Poezi nga Dijana Toska

Poezi nga Dijana Toska

 

Thembra ime e Akilit

Sonte, edhe nëse shkon,
bota nuk ka me e ndal’ rrotullimin e saj
rreth vetes.

Nuk ka me ndodh’ asgja
nëse edhe unë shkoj pak minuta pas teje;
oqeanet s’kanë me u shterrë.

Hana ndriçimin e saj nuk ka me e zbeh’
as dielli nuk ka me ndalue tokën me e ngrohë
krejt njajtë ka me mbet, edhe pa mue,
edhe pa ty!

Veç ne nuk do të jena ma këtu
këtu ka me mbet’ çdo gjë në vendin e vet,
edhe fushat e blerta, edhe rogat e maleve
edhe sorkadhja ka me ladrue nëpër Bjeshkë
nëpër ato që, dikur, dikush i mallkoi randë,
i quajti të Nemuna.

Kur fryma jonë e fundit të shpërndahet mbi bjeshkë
zemra jonë që rrihte bashkë ka me u nda’ në dysh
e me u shpërnda në asgjë, si vetë fryma.

Zemra ka me u ndale veç për një çast
e ne do të ndihena si marinarët e përmbytun;
mushkënitë do kapen për shkëmbinjsh, do kapen për shkume
veç për një trohë frymë.
Ah, zemra ashtë thembra ime e Akilit.
E pastaj, e di se çdo gjë rilind
rilind edhe shpresa për nji jetë të re
pa “ne”!

Edhe loti ka me rrjedh’ ngadalë
si të gjithë lotët e botës pa dallim,
teposhtë ka me rrjedhë.

Bota ka me u rrotullue me të njajtin ritëm, rreth boshtit të vet,
edhe rreth Diellit ka me u rrotullue;
dashuni të reja kanë me lind’
mbi hirin e dashunisë time për ty;
këtë dije mirë.

 

Dhimbja e plakut

Sonte po më duket se po plakem
edhe ma shumë.
Krejt për nji natë.

Sonte po më dhambin edhe eshtnat
edhe frymë marr me vështirësi.

Sonte kryet po ma turbullojnë
imazhe të shkapërderdhuna;
krejt po më vijnë varg e vijë,
të mërzitshme, të paftueme të timen rini.

Sonte edhe kasollja në fund të fshatit
nuk ashtë ma e njajtë.
Kryeplaku i fshatit nuk ashtë ma aty
s’ka kush e ndan bykun nga kokrrat.

Sonte, kujtimet
lodrojnë si të çmenduna
sikur shirita të filmuem bardh-e-zi.

Sonte, sikur te kisha fuqi, me i lirue mushkënitë
si i marrë me ulëri në majë të mullarit
me terbue ujqë e derra, e çdo gja t’egër përreth
me këtë vrazhdësi të gishtave të mi
që shkronja mbaltojnë në histori.

Sonte edhe flokët më kanë marrë bojë gri
ma të hirtë se gëzofi i ujkut plak,
asnji ngjyrë floku nga reklamat punë nuk bën
asnji fije ngrohtësi nuk të ofron.

Thonjtë janë nxi, rrudhat më shajnë hidhun n’pasqyrë
e rreth bebëzave damarë gjaku pulsojnë kërcënueshëm.

Sikur krejt kjo nuk mjafton;
edhe shiu po resh me borë bashkë;
fërfëllizat e kujtimeve po ma shuejnë zjarrin e brishtë
ndezë me krande të thata e pak kashtë.

Sonte pleqënia po ma shkatërron trupin dalëngadalë
brenda një nate të vetme sa njëqind vjet;
koha nuk e njeh mëshirën,
e di.
Paraardhës nuk ka, as trashëgimtar pas.

Sonte koha po kalon pranë meje
e po më merr me vedi mbi jelet e saj,
plot trishtim.
Kjo natë po ikë duke u përleshe me kohën.

Shkoftë e mos u ktheftë kurrë kjo natë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s