak,
Përherë porosiste një lëng limoni,
Por sot ngjau e kundërta,
Në vend të limonit shtrydhi lotin në gotë

Ne nuk heshtëm si herëve të tjera
Por edhe nuk thamë asnjë fjalë,
Mbase çdo fjalë ishte e tepërt.
Njeriu pa kapelë dhe bastun
U ngrit ngadalë morri rrugën e elefantëve.

 

MBYLLI EDHE PORTAT E MENDJES

Të lutem më dëgjo me kujdes sonte
Mbylli të gjitha kopsat
E xhaketës së verdhë,
Mbylli edhe dritaret
Në parmakët e thyera të urës.

Sonte nuk presim asnjë mysafirë
Fluturuan kanjushat e çatisë
Andaj nuk kemi kohë për askënd,
Mbylli edhe portat e mendjes,
S’dua të shoh njeri sonte.

Dua që kjo natë të na takojë vetëm neve,
Asnjëherë nuk më ka pëlqyer trekëndëshi.
Mbylli kopsat e natës,
Shiko sa bukur hëna e ka shkapërthyer
Këmishën e saj të mëndafshtë.

Nuk na duhet asnjë kopsë tjetër
Përpos rruzaret ziliqare të gjakut
Që do t’i lëshojmë
Gjatë tërë natës së lume
Të galopojnë nëpër universin e shpirtit.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s