Poetja Lola Shehi mbledh fjalët si bleta nektarin nga lulet për t’i vargëzua që të përjetësoj udhët e ndjenjës e të ëmbëlsoj shpirtin e lexuesit / Nga: Safet Hyseni 

Poetja Lola Shehi mbledh fjalët si bleta nektarin nga lulet për t’i vargëzua që të përjetësoj udhët e ndjenjës e të ëmbëlsoj shpirtin e lexuesit.   

 

Nga: Safet Hyseni

Është folur shumë dhe është shkruar shumë për poezinë. Dhe shpesh është thënë se është një krijim hyjnor. Ajo është jetë. Jeta është e bukur kur jetohet më vargun që të ëmbëlson. Të lexosh e të arratisesh nëpër vargje këtë e bënë krijuesi që jeton për fjalën e bukur, krijuesi që shushurimën e gjetheve e stolisë me falë që ftojnë tinguj muzikorë, ngjyrat i bënë pikturë në sy të lexuesit. Krijuesi i fjalës së bukur dhe vargut që të bënë të ndihesh i lumtur ka një zemër fisnike dhe shpirt të bardhë. Vargu që të bart magjishëm e të deh më bukurin e ngjyrave dikur përjetësohet. Jeta është e shkurtër për ata që mbledhin para dhe nguten kot së koti dhe posa futen në varr harrohen, mu këtu nis jeta e krijuesit të vërtetë. Krijuesi këmbëkryq rri mbi varr dhe me dritën e syve lexon vargjet për t’ua ndrit jetën atyre që mbjellin me buzëqeshje në shpirtin e tyre dashurinë më gjuhën, atdheun e dritën e mendjes e zjarrin e zemrës dhe bardhësinë e shpirtit. Cili krijues nuk jeton. Shpesh dikush nga xhelozia apo smira kur lexon vargje të bukura i thotë vetes si nuk i bëra unë!? E vargu që të ngjitet për shpirti ka fjalën mjaltë. Tek poezia e bukur edhe shenjat e pikësimit flasin, por edhe kur mungojnë është fryma që të mbush shpirtin. Poetja Lola Shehi mbledh fjalët si bleta nektarin nga lulet për t’i vargëzua që të përjetësoj udhët e ndjenjës e të ëmbëlsoj shpirtin e lexuesit. Krijuesi komunikon në mënyra të ndryshme me lexuesin, dhe në këtë komunikim zbërthen identitetin e tij. Mu për këte nga krijimtaria e begatshme letrare unë zgjodha një poezi “Unë dhe ju” për të dëshmuar ate që thash se sa bukur di poetja të na rrëfej identitetin e saj vetëm me një poezi. Vargjet rrjedhin si një lum i kulluar që gjatë udhës përveç që dhuron freski e shuam etje, herë-herë rebelohet, trishtohet nga malli dhe rreh brigjet e veta ashtu siç malli i poetes rreh muret e zemrës e shpirti i bënë ballë së keqes që lëndon. Në vargjet e kësaj poezie dëshmohet dashuria e femrës, e femrës si nënë, e nënës për fëmijë, malli përvëlues por mbi të gjitha është një mesazh se si duhet të ndihet dhe të përgatitet për jetë mu kjo qenie që shpesh është nëpërkëmbur gjatë historisë njerëzore. Poetja këto vargje i ka rimuar me një muzikalitet harmonik, me figura të pasuar letrare dhe metafora shpirtërore. Të mësosh, punosh, dashurosh e të dhurosh jetë nuk është dobësi, por duhet të ndihesh krenare që je femër është një mesash tjetër që e përcjell autorja. Duke ecur lehtë nëpër vargje ajo është shumë e vëmendshme që të mos lëndoj, dhe nëse kjo ndodh është ëndrra dhe malli i saj kur ajo ka guximin që kur e ndjen nevoja thotë; “Në tryeza, u ula si mikesh’ e paftuar,”. Atje ku ka nevojë nuk duhet të presësh ftesë por trokit dhe dhuro dashuri, se botën çdo herë e ka shpëtuar dashuria.

Në poezinë e dytë që e lexova disa herë dhe që e ka titulluar “Dashuria di të presë”, Lola me shumë elegancë dhe ritëm të çliron nga çdo dilemë ose paragjykim dhe ëndrrën na e sjellë si një kopsht me aromë dehëse se një ditë ajo që ne e duam të na ndodh do vije si dashuri. Dhe këtë më së miri e dëshmon me vargun “Në thur rrengje krenaria, zemra s’mundet të gënjejë”, se vetëm në dashuri nuk ka krenari ashtu siç nuk ka më prindër e fëmijë. Këtë lidhje treshe ajo e ruan dhe e bart nëpër vargjet me shumë ledhatim e dashuri, jo vetëm dashuri ndjenjash por edhe si nënë. “Dashurisë së parë, nuk i vura dot një emër,/ Ballë nënës mbeta fëmijë, ballë vajzës, nënë,”. Si në poezinë e parë edhe te e dyta autorja na ka dhuruar një rimë të ëmbëlsuar me një ritëm deklamimi artistik.

