Poezi nga Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

 

BALADË PËR ATA QË S’U VRANË NË LUFTË

Mund të vriteshim vite më parë,
Para një muaji, a ndoshta dhe dje.
Ata që pas nesh mbetën të gjallë,
Me kohë do na mbulonin me dhè.

Mund të vriteshim sapo nisi lufta,
Para një çasti mund të ishte fundi.
E s’do bënim as sherre e zhurma,
Si grinden ata që si mori plumbi.

As të ikurit s’i nxirrnim nga dheu,
Kur të ndenjurat ndjenin dridhjet.
As edhe brinjët që varri i mprehu,
Si kthenim në gozhdë për karriget.

As punët s’linim për ndere të kota,
Që për ta, të vinim lule në mermer.
As pyesnim për fjalët që thotë bota,
Fundja vdekja e di vetë se kë merr.

As si zamkë s’do bëheshim të butë,
As për poste s’do t’i shisnim gratë.
Ne mund të vriteshim dhe në luftë,
Po u vranë të tjerë, ne s’patëm fat.

 

VITE MË PAS…

S’është çudi që do plakem një ditë,
Po ca kohë do mundohem ta fsheh.
Kjo botë, prapë do të mbetet e hirtë,
As më e vjetër, por as dhe më e re.

Nën qiellin që do jetë, po ai i vjetri,
Gratë e bukura do harbojnë më keq.
E kam për të besuar, se jam i vetmi.
Që kthyer në gri, do dukem në qelq.

Më pas, dhe do trishtohem ndoshta,
Se vetëm unë, jam i kapur në një lak.
Po shfaqesh ti, që ndryshe nga bota,
Me thinjosjen time do bëhesh ortak.

E do të shoh se e ke lënë ti një thinjë,
Që si imazhi përball, të rri mbi supe.
Kur gjithë thinjat e tua, di si i fshinë,
Ç’mall të ka kapur që e vë në dukje!?

Me ty s’do flas për gjëra të thjeshta,
Si m’i fale ti sytë, a si m’i fale linjat.
Gjen pa fund gra, që japin nga vetja,
Zor se gjen dikë, që të merë thinjat.

 

DUA TA DËGJOJ MALLIN TËND!

Ti ndihesh keq që të mbys me fjalë,
Dhe në germa, më kthehet imazhi yt.
Faji është imi që të mbaj ty përball,
E mua më duket, se jam vetë i dytë.

Më kot rri po pres, të më bësh një zë,
Që mallin të ma japësh, jo si heshtje.
Faji është yti, që me mua je bërë një,
Dhe të më flasësh, thua fletë me vete.

Po më nxirë nga vetja, më nxirë pak,
Nëse nuk fletë dot, shkruaje me letër.
Si të gjithë burrat, ta kam një merak,
Të dëgjoj mallin, thënë me një tjetër.

 

TI RIVRITESH DUKE M’U DHËNË

Ti mbartë mbi supet e tu të brishtë,
Jo vetëm dy jetë, por edhe një tjetër.
Si të doja ta bëja lodhjen shumëfish,
Unë të shtoj edhe ca peshë më tepër.

Po kur vjen nata, gjendesh e ndarë,
Gjithë jetët e tjera pas dere i ke lënë.
Nuk do që të kesh asnjë dëshmitar,
Kur ti të rivritesh, duke m’u dhënë.

Unë burri, të lodh me huqe nga vetja,
E gjëra më të prapa, kam në mendje.
Jo që s’ta heq gishtin nga shënjestra,
Po rivritem me ty, në rivrasjen tënde.

Kur të shoh sërish me tri jetë në sup,
Ndoshta lot më kthehesh tek qerpiku.
Ndoshta si burrë do skuqem me turp,
Ndoshta pres natën të them:-Rivritu!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s