Në pritje të vdekjes (Pjesa e tretë) / Shkëputur nga librim me tregime “Në pritje të vdekjes” të autorit Hysen Kica

Në pritje të vdekjes

Pjesa e tretë

Përfundimisht i lexova të gjitha ato që ishin shkruar në ato copa letrash prandaj i vendosa dhe i sistemova atje ku i mora duke i fshehur në hapsirat midis murit dhe kasës së derës. Ndjehesha tepër i shqetësuar sepse e dija që ate djalë të pafajshëm e kishin varur me litar në një rrugë të qytetit tonë. Kishin bërë shumë zhurmë sikur ai kishte qenë një armik i tmerrëshëm që i kishte shërbyer zbulimit Jugosllav. Gjoja se me urdhër të tyre ai kishte djegur e shkatërruar disa objekte të kooperativave bujqësore. Përfundimisht thonin se ai kishte marrë detyrë të eleminonte edhe udhëheqësin e partisë sonë por syri vigjilent i sigurimit të shtetit e kishte zbuluar dhe e kishte dënuar kaq ashpër. Me thënë të drejtën edhe unë kisha besuar se ai djalë kishte kryer vërtetë gjithë ato krime dhe tani ndjehesha shumë keq që kisha menduar ashtu. Po më shqetësonte mendimi pse partia krijon me dashje armiq.
Kështu kërkonte të kuptonte edhe ai djali para vdekjes.
“ Po më vjen çudi si nuk më besojnë asnjë. Kur me nxorrën para popullit të fshatit tim u ndjeva shumë keq. Edhe sekretari i partisë, që më donte shumë dhe që më kishte propozuar për kandidat partie, foli shumë keq për mua.
– Paskemi patur një gjarpër në gji, – tha ai për mua. – Partia do ja shtypë kokën si gjithë armiqëve të tjerë.
Unë pra armik! Desha të flas por nuk më lejuan. Armik pse isha miqësuar me një vajzë shqiptare matanë kufirit. Po njerëzit e mi të dashur ku ishin ate ditë? Ndoshta i kan internuar! Do i kenë përzënë nga shtëpia jonë dhe do i kenë dërguar në kampet e internimit! Çfarë shkatërrimi!
Unë e kam fajin për çdo gjë. Unë ja solla gjithë këte shkatërrim shtëpisë time. Ç`më duhej mua ti tregoja kushëririt tim!”.
Sapo kisha futur në gojë lugën e dytë të supës së darkës dhe kërciti llozi i derës së birucës. Më mbeti kafshata e bukës në gojë.
– Çohu! Armik i poshtër, – më briti polici. – Shpejt se të kërkon hetuesi.
Lëshova në tasin plastik lugën përgjysëm me supë dhe u çova pë të shkuar te hetuesi. Si më gjeti sapo kisha filluar të haja! Thonë se as hasmi nuk të lëviz kur je duke ngrënë por… Partia është mbi të gjitha.
Hetuesi dukej krejt i painteresuar kur më futi polici brenda. Ai po shfletonte i qetë dosjen time sikur nuk e dinte se e kishte plotësuar vetë. Kaluan rreth 10 minuta ashtu në heshtje. Dikur hetuesi ngriti kokën. Më tmerroi. Pas syzeve optike sytë e tij dukeshin si sy ciklopi.
“ Nuk do të thyhem “ sikur u betova.
– Besoj se jeni menduar mirë, – foli hetuesi.
– Si urdhëroni, zoti hetues, – thashë unë.
– Ju jeni njeri familjar dhe duhet të mendoni edhe për njerëzit tuaj. Nëse më thoni të vërtetën edhe unë do t`ju ndihmoj të dilni sa më shpejt nga këtu për të jetuar pranë familjes suaj. Partia ka nevojë ta fitoje një kuadër dhe ka investuar shumë për ju. Nguliteni mirë në tru se këtu nuk keni mundësi të komunikoni absolutisht me asnjë tjetër. Unë për ju jam partia, shoku, miku, vëllai dhe mbrojtësi juaj. A jeni gati të përgjigjeni?
– Po, zoti hetues, – thashë unë dhe ai filloi pyetjet.
Kujtova shënimet e sapo lexuara të atij djalit.
“ U tregova komplet injorant. Hetuesi më premtoi se do më ndihmonte po të tregohesha i sinqertë. Më tha se do ishte si babai im dhe unë i besova. Ja tregova të gjitha me sinqeritet të plotë. Ja shpjegova me ndjenjat e mia më të sinqërta sikur po flisja vwrtetw me një mik.Çfarë mashtrimi! Më kishin rrahur keq policët dhe mu duk hetuesi si një pikë ku mund të mbështetesha. Duhet ti mohoja të gjitha. Duhet ti mohoja edhe po të ma sillnin kushëririn në ballafaqim. Duhet të thoja se kam bërë shaka me kushëririn. Vërtetë do më torturonin edhe më shumë por do kisha shpëtuar jetën. Hajde tani vra vehten. Jo. Nuk kam nevoj ta vras vehten se do më vrasin ata “.