Poetja edhe kur rebelohet, e rebelimi më shumë ndodh tek kokat e pasura, shpirti i bardhë e zemra e zjarrtë me të cilën janë gatuar poetët, ajo Lola thotë: “Bëhu ndonjëherë stuhi e rrebesh/ Këtë botë të fëlliqur mbyte baltë e shi”. Dhe këtë rebelim e bënë për hir të vargut të dytë që të dëshmoj se në çfarë bote dhe kohe ajo merr frymë. Janë këto vargje të poezisë “FALMË”. Po cila është pasuria e poetit, drita e mendjes, malli që e gërryen apo shkëlqimi i lotit në sy. Unë mendoj se poezia “FALMË” është një perlë e bukur ndër shumë perla të Lola Shehit, kësaj poeteje që lozë me vargun si era me gjethet e malit, që ua ndërron vendin dhe tingullin muzikor sa herë donë por që të rrëmbejnë. Edhe pse vargjet në këtë poezi nuk janë të barabartë kanë një harmoni që vetëm mjeshtëria e penës di ta bëjë.  Ajo në mënyrë tejet triumfale e përfundon poezinë me vargjet “Fale vargun tim,/ Falmë dhe mua/ Jam qënie e brishtë/ GRUA!”. Këto vargje mund të merren në disa mënyra por ajo që më fut në thellësi të gjykimit tim nuk është vetëm vargu, apo rebelimi për botën tejet të përdalë, por më së shumti për qenien “GRUA”, që të tjerët me forcën e muskujve kanë sajuar edhe ligje Zoti, jo se ia kanë frikën por zili bukurinë, butësinë dhe qumështin e jetës. Madhështia e poetit është kur nuk bënë asnjë faj dhe kërkon falje, këtu është edhe pasuria e dritësuar e Lola Shehit.

Krijuesit kanë imagjinatë të zhvilluar. Shpesh ndodh që të arratisen natën apo ditën. Meditimi i tyre është në një gjethe, në një valë lumi, dallgë deti, në një yll, mund të flejë edhe në një mjegull apo … Futen edhe në thellësi të qiellit atje ku thonë se jetojnë shpirtrat binjak ku zëvendësojnë yjet e hënën për të bërë dialog me një shpirt duke ia kujtuar hiret njëri tjetrit siç bënë poetja në poezinë “MALL”. Është malli që e shkund shpirtin në netët pa gjumë, që e merr e bart nëpër ëndrra dhe në fund pajtohet për t’u takuar në një botë që iu përket të dyve e ajo është sjellja e kujtimit që ka lënë gjurmë në jetë. Këte e bënë në mënyrën më të mirë Lola në poezinë Mall, dhe këtu ajo na dëshmon se po ato ngjyra, po atë bukuri arti mund të na e përcjell edhe me vargun e lirë. Vargjet që do mbeten për të dëshmuar mallin dhe të bukurën e shpirtit poezinë e radhisnin në krijimet më të bukura të autores; “Jam unë hëna e plotë,/Është drita e trupit tim të brishtë/ Nga mungesë e trishtë/ Një grimcë ka mbetur mbi qerpik,/ Rrëshqet ngadalë,/E t’piklon mbi buzë”. Lola po në këtë stil të lirë ka vargëzua edhe poezinë me titull “MENDIMI I PARË”.  Këto vargje kanë diçka përbrenda, mendoj një madhështi se si ka arrit ajo t’i ruaj nga rrëmbimi i xhelozisë. Të gjithë ato që kërkojnë të jenë e fundit përshëndetje e mbrumes dhe mirëmëngjesi dihet që në thellësi të tyre është ajo ndjenja unë dhe vetëm unë.  “Asnjëherë s’të kam pyetur/ Po gjithmonë kam dashur të di/ Dhe ende dua ta di/ Nëse jam/ Mendimi i parë, i zgjimit tënd…”

“Ta nisa puthjen me një zog shtegtar,/ Të vijë të të gjejë atje ku je…/ Më doli e ndezur nga shpirti i bardhë,/ Shpresoj mos të ta marrë ndonjë re!…” janë këto vargjet e para të poezisë lirike “E NISA PUTHJEN”. Vargje të qëndisura me fjalën e bukur që bart pasionin e brendshëm për të ruajt puthjen, këtë dhuratë hyjnore nga erërat por me krah ere, mjegullat, ngricat… e këte e bënë bukur duke e veshur më zjarr për ta përcjell udhës së malit atje ku e ka strehën. Emocionet e thella shpirtërore i përcjell me një lirizëm që na e dëshmon vargu nga fundi i poezisë; “Atë puthje veç për ty e kam dërguar,”.

