Fragment poetik nga libri  “NËNTË VJET E NËNTË DITË” i autorit Petrit Ruka 

Fragment poetik nga libri  “NËNTË VJET E NËNTË DITË” i autorit Petrit Ruka 

 

vijim….

* * *
Kor- i kishës me shtatë vajza,
Flokëverdha, vogëlushe,
Pranë altarit* kanë zënë këngën,
“Zoti të bekoftë, o nuse!“
“Zoti të bekoftë, o nuse!”…

Dhe hyn Prifti me kryq ari,
Njerëzia brohoret,
Kupë e miellit tek altari
Me unaza,…atë pret,
Prej floriri dhe të vret…

Prifti dorën ia ngre nuses,
Dora është e ngrirë,
Sipër gishtit një unazë
Hënëz e arrirë,
Hënëz e pagdhirë…

Dhe një çast e shpresa vdes,
Vetëm tek dy lotë,
Mbyll Kristina sytë e zezë,
Mbyll, or mbyll një botë,
E mbyll jetë e mot….

“- A e do ti burrin tënd,
Në të keq e ngazëllyer?”
Fjalë e priftit, pa mbaruar
Dera ka shpërthyer…
Krrau- krrau,… thyer.

Shangullimë e erës fiku
Katërqind qirinj,
Ngjethen njerëzit të tmerruar,
Pleq edhe të rinj,
Pleq edhe të rinj…

“- Ç’është ai që prish një dasëm,
Xhind apo me gjak ?!*
Çfarëdoqoftë t’i pritet jeta,
Vdekjen e ka hak,
Varrin e ka pak.

Dhënd‘rr-i- ri nga brezi, thikën,
E shkul me tërbim,
Po mbi kishë sa dridhen muret,
Një zë si gjëmim,

’’- O ju krushq e ju bujarë,…
Lermëni ta them një fjalë,
Ndaleni këtë kurorë,
Jam në besë edhe një orë…*

Nuk më njihni, s’kini faj,
S’vi për keq e s’jam i huaj,
Po me vashën që martoni,
Kam një fjalë e ma dëgjoni.

Ti, o vashë, që po martohesh,
Në qe shkruar, të trashëgohesh,
Po të pyes përmbi altar:
A e njeh burrin e parë?”

Një nga një zbardhen fytyrat,
Plasariten si pasqyrat,
Kur i shkund në mur tërmeti,
Zbardhen si zallishte deti…

“ – Nga ta njoh, o trim i tretur,
Unë një natë me të kam fjetur,
Veç nishan- i zi mbi gjoks
Nëpër mëndje më ka mbetur…”

Burri, që nxjerr flakë prej sysh,
Shqyen këmishën e ndan dysh,
Dhe a’herë të gjithë e panë;
Pëmbi gji të ziun nishan.

Tej përtej një; ah!…kaloi,
Si një tufë thëllëzash shkoi,
Dhe në dyshemenë me lis,
Një unazë u rrokullis….

* * *

Fli, o bir, po zbardhet nata,
Sytë i ke me lotë fëmije,
Tridhjetë vjet më parë si ty
Unë kam qarë nën batanije.

Qaja brenda në baladë,
Qaja brenda m’u në kishë,
Nuk duroja, kur Kristina
Puthte Kostën nën këmishë.

Derthte lotë mbi nishanin,
Dridhej si një xhufkë bliri,
Kështu janë, o bir, baladat,
Ndezin zjarrin që nga hiri….

Sa hap sytë e sa mbyll sytë,
(Ja, fshih lotët, shiko mirë…)
Ka filluar një makth i dytë…
Kosta në baladë… përpirë…*

Ti më thua se ia sheh shpinën,
Mbi një kalë të ri është hedhur,
Ne, si turmë, ndjekim Kristinën
Në oborr të kishës mbledhur…

Dil nga ëndrra hyr në ëndërr,…
Je aty e s’di se ç’ngjet,
Me magji të tillë baladat,
Çmendin njerëzit njëmijë vjet…

Dhe tani është mirë të flemë,
Po ti s’mundesh, unë e di,
Dyzet arbërve në Spanjë,
Një sopatë mbi qafë u rri.

S’flenë ata e s’fle princesha,
Pas dritaresh lut një emër,
Si është bërë kjo jetë, o bir,
Digjet zemra për një zemër…

Nga të gjitha mrekullitë,
Mbaje mend,… nuk ka tjetër,
Nga që do njeriu njeri’në,
S’bëhet Bota kurrë e vjetër.

E po mirë, le t’ia hipim,
Kalit të baladës prapë,
Që nga Piluri në Spanjë,
Mund ta bëjmë me një hap…

* * *

Në ditën e nëntë,
Një nga një në shesh,
Mbi kërcunë* e zi,
Një sopatë u zhvesh…

Mbreti qesh nën buzë,
Turma u avit*
Dielli përmbi mal,
Kokën po dremit…*

Lidhur me zinzhira,
Të dyzetë si yje,
Ecin drejt, or drejtë,
Si drerët në pyje.

