Poezi nga Rami Kamberi
PËR NJË, POEZI…
Për një poezi
Ca hije të zeza, ia preknin dakikun, ku i ndalonte koka
Për një dashni
Ca hije të ftohta, ia preknin shtatin, ku e kërkonte toka
Deri tek zëri i këngës së ujit, i vinin, kur i pushonte sytë
N’shkambin e shqipeve, natën, kur hëna e prekte n’ballë
T’ia kallnin ëndrrat e kujtimeve, sikur në vdekjen e dytë
Pse ca veshë tej maleve ia kishin dëgjuar të vetmen fjalë
Për truallin e lagur nga gjaku, të malësorit, që ra në pritë
Për një poezi
Ca hije të zeza, ia prekën edhe jetën, ta dëgjonte Sharri
Për një dashni
Ca hije të ftohta, ia kërkonin emrin, që t’ia gjenin varrin.
ME SYTË, LIRI…
Nalt n’mal
Më kaliti lokja, ndër krisma, me trollin në gji
Për ca fjal’
Që ranë mbi kullë, kur oxhaku na mbeti pa hi
Pranverës, kur jetën e qëndisnim, nën hijen e lisit
Për ta marrë, tamblin e plisit, nëpër ditët me shi
Kur na i shtryudhën lotët, me nishan e name t’fisit
T’kuqët, që shkelën n’kto anë, si zjarre me stuhi
Nalt n’mal
Nën hije të Lisit Atdhe, më kaliti lokja, me sytë liri
Për ca fjal’
T’babaplakut: kulla tona, janë e do mbeten Shqipni.
LIRI, JAM I GJALLË…
Sy çelur, e piu liria
Për inatë të dritës, që i vintë nga qielli
Pa ia prek, dashuria
Nurin, n’lule t’ballit, që ndriçonte si dielli
N’zabel, te Lumi i Zanës, ia lidhi ballin, me krenari
Shtatin ia lartësoi shtatore, karshi Ahut të Qëndresës
Te kroni ujt, ia mbuloi të dy sytë, me flamur e lavdi
Mbi gur të varrit, ia la pushkën dhe amanetin e besës
Sy çelur, e piu liria
Si terri kur e pi dritën, duke i shkruar n’ballë
Pa ia prek, dashuria
Fjalën e fundit mbetur n’buzë: liri, jam i gjallë.
MES SYZANAVE, TË KUJTIMEVE….
N’sytë e durimit
Vetëm dashuria, më mbeti shpresë e lumturi
N’acaret e dimrit
Kur mbi ballin jetë, m’shkelnin liritë me jermi
Që lidheshin për sytë, t’mbetur te gurra n’Sharr
Mes syzanave të kujtimeve, si rrënjë nën tokë
Me pranverën e lindjes, që e ruaj, për mua varr
Si thinjat dhe rrudhat, që m’mbetën, për kokë
N’sytë e durimit
Vetëm dashuria, më mbeti lot e gjuhë Perëndie
N’acaret e dimrit
Kur prej trollit akull, gatuanim bukë, me erë lirie.
PËR T’PREK, N’GJAK LIRIE…
Bukuri e dashurisë
U struk n’penë t’poetit për t’prek n’gjak lirie
Lule të përjetësisë
Ku kokat i pushojnë, burrat me shtate Shipnie
Ku ballin e rriste, kala e qndresës, me sy dielli
Me rrënjët shqim, që i ringjallin jetë, Ilirisë
Si shpirt’i poetit, që tokën shikon me sy dielli
T’shkruar me anthe, nëpër faqet e historisë
Bukuri e dashurisë
U shndërrua n’libër, ta lexojnë sytë e motit
Lule të përjetësisë
Si mbetën ikona, t’dala t’gjakta me pika t’lotit.