Poetja Alma Zenellari në formën më të bukur artistike e bart emocionin me çiltërsi e shpirtit duke i dhënë forcën e brendshme nga e ka burimin ndjenja e dashurisë / Nga: Safet Hyseni

Poetja Alma Zenellari në formën më të bukur artistike e bart emocionin me çiltërsi e shpirtit duke i dhënë forcën e brendshme nga e ka burimin ndjenja e dashurisë

 

Nga: Safet Hyseni

Kur ndjenja zhvesh shpirtin lirikat i merr era për të mbjellë dashurinë atje ku mungon, ta ndjej një shpirt tjetër, të lumturohet një zemër tjetër, këtu qëndron edhe misioni i vargut apo i poetit. Poezia është e ëmbël thithet me një frymë kur shkruhet bukur, është hyjnore kur është e çiltër e padjallëzuar, ajo kur fillon të rrjedh nëpër damar si rrjedh vala e një lumi të bëhet ushqim shpirti.  Vargu i cili të freskon nga hidhërimi, të ëmbëlson dashurin e ëmbëlsuar, të lumturon me një puthje, të ledhaton me një frymë, të përkëdhel me një shikim, të robëron me një shkeljesyshë është edhe qëllimi i hedhjes së rreshtave për të tjerët që në një mënyrë t’ua bëjë ditën e bukur, jetën e lumtur, t’ua ndrisë edhe idenë për të ecur udhëve të bardhësuara. Kur vargu  shpupurisë ndjenjën tënde të bëhet i dashur dhe kur nisë e dialogun me te thuhet se poeti ia ka arrit qëllimit, e qëllimi i ti është të paqtojë dashurit, të shtrojë udhët me aromë lulesh e ngjyra të ylberta, të përhap melodi të zëshme. Poetja Alma Zenellari në formën më të bukur artistike e bart emocionin me çiltërsi e shpirtit duke i dhënë forcën e brendshme nga është foleja dhe burimi i ndjenjës së dashurisë. Ajo bukur e bënë dashuri për dashurinë. Poezia “Monologu i shpirtit” është ndërtuar bukur, me shumë figura e shprehje, me shumë çaste që krijojnë efekt mbresëlënës tek lexuesi. I dashuruari çdo herë është në një monolog, diku me hijen e tjetrit, e diku edhe me hijen e vet, ndërsa autorja e bënë si monolog të shpirtit. Është gjetje e bukur se ajo pranon se zemra e bart dhe bashkëjeton më synimin e saj, shpirti përjeton të gjitha ëmbëlsitë por dhe hidhësitë. Vargu i lirë i lejon që të përdor edhe shenjat e pikësimit ashtu si do dhe ku do që poezinë e bënë jo vetëm të lexohet lehtë por dhe të deklamohet me shumë art. Çiltërsia prej krijuesi bije në vargun “gjithmonë trokas e para” të rrallë janë krijuesit që zbërthejnë ndjenjën, por si duket se dashuria nuk pranon krenari. Mënyra e shprehjes së tillë e bënë autoren të thotë në një varg “më duaj!”. Monologu i zbërthyer me të gjitha ngjyrat e shpirtit del mbi sipërfaqe si një erë mali që bart melodinë e zogjve, aromën e luleve, pikat e imta të shiut e gjitha për kënaqësi të shpirtit të dashuruar.

Tek poezia “Pak mars…” poetja me një mjeshtëri të rrallë na e sjellë çdo herë të parën, e muaji Mars ka diçka të parën, si në këtë rast fjollën e borës që shkrihet, rrezen e diellit, lulet si një bukuri që bart dëshirën për puthje që do duhej të ndodh për t’u ndjerë mirë e më mirë, për të shijuar ate që na ofron jeta por gjithmonë duke pasur parasysh pastërtinë shpirtërore “si fjolla e brishtë e borës”. Metaforat, krahasimet e figurat poetike luajnë lirshëm nga vargu në varg, duke u kujdesur për fjalën e përkëdhelur e të gdhendur bukur. Arti jeton e rritet në thjeshtësinë dhe bukurinë e fjalës që buron nga drita e mendjes e dashuria që i dhuron zemra shpirtit për të bardhësua e zbut ambientin jetësor. Jo rastësisht Alma luan me fjollën e borës së Marsit, me puthjen, lulen e parë dhe këngën e zogjve. Këtë natyrë të bukur ajo e ka bërë si pikturë shumëngjyrëshe që shpirti nëpërmjet vargjeve t’ua dhuroj syve si dhuratë.