Në kullë lart, Ajo,
Buzët i bën gjak,
Dhe shikon si dielli,
Fshihet pak e pak…

’’Diell, o diell i Spanjës,
Lajthitu* një grimë,
Ta fal jetën time,
Shpëto një betim!

Të kisha një hesht,
Fuqi perëndie,
Mbi mal të gozhdoja,
Kosta, ti të vije…’’

Po përtej në fushë,
Vetëm erë e bosh,
Mbreti i bën shenjë,
Xhelatit përposh.*

Dhe sopata ngrihet,
(Ç’bën sopatë kështu?)
Kjo kokë kaq e bukur,
Si diell mbi kërcu…

Ty t’u thyeftë çeliku,
Bëftë krrak në erë,
Prishet ai trim –
Prilli në Pranverë ?!

Prishet ai ëngjëll,
Si bir Perëndie.
Ajo kryevepër –
Me dritë Arbërie ?!

Dielli një çerek,
E kotë të shpresosh,
Rrezet dhe me gisht,
Mund t’i numërosh.

’’Ku e kini, ku?!“
Mbreti me sy pyet,
U la, për një grua,
Fjalë e Dhënë u tret.

U tret tek dy gjinj,
Që djegin çdo burrë,
Femra është betejë,
Që s’fitohet kurrë… ”

„ -Nise!” – thotë me zë,
Dhe sopata niset,
Bie e bie e bie,…
Vdekja që gremiset…*

Koka mbi kërcu,
Zë e buzëqesh,
’’Djalli i ka hyrë,
Çfarë i thotë në vesh?!’’

”- Jo, o mbret, në vesh,
Ca patkonj kam unë,
Si një këngë gjëmojnë,
Si det në furtunë.

Preje kokën time!
S’ke kohë për të dytën,
Pa mbaruar mirë fjalën,
Muret u tronditën.”

Pa gjëmoi një botë,
Sikur u ça qielli,
Sipër përmbi mal
Me një rreze, dielli.

Sikur mbiu nga dheu,
Nën teh* të sopatës,
Si një vetëtimë,
U fut presë e shpatës.

Nga kali ka zbritur
Vetë Ai,…në këmbë…
Rrez-e fundit vdes
Me shpirtin ndër dhëmbë…

Dhe më pas, siç plasin,
Fuçitë e barotit,
Kali është ndarë dysh
Tek këmbë e të zotit.

Dhe kanë rënë buritë,
Dhe është bërë çudia,
Thonë që nga vera,
U skuq Mbretëria.

Janë skuqur lumenjtë,
Kuajtë me gjithë frerë,
Dhe thonë: u deh hëna,
Dhe yjet kanë vjellë.

Sepse në agim
Nisej për Himarë,
Kostandin Shqiptari
Me dyzetë shqiptarë.

………………………

U nisën dhe ecin,
Mbi kuaj janë dhe sot,
……………………
Ndryshe një baladë
S’do jetonte dot….

Mbase njëmijë vjet,
S’është rrugë e gjatë,
Deradian, po flemë,
Që të zbardh kjo natë.
……………………

* * *

Sonte fli, se mbase prapë,
Do tregojmë dikur, një tjetër,
Shqipëria me legjenda
Është plot si pus i vjetër…

Si baladat arbërore
S’ka në botë, prej bukurisë,
Çmendën Gëtën* dhe Bajronin, *
Perandorë të poezisë*

Nga ato, o bir, kjo gjuhë,
Nuk u tret nëpër pushtime,
Një balade s’ke çi bën,
As me top e bombardime.

S’ke çi bën as me avionë,
Me TV e internet,
Dhe të digjen bibliotekat,
Ato zjarri nuk i djeg.

Ato janë në mijëra kopje,
Nëpër fshatra, gjyshër, gjyshe,
Inçizuar në guva, hone,
Zgavra* lisash plot me myshqe.

Dyzet vjet më vonë dhe ti,
Kopjen tënde do shumosh,*
Me fëmijët, nipër, mbesa,
Nëpër Spanjë do fluturosh…

Unë do jem Andej*…s’do mend,
Me një kryq të zi tek koka,
Do jem bërë baladë prej malli,
Dhe do mbij si bar nga toka.

Dhe si dihet, ndonjëherë,
Do t’ju vij, që t’ju shikoj,
Herë si hëna në dritare,
Herë si shi në xham do shkoj.

Mund t’ju vij si zjarr oxhaku,
Që këndon e brambullin,
Gjer aherë, se e heq gjaku…*
Do jem bërë pak Kostandin.

Tiranë, shkurt 2002 -janar 2010

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s