Rreth dy veprave të Abdullah Zenelit : LETËRSIA SI KRIJESË E MENDJEVE TË LIRA / Nga: (Hamdi) Erjon Muça

LETËRSIA SI KRIJESË E MENDJEVE TË LIRA

Rreth dy veprave të Abdullah Zenelit

 

Nga: (Hamdi) Erjon Muça

Të shprehesh lirshëm për letërsinë në tokën tonë shqiptare është bërë e vështirë dhe e rrezikshme. Jo vetëm ngaqë letërsia, si art i fjalës, lejon më shumë hapësira interpretimi, por edhe ngaqë Shqipëria ka një realitet të vetin që të ndalon.
Kaluam gati pesë dekada nën diktatin e ideologjisë, ku letërsia duhet t’u shërbente masave dhe ngritjes së socializmit, të krijohej një letërsi shërbyese.
Pas rënies së perdes së hekurt mbartësit e idesë nuk është se ndryshuan, ata vetëm sa u përçanë, u ndanë në grupe ulëritësish. Disa bërtasin se letërsia duhet të mbartë fakte: pra letërsi hetuese; disa të tjerë se ajo duhet të denoncojë: pra letërsi policore. Të tjerë që ajo duhet me doemos të dënojë aktet e krimeve komuniste: letërsi gjykatëse. E të tjerë akoma se ajo duhet të evropianizojë Shqipërinë dhe shqiptarët, duhet të jetë pararojë e evropianizimit të kombit tonë: letërsi me flamur në dorë.
Ka një pjesë tjetër të cilës i përkas edhe unë që mendojmë se letërsia është vetëm e tillë – letërsi dhe nuk duhet të humbasë nëpër labirintet e shastisjes postkomuniste të shqiptarëve. Nuk e di në është e madhe kjo pjesë njerëzish, pasi ne nuk bërtasim, ne kemi karakter liberal: jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë. Për ne letërsia është pjellë e mendjeve të lira, pa komplekse dhe krijuese e vetvetes. Të gjithë ata që i përkasin kësaj pjese, shprehin me artin e fjalës ndjenjat, të pa kushtëzuar nga askush. Herë venë në dukje mangësitë, herë padrejtësitë. Herë vështrojnë nga një spektër kritik e herë me dashamirësi. Nuk mbajnë qëndrime dhe nuk urrejnë askë. Mundohen të shprehin dashuri, dhembshuri, nderim. Ndjenjën më të rëndë që mund të gjesh në librat e këtyre mendjehapurve, është mëshira. Pasi në disa raste kuptohet qartë se ata edhe mëshirojnë situata, personazhet që i rrethojnë, madje nganjëherë edhe vetveten: ndofta për arsyen që i shtyn të merren me situata mëshiruese.
Kur takoj, nëpër shëtitjet e mia ndër libra, ndonjë autor që flet me gjuhë të tillë, vetvetiu nxitëm për të shkruar diçka, sa për veten time. Jo se e kam të detyrueshme të shkruaj diçka. Unë e di shumë mirë që jam veçse një njeri që lexon dhe nuk e di me siguri se kjo dituri e fituar duke lexuar, do të mund t’u shërbejë edhe të tjerëve. E megjithatë mendoj se askush nuk ma heq të drejtën time për t’u shprehur mbi ç’ka më pëlqen. Këtë e kam bërë për dy librat e shkrimtarit, Moikom Zeqos, për tri romane të Anton Nikë Berishës, pasi ishin libra tek të cilët unë gjeta diçka që mbart vlera përtej atyre të zakonshme, megjithëse të shprehura në mënyra të ndryshme prej një autori tek tjetri.
Këtë po bëj sot pasi kam lexuar dy libra të Abdullah Zenelit.
Libri i parë që lexova ishte “Toka shqiptare” dhe që aty pata prekjen e parë me përjetime tmerrësisht të dhimbshme, realisht shqiptare. Që në atë çast desha të hedh diçka në letër, po meqë kisha edhe një libër tjetër të Abdullah Zenelit, vendosa që të prisja: sa për të vështruar më në brendësi këndvështrimin dhe botëkuptimin me të cilin shkrimtari jeton. Mendoj se shkrimtarë si Abdullah Zeneli jetojnë me atë çka shkruajnë. E përjetojnë atë deri në detajin më të papërfillshëm.