Edhe unë fola vetëm për tu përgjigjur shkurt pyetjeve dhe hetuesi shkruante me një makinë shkrimi nga ato të luftës. Më dukej se bënte ca pyetje të shkujdesura dhe sikur shkruante më shumë se fjalët e mia. Në fund më tha të firmosja të gjitha faqet. Kur mi vuri përpara pashë se kishte plotësuar rreth tri faqe fletë format.
– Më falni zoti hetues por unë duhet ti lexoj para se ti firmos, – thashë unë.
Dukej sikur hetuesi po nxitohej.
– Ato që më thatë ju kam shkruar. Firmosni tani se nuk kam kohë, – më foli hetuesi ashpër. – Më pret familja të ha darkë.
– Më vjen keq por unë nuk i firmos pa i lexuar.
– Vërtetë qenkeni armik i poshtër, – tha hetuesi duke e ngritur zërin. – Ma thanë ata të partisë në bazë se ju lexonit italisht edhe atëhere kur diskutoheshin fjalimet e udhëheqësit tone tw dashur, por nuk e besova. Mos kujtoni se jeni shumë i mençur. Unë kam patur problem edhe me armiq më të poshtër se ju dhe të gjithëve u kam shtypur kokën. Ndoshta ju duket koka juaj më e mirë se e të tjerëve.
Unë nuk fola dhe hetuesi mi hapi që ti lexoja. I lexova me kujdesin më të madh.
– Firmosni tani! – më tha hetuesi kur e pa se unë e mbarova leximin.
Nuk kishte shënuar aspak si isha përgjigjur unë. Kishte thurur një plan vërtetë armiqësor.
– Unë nuk kam thënë kështu, – thashë.
– Ashtu! – tha hetuesi.
– Po.
– Ja se ka vend këtu te fleta e fundit. Shënoni çfarë mendoni se nuk është e drejtë dhe firmosni.
Shënonva mendimet e mia dhe firmosa.
– Firmosni edhe fletët tjera! – tha hetuesi.
– Më vjen keq, – thashë unë.
– Ju i shënuat pra mendimet tuaja. Pse nuk po i firmosni?
– Po sikur gjykata të mos e shohë fletën e shënimeve të mia? – thashë unë pa i thënë se ai mund ta griste ate fletë ku kisha shkruar unë. Padashje mendova se kështu ja kanë hedhur edhe atij djalit. – Pastaj gjykata shikon këto fletët e firmosura nga unë dhe i merr për të vërteta.
– Qenkeni vërtetë armik i poshtër, – briti hetuesi dhe më goditi me çelësa në kokë. Do jua nxij jetwn dhe familjen tuaj do ta mbulojw zifti.
Nuk fola. Pashë derën e dhomës së hetuesisë të veshur me sfungjer dhe e kuptova se e kishin bërë të tillë për të mos u dëgjuar ulërimat e të burgosurve kur i torturonin.
Unë nuk e hapa gojën dhe kujtova një shënim tjetër.
“ Po sa i poshtër edhe hetuesi. E kishte bërë Dafinën kurvë dhe agjente të U.D.B-së. Gjoja ajo më kishte rekrutuar edhe mua si shërbëtor të Jugosllavisë për të kryer terror, sabotime dhe vepra të tjera kriminale. Bile kishte sajuar një përrallë sikur unë kisha djegur një stallë kooperative me urdhër të marrë nga shefat e mi. Po pse vallë hetuesi mi ka ngarkuar mua gjithë këto krime dhe çfarë fiton ai nga gjithë kjo poshtërsi! Të marrësh jetën e një të riu 19 vjeçar duhet të keshë një motiv shumë të fortë që s`po arrij ta qartësoj dot në trurin tim “.
Hetuesi thirri policin.
– Vëri prangat dhe bëji ca ushtrime se ka nevojë.
Sa e dashur partia!
Filluan përsëri torturat fizike. Polici ishte një kafshë e egër dhe jo njeri. Patjetër partia i kishte zgjedhur këta trima posaçërisht për të rrarur viktimat e saj.
Kur më dërguan në birucë pashë se policët ma kishin marrë edhe tasin e supës.
Të rrojë partia. Ne hamë edhe bar por… Këtu nuk ke ku e gjen as barin.

– vazhdon –

 

Shkëputur nga librim me tregime “Në pritje të vdekjes” të autorit Hysen Kica

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s