Poezi nga Teuta Kadriu
ZANAT PIKTUROJNË STINËT
Erdhën zanat e stinëve
Me hapa të lehtë
Shumë ngjyra kishin me vete,
Kishin edhe shumë fletë.
– T’i ngjyrosim stinët
Siç kemi dëshirë,
Secilës pikturë, pastaj
I vemi nga një notë të mirë!
Fillojmë me pranverën,
Plot me lule të bukura,
Me shumë dallëndyshe,
Me krahshkruarat flutura.
Të vemi në bregdet
Që t’bëjmë pak mrekulli,
Ta ngjyrosim detin
Me rreze dielli dhe kaltërsi!
Larmia e vjeshtës
Na kënaq pa masë,
Me fruta të ëmbla
Dhe arra me thasë.
E dimrin e bardhë
Ta bëjmë akull fare,
Që t’bëhen kristale,
Edhe në dritare.
Kështu katër stinët
Përsëriten çdo vit,
Zanat e vyera piktore,
I ngjyrosin përditë.
NATË E GJATË
Natë e zymtë, e errët,
Çdo gjë ishte mbyllur në errësirë,
Vetëm loti i nënës shëndriste,
Sikur ngrinte ne faqet e ëmbëlsuara
Nga puthjet e fëmijëve.
Sikur të kthehem edhe një herë!
Sikur të kisha fëmijët në gji sonte,
Do të më thonin: Nënë sa aromë të mirë ke,
Sa shumë te duam!
Ah ai lot fëmije,
Ai lot nëne!
Bëhen si margaritarë,
Ndrisin aq shumë
Sa që verbojnë edhe dritën e diellit!