“Uverturë nën shi…” një krijim i bukur letrar që do dojë çdo kush ta përjetoj, ta përjetoj në saje të fjalëve të bukura që rrjedhin si ai shiu i ngrohtë që nga vargu i parë e deri tek  i fundit “Ti ishe aty në pritje të ëndrrës së ylbertë / I bukur…”. Poetja ka një aftësi dhe talent që vargu të rrjedh i ngrohtë, i lirë, me shumë ëmbëlsi, ajo mbase e di se arti i kërkon të mbështillet me ndjenjën përçuese dhe përcëlluese nga drita e syve. Gjetja e fjalëve të bukura për të bërë një “Uverturë në shi…” si “puthte ajrin”, “dridhej”, “fustani i ujtë”, si dhe formimin e fjalëve si “këmishngjitur”, “qerpiklagur” të bëjnë që ta ndjesh si një dëshirë përjetimi, që të ndodhesh bashkë më ëndrrën në një kohë me shi.

Poezia “Kur ti…” sjell një tjetër dëshmi për një zemër të dashuruar e cila rrëfehet çiltërsisht. Poetja nuk ndihet keq që të na shpërndaj ndjenjën e përjetimit dhe këte e bënë aq të pasur duke i dhënë forcën e shpirtit. Autorja na e zbërthen bukur se që të; “bie në paqe dhe qielli i zemrës sime…” i duhen tre episode dhe mjaftojnë aq pak vargje që dy zemra të ndihen afër njëra tjetrës për dy shpirtra të lumtur. Figura e parë është;  “Kur ti më prek, /lumi i dhimbjeve të mia ndalet/”, e dyta; “Kur ti më sheh, /ndjej si prek me sy fundin e shpirtit tim/” dhe e treta; “Kur ti më puth,/brenda syve të mi lind një dritë qumështore që bëhet diell/”, këto tre elemente i mjaftojnë poetes për të bërë një perlë të vërtetë ku në këmishën e vargut lirik është dhe një si puhizë e lehtë erotike, por për tu ndjerë.

Alma Zenellari

Alma ka një cilësi të rrallë që e thash dhe më parë, çiltërsinë, andaj dhe vargu i saj thithet si një pije freskuese. Njeriu gjithmonë është i etur, për një fjalë shprese, për një prekje, për një puthje por si ndjehen ato dhe përjetimi nga to është aftësia e poetes që na i dhuron. Edhe poezia “MUNGESË, E JOTJA…” është një dhuratë e qëndisur bukur për lexuesin. Vargjet janë një porosi (mesazh) i poetit për të shkund apo për të zëvendësuar vuajtjen me dashurinë, dhimbjen me lumturinë, të keqen me të bukurën, smirën me mirësinë që të ngadhënjejë gëzimi e lumturia, të ngadhënjejë e bukura. Qëllimi i artit apo i vargut është hyjnor, andaj duhet zgjedhë fjala, duhet gjetur vendi, duhet vargu të rrjedh si një valë lumi që bënë një shushurimë zëri që përjetohet si një melodi. Kur fjalët i zgjedhë edhe dhimbja bëhet e bukur si në poezinë “MUNGESË, E JOTJA…”. Ta njohësh krijuesin është shumë me lehtë të shkruash, se e merr portretin e ti dhe bënë një dialog (monolog) të vetmuar, mendoj që kuptohem, ndërsa unë shkruaj për vargun si e ndjej vetë, dhe çdo herë apo në të shumtën e rasteve shkruaj për krijues që as i kam parë, as i kam takuar dhe as i njoh. Për ate që lexova guxoj të them se poetja Alma Zenellari është mjeshtre e përdorimit të fjalës së bukur në vargun e lirë. Ajo e shkund bukur aromën për të vesh trupin e poezisë.

