NJË ROMAN ME PËRMASA TË MËDHA  (Ese rreth romanit «Il pero fiorì a dicembre» (Dardha lulëzoi në dhjetor) të Shpend Sollaku Noé-së. ) / Nga: KUJTIM HAJDARI

NJË ROMAN ME PËRMASA TË MËDHA 
Ese rreth romanit «Il pero fiorì a dicembre» (Dardha lulëzoi në dhjetor) të Shpend Sollaku Noé-së.

 

Nga: KUJTIM HAJDARI

I dashur Shpend, miku im. Sapo mbarova së lexuari romanin tënd DARDHA LULZOI NË DHJETOR. Është pak të thuash që më ka lënë mbresa të pashlyeshme, është një roman që gati-gati e përjeton. Me mënyrën e të shkruarit dhe me narracionin tënd të rrjedhshëm e të bukur përfshihesh brenda në roman, e gjen veten midis atyre njerëzve që luftojnë me një vullnet të çuditshëm e të pamposhtur për jetën nën një regjim që mbyti e shkatërroi çdo gjë njerëzore: lirinë e individit në të gjitha limitet, dinjitetin e personit, iniciativën dhe që xhveshi individin ekonomikisht.
Një realitet të tillë, të hidhur e të egër politik e jep kaq bukur me një realizëm artistik, pa kaluar aspak në historizëm, duke i ruajtur gjithnjë romanit bukurinë e një vepre letrare-artistike
Në një regjim politik të tillë shkatërrues zhvillohen ngjarjet e romanit: kryesisht në Berat, në kampin e interrnimit, në Lushnjë e në Tiranë.
Si bosht kryesor të të gjitha ngjarjeve do t’na udhëheqë në të gjithë romanin familja Rabìu, një familje intelektuale që, si gjithë njerëzit e tjerë të kulturës, ishin në shënjestër të regjimit komunist por që edhe iu u nënshtruan persekutimeve të pamëshirshme, të pallogjikshme e çnjerëzore.
Në roman të mahnit arti narrativ i shkrimtarit dhe aftësia e tij për të kaluar nga një tabllo jete në tjetrën, ku na çon me anë të familjes Rabìu, pa e rënduar tonin e tij kallëzimtar dhe duke e freskuar here pas here me dialogë të goditur e të bukur.
Peshën e rëndë politike e ndjen kudo, ashtu siç ishte e pranishme në jetën tonë por pena e stërvitur e shkrimtarit i trajton kaq me zhdërvjelltësi ngjarjet në roman sa që trajtimi i aspekteve politike mbetet si një mjedis, si një sfond ku zhvillohet gjithë subjekti i romanit duke i shtuar veprës besueshmërinë në vertetësinë e bazës reale të asaj kohe. Duke u mishëzuar me subjektin e romanit ngjarjet politike i shtojnë dramacitetin veprimit, e bëjnë atë më tërheqës e ngjarjet më rrenqethëse.
Është për t’u theksuar se shkrimtari paraqet shumë bukur jo vetëm shkatërrimin e njeriut, por edhe shkatërrimin e vendit në aspektin fizik dhe moral. Në aspektin fizik u shkatërrua pothuajse çdo gjë e bukur duke filluar nga veprat me vlera antike, pyjet e bukur, lumenjtë e mrekullueshëm etj. Në aspektin moral me luftën e klasave, me mbytjen e çdo gjëje të përparuar, me mbylljen e vendit, me mënyrat e zhvillimit të ekonomisë e kulturës, me luftën kundër imperializmit, që kërkonte të bënte, regjimi e bëri vendin tonë të dukej një Don Kishot para botës. Këto të gjitha na shpalosen nëpër skenat e romanit me një bukuri e përsosmëri që të krijojnë mendimin se shkrimtari ka qënë një dirigjent i përkryer i gjithë veprës.