Abdullah Zeneli

Në fakt pritja ime dha rezultate, pasi duke lexuar librin “Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna”, kuptova që për Abdullah Zenelin, përpos të gjitha mesazheve që letërsia duhet të përcjellë, ajo, mbi të gjitha duhet të jetë art, art i fjalës së zgjedhur, që zë vend në mendjen dhe shpirtin e njerëzve.
Me të vërtetë letërsia është pjellë e mendjes, po shprehet me fjalë dhe nëse ato janë të duhurat, mendimet që ato përçojnë mund të jenë nga më marramendëset. E Abdullah Zneli këtë e bën edhe me pak, fare me pak fjalë.
Unë ka lexuar mjaft libra deri tani dhe ndër ta kam gjetur edhe përshkrime për luftën dhe ankthin që përjeton njeriu nga ajo. Mirëpo, mënyra se si e shpreh Abdullah Zeneli përjetimin e tij, për luftën është pak të thuash ngjethës.
Këtë dua ta citoj pasi për mua nuk ka përshkrim më tronditës që mund t’i bëhet luftës.
“E mua fëmijët më ishin shndërruar në numra. E pyes gruan a janë të gjithë pranë. Nuk i besoj. Dhe zë e i numëroj: një… dy… tre… katër… pesë! Se ata tani janë numra. Sikur nuk ua di emrat. Se ata janë numra”.
Kjo për mua ishte tronditëse. Njerëzit numra. Nga qenie me ndjenja, me shpirt, në krijesa të ftohta matematikore. Tek lexoja këto radhë më behej se më shfaqeshin përpara syve numrat në krahët e hebrenjve në kampet e përqendrimit. Ky është një realitet letrar që shpreh vërtetësinë e akullt të luftës. Të pa përfillshmërisë së qenies njerëzore përballë çnjerëzores luftë. Në luftë njeriu kthehet në numër. Njëqind të varrosur në një varr të përbashkët. Njëmijë gra të përdhunuara. Mijëra fëmijë të mbetur jetimë……
Në libër Abdullah Zeneli na paraqet realitetin shqiptar të atij viti të hidhur dhe e bën me sytë e një refugjati në tokën mëmë. Edhe ajo frazë nga ai libër ka dalë dhe është tepër e dhimbshme. M’u dhimbs e gjithë shqiptaria kur e lexova këtë frazë, madje edhe tani që po e shkruaj. Të ndjehet njeriu mik, i tepërt, në shtëpinë e prindërve, por që tashmë banohet nga vëllai më i madh. Nuk është e habitshme që ndodh një e gjë e tillë, mbi të gjitha kur nuset e vëllezërve (politikat) kanë qëlluar bushtra dhe janë munduar me të gjitha mënyrat që t’i ndajnë vëllezërit.
Ky është një realitet që Abdullah Zeneli nuk ka frikë të na e tregojë e që unë si lexues nuk kam frikë ta pranoj: më vjen turp që ky është realiteti. Abdullah Zeneli me “Tokën shqiptare” na tregon realitetin me të cilin ai u përball dhe na mbetet neve që të gjykojmë, pasi ai nuk e bën për asnjë çast.
Nuk gjykon Abdullah Zeneli në librin “Odiseu i Bjeshkëve të Nemuna”, e megjithatë shumë nga situatat e personazhet që ai paraqet të shtyjnë që t’i gjykosh. Ai jo! Ai merret me art dhe ka dëshirë vetëm të na tregojë mënyrat e pafundme për të bërë art të mirëfilltë. Mediton, bashkëbisedon, me bashkëbisedues që vetëm si emër janë të tillë, por që kuptohet qartë se shumë prej tyre janë alteregot e vetë autorit. Janë dyzimet me të cilat është i detyruar të përballet njeriu në aktin jetë, në skenën tokë.
Mirë se erdhe në bibliotekën time Abdullah Zeneli!

Nëntor 2014
Pisa, Itali

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s