 

MONOLOGU I SHPIRTIT

Monologoj përditë me një burrë të heshtur,
trallisur, zalisur, e çmendur nga dashuria,
gjithmonë trokas e para,
gjalloj, frymoj, zgjoj portat e zemrës së tij…
Trokas, zhurmoj, pyes, pres, hesht, qaj, qesh,
trokas parreshtur,
mbi kraharorin e një burri të heshtur…
Zemra ime çdo ditë i nis trokun e saj,
ç’jam për ty, më thuaj..?

më duaj!
Mos hesht, vuaj!
Ai hesht..,
Unë e pafuqishme, lag qerpikët
përballë heshtjes që zgjat,
më shkërmoq
largësisë së pamatë.
Ai hesht, më lexon, e ndjej,
më shkruan nga pak,
në ato fjalë unë kuptoj, për të sa vlej…
Monologoj përditë
mbi kraharorin e heshtur të një burri,
përditë flas, pyes, pres
çdo ditë me të e dashuruar,
në çmendurinë time prej gruaje,
vdes.

 

PAK MARS…

I mora marsit fjollën e brishtë të borës.
që ra pa u ndjerë këtij mëngjesi të avullt.
E preka,
shkriu duke më lënë kujtim mes gishtërinjve
lagështi puthjesh si të tuat.
I mora marsit lulen e parë hutaqe që dridhej nga era e ftohtë,
e vura mes flokëve rrëmbimthi,
ngjyrën e përskuqur e shpërhapa buzëve të petalta…
Erëmimin e tejngopur të ajrit
e ndjeva mushkërive thellë,
e ndjenë dhe zogjtë, që shpupurisnin krahët foleve të ngrohta,
mbi selvi…

 

Uverturë nën shi…

Sot, binte shi i ngrohtë,
puthte ajrin
dridhej,
pikonte këmbëve të mia,
mbështillej…
kërcenin balerina piklash me fustan të ujtë..
kërceja dhe unë nën çadër e lumtur,
pemët vështronin qerpiklagura,
këmishëngjitur puthitur lëkurës së tyre…
Një uverturë e bukur, ngrihej butë butë qiellit të lagësht,
shoqëruar nga buzëqeshja ime,
nga dashuria ime e zëshme, e çiltër për Ty.
Ti ishe aty në pritje të ëndrrës së ylbertë
I bukur…

 

KUR TI…

Kur ti më prek,
lumi i dhimbjeve të mia ndalet,
furtuna e zemërimit tim fashitet, ndrydhet
Kur ti më sheh,
ndjej si prek me sy fundin e shpirtit tim,
që deri atë çast i kishin munguar ylberet,
Kur ti më puth,
brenda syve të mi lind një dritë qumështore që bëhet diell,
atëherë anija e dashurisë brenda kraharorit tim
ngre velën e bardhë dhe ankorohet në breg të shpirtit tënd…
çdo gjë ndalet,
dallgët paqtohen,
bie në paqe dhe qielli i zemrës sime…

 

MUNGESË, E JOTJA…

Të prita, të prita, të prita,
brenda shpirtit “harresëdhimbje” gëlltita,
të prita, të prita, oh sa shumë prita,
pa ty s’frymoi, thjesht s’agoi dita.

Shpesh herë të them më je si dielli,
shpesh herë të them më je si ajri.
(Pa yllin tim kuptim s’ka qielli)
Je loti, ëndrra, në breg je fari.

Pa ty çdo ditë nis kaq e trishtë,
shpirti qetësi nuk mund të ketë.
Pa ty ndjej veten sa të brishtë,
në ninëzat e syve përplasen retë.

Guxoj të them sa shumë mungon.
nëpër damarë më je mungesë…
Guxoj të them sa shumë të ndjej,
pa ty thellë meje gjithçka nis vdes..

Unë erdha vetëm të të dua,
të gjitha udhët më çuan tek ti,
As Universi s’më braktisi,
Ai më diktoi,
se dashuria ime je vetëm ti…

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s