Stefan Cvajg: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani” ( FAGMENTI I PARË PËR FROJDIN) / Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

Stefan Cvajg: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”

FAGMENTI I PARË PËR FROJDIN

“Sigmund Frojdin, këtë mendje të madhe e të rreptë, që më shumë se askush tjetër asokohe e thelloi dhe e zgjeroi njohjen e shpirtit njerëzor, e pata takuar për të parën herë në Vjenë, në kohën kur e cilësonin ende si njeri të vështirë e kokë më vete dhe e luftonin. Fanatik i së vërtetës, por njëherazi plotësisht i vetëdijshëm për caqet e çdo të vërtete – njëherë më pati thënë: “Të vërtetë qind për qind ka po aq pak sa dhe alkool njëqindgradësh!” -, ai qe ftohur me universitetin e me pedantizmin e tij akademik për shkak të këmbënguljes së vet të paepur që pati treguar duke kuturisur të futej në ato zona, të pashkelura e të shmangura me frikë, të botës së dukshme e të fshehtë të instinkteve, pra, bash në atë sferë që asokohe qe shpallur solemnisht si “tabu”. Ajo botë optimisto-liberale e ndjeu në mënyrë të pavetëdijshme se kjo mendje që nuk pranonte asnjë kompromis, po e minonte me ngulm, nëpërmjet psikologjisë së vet të skutave të thella, tezën e tyre të ndrydhjes së ngadalshme të instinkteve me anë të “arsyes” e të “progresit”, se me taktikën e vet të pamëshirshme të zbulimit të të fshehtave ai qe bërë i rrezikshëm për metodën e tyre të mospërfilljes së gjithçkaje të pakëndshme. Por s’qe vetëm universiteti, s’qe vetëm kasta e neurologëve të dalë mode që bashkoheshin kundër atij “komiti” të rrezikshëm – qe e tërë bota e vjetër, mënyra e vjetër e të menduarit, “konventa” morale, qe e tërë epoka, e cila i trembej atij “maskëheqësi”. Dalëngadalë, kundër tij u organizua një bojkotim mjekësor, ai humbi kësisoj mundësinë e ushtrimit të profesionit, dhe, meqë shkencërisht tezat e tij, madje edhe aspektet më të guximshme të mënyrës së shtrimit të problemeve, ishin të pakundërshtueshme, ata u përpoqën t’i hiqnin qafe teoritë e tij të ëndrrave sipas zakonit vjenez, domethënë duke i trajtuar me ironi ose duke i banalizuar gjersa të katandiseshin në një lojë zbavitëse. Vetëm një rreth i vogël besnikësh mblidheshin përqark vetmitarit një mbrëmje në javë për të diskutuar, dhe gjatë këtyre diskutimeve mori formë për të parën herë shkenca e re e psikanalizës. Shumë kohë para se t’i kuptoja përmasat e vërteta që do të merrte ai revolucion filozofik, i cili po përgatitej ngadalë duke nisur me veprat e para themelore të Frojdit, më kishte bërë për vete qëndrimi i fortë e moralisht i patundur i atij burri të jashtëzakonshëm. Tek ai njeri po shihja më në fund një shkencëtar të tillë siç mund ta ëndërronte një djalë i ri për ta pasur si shembull: një burrë i matur në çdo pohim para se të kishte provën e fundit dhe siguri absolute, por i patundur përballë rezistencës së mbarë botës sapo një hipotezë e tij shndërrohej në një të vërtetë bindëse, një burrë i thjeshtë si ai e askush tjetër, por besnik gjer në vdekje ndaj së vërtetës imanente që mbronte në çdo gjë që kishte zbuluar. S’mund të përfytyrohej një mendimtar më i guximshëm se ai. Frojdi guxonte në çdo çast të shprehte atë që mendonte, madje edhe kur e dinte se ndokush mund të shqetësohej e të tronditej nga pohimet e tij të qarta e të pakundërshtueshme; s’përpiqej kurrë ta lehtësonte pozitën e vet të vështirë as me lëshimin më të vogël – qoftë ky edhe formal. Jam i bindur se Frojdi mund t’i kishte parashtruar, pa hasur rezistencë nga ana e universitetit, katër të pestat e teorive të veta po të ishte treguar i gatshëm t’i maskonte me kujdes, po të thoshte “erotikë” në vend të “seksualizmit”, “dashuri” në vend të “epshit”, dhe po të mos nxirrte gjithmonë e në mënyrë ngulmuese konkluzionet përfundimtare, në vend që vetëm sa të linte të nënkuptoheshin. Por, kur ishte fjala për doktrinën e për të vërtetën, s’bënte asnjë lëshim; sa më e fortë ishte rezistenca, aq më i paepur tregohej në vendosmërinë e vet. Kur dua të gjej një simbol të guximit moral – i vetmi heroizëm në botë që nuk kërkon viktima -, shoh gjithmonë para vetes fytyrën e bukur, të kthjellët e burrërore të Frojdit, me ata sy të zinj që vështrojnë drejt dhe të qetë.

(Stefan Cvajg: “Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani”, Botimet “SANTORI”, Tiranë 2012, 440 faqe)

 

Shqipëroi nga orgjinali: Aristidh Ristani

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s