Il pero fiorì a dicembre

Nuk gjen një përshkrim, një dialog, një analizë që të vrasë syrin.
Romani i Shpendi Sollakut është voluminoz, rreth 500 faqe e dikush mund të mendojë se të lexosh një vepër të tillë mund të jetë dhe pak e lodhshme por, kur mbaron së lexuari, mbetesh i habitur. Ky roman të duket shumë i shkurtër për sasinë e madhe të ngjarjes dhe kohës që ka përfshirë, për problemet dhe temat e shumta që trajton dhe për mesazhet e rëndësishme që përcjell te lexuesi. Për një subjekt të tillë do të duheshin romane të tërë por duhet të kemi parsysh që shkrimtari vjen në këtë vepër pas një përvoje të gjatë në vëllime të shumta poetike, shkrime të ndryshme në prozë dhe romanit tjetër në italisht, botuar para këtij, KUFIRI I MJEGULLËS.
Kjo përvojë e gjatë në fushën e letrave i ka dhënë aftësinë ta përpunojë në mënyrë të përkryer gjithë materialin jetësor të kohës dhe t’na i japë gjërat të situra, pa krunde e të koncentruara aq mirë sa rrezatojnë e të bëjnë të shohësh përtej asaj që lexon.
Është gjithë kjo përvojë e gjatë që e bën të afirmohet në këtë roman si një mjeshtër edhe i prozës së gjatë. Me këtë mjeshtëri ka realizuar në këtë vepër edhe një numër të madh personazhesh nga të cilët po përmend shumë pak: Nadir Rabìu, përfaqësues i brezit të ri, të atij brezi atij që ai regjim i shkatërroi fëmijërinë dhe rininë. Duke e vënë në situata të ndryshme e në ambiente të ndryshme, na gdhend një karakter me cilësitë e atij brezi të atëhershëm. Duke e marrë për dore nga vogëlia deri në shkollën e mesme na tregon se si rritet Nadiri në karakter, me të mirat e gabimet e tij, Na tregon dëshirat, aspiratat e atij brezi, dëshirën për liri, për krijmtari, për të qënë aktiv e ndërtues i jetës; dëshirën për të thyer ato dyer burgu ku e kishte mbyllur vendin diktatura. Anisa Rabiu, e ëma e Nadirit gjithashtu del bukur si figurë e nënës së shqetësuar, bashkëshortes besnike dhe në përgjithësi e gruas si qytetare me shqetësimet dhe problemet e kohës. Munir Rabiu, i ati i Nadirit, është një intelektual dhe përkthyes i zoti i frëngjishtes, që burgoset për agjitacion e propogandë – gjëra të sajuara për të hequr qafe intelektualët. Dega e Brendshme me policët e saj është gjithnjë e pranishme me arrestimet e burgosjet e njerëzve, më të shumtën e herëve të pafajshëm. Shokët e Nadirit, si ata në Berat ashtu dhe ata në Kampin e interrnimit vizatohen me tiparet e tyre dalluese; po ashtu edhe Mirna Valona, inspektore e partisë që ndihmon familjen Rabiu për meritat e Anisës në Luftën Nacionalçlirimtare, ndërsa mbetet besnike partisë së saj. Vehidi, përgjegjësi i kampit të interrnimit, një mishëruar si një nga figurat më negative dhe të urrejtshme. Ka edhe shumë personazhe të tjerë që shkrimtari i realizon në ambientet e romanit në mënyrë të përkryer. Është për t’u theksuar se personazhet realizohen natyrshëm dhe gdhenden aq mirë e kujdesshëm sa të mbesin në mendje për shumë kohë dhe të duket se këta persona i ke takuar, i njeh mirë, të bëhen të afërm sikur ke jetuar me ta. Kur mbaron romanin ndjen një farë dhimbje që po ndahesh nga diçka e dashur, e bukur dhe kjo të shtyn ta shfletosh prapë nga e para per t’u gjendur rishtas në atë narrative aq tërheqëse. I bëj shkrimtarit falenderimet e mia të perzemërta për këtë vepër të bukur dhe i uroj suksese në vepra te reja.

Botuar në gazetën «Dielli», 15. 04.2018

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s