Poezi nga Bilall Maliqi
PËRKËDHELJE DASHURIE
e shtuna iu shkri
akrepave të orës së sosur
matanë perdes së natës
roja përgjumet
e diela ngadalë i shtrihet
ëndrrës së parë
pas territ të grimcuar
nga Gërshetëza e lagur
zgjohem me përkëdhelje dashurie.
NË SHUPLAKË TË DITËS
Në mëngjesin e kuq
Dita zgjoi ëndrrën e fjetur
E mbyllur ishte në vetvete
Me atë skenë të errët
Veç dëgjoheshin
Tek gërhasin hijet e lodhura
Drita agimprurëse
Ia hoqi ngadalë perden territ
Në shuplakë të ditës
E pashë portretin tënd të fjetur.
MOS…
Mos e shpupurish atë zjarr të fjetur
Në shtratin e zemrës sime
Sepse zgjohet (ajo) flakë e shuar
Si në shuplakë të tokës së nxime…
RIZGJIM SHPRESE
Rrëshqiti një pikë loti
Nëpër faqe të thara
Si nga gjethet e pahitura
Kur kullon ndonjë pikë vese
Imi mallëngjim ulet
Në shuplakën e shtrirë të kohës
Për ta pritur (ri)zgjimin
E (Asaj) shprese të fjetur.