Poezi nga Lumo Kolleshi
THJESHT
Ti më kërkon të jetoj jetën e tjetrit
E timen ta lë mes ferrash e drizash,batall.
Pak a shumë si një lis të jetojë jetën e plepit…
Të pyes: A jeton dot plepi në majëmal?
E ti ngul këmbë si mushka,
Më thua se hajdutët e kurvat kanë fat,
Fjalët i nxjerr me breshëri si pushka,
Në djallëzoren fushë të shahut kërkon të më zësh mat.
Qetësisht të përgjigjem se jeta e tjetrit,
Si arnë nallbani nuk ngjit dot tek unë,
Mos prit të bëhem degë lisi a plepi,
Thjesht le të mbetem një degë shelgu mbi lumë.
Matematikë përemërore në vetën e parë
Unë,
As unë.
Dy deshë për brirësh u zunë.
Unë,
As unë,
Një aizberg në Detin e Veriut në furtunë.
Unë
Dhe unë,
Nisje dhe kthim në një udhë.
***
Shpesh me gabojne syte,
Shpesh syte vrapojne dhe ndjekin fluturat.
Syte dhe yjte
Se ç’marrin nje drite nga te bukurat.
KUAJ NË PRILL
Në më të humburën humbëtirë
Hedhur më ke si kalë pa fre
Dhe dihet ç’ndodh në shkretëtirë,
Qajnë qiej të largët për një re.
Në sytë e mekur të këtij kali
Kërkohet veç një pikë shi,
Digjen patkojtë mbi thëngjij zjarri
E flatra shpik përmbi shkreti.
E përmbi erëra bëhet vet erë,
Kapton mbi hone,ngrihet mbi male.
Eshtë prill,të them me zë të mjerë,
E kuajtë në prill nuk dinë të ndalen.
RËREMRA
Para se ti të hyje në jetën time,
Unë s’isha thjesht unë,
Vetmi isha,
Zhurmë.
Pastaj hyre ti,
Gëlqere të bardhë u shkove mureve të vtemisë,
Zhurma mbeti në honet e beqarisë.
Tani
Ti je diçka më shumë se ti,
Unë diçka më shumë se unë,
Përemra,që pa njëri-tjetrin,
Nuk bëjnë dot gjumë.