Poezi nga Iliaz Bobaj

Poezi nga Iliaz Bobaj

 

LYPËSI ME QENIN E TIJ

Gjithçka e kanë të përbashkët:
vendin pa qera në anë të trotuarit,
vulën e trishtimit në fytyrë,
ushqimet që marrin falas
në hedhurinat e kazanit,
qetësinë e lodhur nga mendimi,
rrobat e fjetjes të lara me zgjyrë,
ndonjë lëmoshë që u hedhin
dhe ata i ndjekin trajektoren me bisht të syrit,
vështrimet e kalimtarëve,
që herë i plagosin me shpërfillje,
herë me mëshirë.
Edhe detin e mjerimit,
ku lundron varka e tyre,
e kanë pa kufij detarë.
As retë e së ardhmes,
nuk iu shkron mendja për t’i ndarë.
Me gjithe këtë pasuri,
nuk i ndjejnë aspak ethet e pronarit,
rrinë të qetë si dy miq të besës,
në anë të trotuarit.

 

LARG

Kam vite, të ndjek së largu,
të afrohen s’mundem, druaj,
ngecëm në fjalët e para
dhe në jetë mbetëm të huaj.

Larg e larg si dy botë,
koha pa u ndjerë na shket,
si dy planetë në lëvizje,
sikush në orbitë të vet.

Dy fjalë tonat s’u bënë bashkë,
as dy hapa me një ritëm,
si të ishim ditë dhe natë,
njëri vjen e tjetri ikën…

 

PIKA E LOTIT

Në sy më rrinte pika e lotit
dhe brengën ma mbante të ngrohtë,
një ditë e humba krejt papritur,
më ra, u thye u bë copë.

Më duhej ai lot i hidhur,
s’doja ta humbja kurrsesi,
ndër gjithçka pata më të shtrenjtë,
s’kish më të çmuar se ai.

Gëzim hokatar kam sa të duash,
sa ta mbështjell sferën e globit,
po gjithe gëzimi im gazmor,
nuk vlen sa vlente pikë e lotit.

Se brengën time plumb të rëndë,
ma lehtësonte peshë e tij,
tek ajo pikëz më qe mbledhur,
e gjithe dhimbja që më le ti.

 

YLLI I FSHEHUR

Në këtë kohëz të arnuar,
me një shami reje në qiell,
ditën ma shuan jotja natë,
përditë humbas një copëz qiell.

Dhe jeta ime jeton jetën,
me sy të mekur si qirinj,
me humbje hapësira qiejsh,
me ishuj qiejsh sterrë të zinj.

Po prapë s’mendoj kurrë për të ikur,
paçka se dritën ti ma terr
dhe copëza qiejsh m’i fik dhimbshëm
dhe ferri yt bëhet më ferr.

S’jam aq pamend ta braktis natën,
që më zezon në sytë e tu,
të bredh lulnajës së parajsës,
shkujdesshëm, dehur, kuturu.

Se te ky ferr që më nxin jetën,
e kam diçka, s’e lë dot pas,
diku mes tij, një yll i fshehur,
më ndrin, më ndez si në parajsë.

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s