Lola tani më njihet si poete që shpërndan një lirizëm të mbushur me mall e dashuri, me shumë ndjenja e emocione ajo ka formuar identitetin e saj letrar.  Arti nuk ka korniza, por ka një edukim, ky edukim vetë shpirti i krijuesit, bardhësia dhe ciltërsia që rrjedhin me një aromë dehëse në krijimet letrare. “Her’  më përkëdhel me afshin e valëve,/ Her’ më përplas, shkëmbinjve me gjëmim,/ Herë më bën të dehem dhe pse gota zbrazur,/ Ti melhem i shpirtit, nga ti s’kam shpëtim!/ Janë këto vargje të skëputura nga poezia “Ç’JE TI PËR MUA?”, të cilën e përfundon po aq bukur; “Vrullshëm më mbyll gojën, me puthje të zjarrta,/ S’i bëj ballë tundimit, dorëzohem, të fal…/ Ma ke pushtu zemrën, fole ke bër’  brenda,/ Her’ më ngrin acar, her’ me djeg vullkan!…”

Lola Shehi

Për poezinë “I bekuari mall” nuk e kam ndryshuar mendimin dhe po e sjelli një koment që e kam bërë ditë më parë kur e kam lexuar… vargje hyjnore, ashtu siç është dashuria. Po, malli ka një burim… E ky mall zbut shpirtin. Malli që djeg, strehë ka zemrën pasi shpirti nuk ka mundësi ta mbyllë derën. Vargje shpirtërore, që rrjedhin aq kulluar si përroskat malore derisa përqafojnë valët e tyre në qetësin e lumit. Lola; bukur ke vallëzua me dashurinë ashtu si stinët që përkundin vitin me këngë, aromë, zjarr e nostalgji. Në këtë poezi zbërthehet identiteti i skalitur poetik.  Metaforat dhe figurat poetike kanë një shtrirje të lehtë ku përshkohen nga një melodi e këndshme. Po ta lexosh dy a tre herë përpara ke një pikturë me ngjyra magjepse. Dashuria është hyjnore dhe ju e bekoni mallin në emër të hyjnores. Përgëzime për këtë dhuratë të bukur!

Poezia është një shpërthim i brendshëm që komunikon lirshëm më natyrën dhe dëshiron të dal, (se nëse nuk del krijuesi bënë krim) për të ndikuar në emancipimin njerëzor. Nëse merret si e tillë Lola ka arrit që të na dhuroj botën e saj me shumë çiltërsi, mall e dashuri. Një shembull se si kultivohet, ndjehet e shpërndahet duke i dhënë forcën e fjalës, shpirtin e bardhë e zemrën e zjarrtë.

 

 UNË DHE JU

Shum’ vargje u thura dashurive të mia,
Por dhe dashurive tuaja, gjithashtu.
Shpesh zbraza ndjenjat e mia te poezia,
Hera – herës u fjalosa edhe me ju…

Udhëtova jetën time, me të gjitha ndjesit’
Her’ gjeja shtegun, herë brigjeve jam kotur.
Mbi re, kam fluturuar, kam prekur yjësit’
Por më shpesh trishtimi, vargjet m’i ka përlotur.

I shkrova fëmijërisë, sërish u ndjeva fëmi
Dashurisë së parë, nuk i vura dot një emër,
Ballë nënës mbeta fëmijë, ballë vajzës, nënë,
Por në çdo dashuri, isha … mbeta Femër.

Në dashuritë tuaja, kam qenë thjesht një mike,
Në tryeza, u ula si mikesh’ e paftuar,
Dritë hodha mbi vargje, kur vargjet më rënkonin
Në pentagram zemre, melodi pa nota kam shkruar

Shpesh  në zemrat tuaja solla buzëqeshje
Ndonjëherë, ndoshta hapa plagë, kam lënduar
Stoli për shpirtrat e dashuruar, thura vargjet
Ëndërrave skalitur me gurët më të çmuar.

DASHURIA DI TË PRESË
 
Të thërras me zë të shpirtit, nuk e di pse s’më përgjigjesh
Ankth e mall më shtrëngon gjirin, e frymën m’a ndalon
Sa jam zgjuar rend pas teje, ti më fshihesh perëndimesh
Si hajdut vjen shuan etjen, sapo gjumi më kaplon
 
Mos të ngjaj me suferinën, dhe ke frikë se shkatërroj
Si kaçak shfaqesh veç natën, vjen më vret ëndrrat e mia
Jam shpirt gruaje, zemër nëne, e pazonja të lëndoj
Nuk e dija se dhe burrat, paskan frikë nga dashuria
 
Mos më ler në mes detit, dallgë e egër t’më rrëmbejë
Alfabetin s’ua njoh, nuk përkthej dot asnjë fjalë
Në thur rrengje krenaria, zemra s’mundet të gënjejë
Dashuria, vazhdon pret, ankoruar mbi një valë
 
 
 
FALMË
 
Atë shpirtin tënd, e qortoj shpesh
Mos rrezato kaq shumë mirësi
Bëhu ndonjëherë stuhi e rrebesh
Këtë botë të fëlliqur mbyte baltë e shi
 
Sa herë u kam dalë borxhit ty dhe shpirtit tënd
Mos prit ngushëllim kur të godasin
Mos prit të të jap dorën, mos prit as mëshirë
Kur dallgët e egra shkëmbinjve të përplasin
 
Buzët, janë gënjeshtare
Muskuj të butë, falin lehtë dreqi ta hajë
Zemra zvenitet si diell në perëndim
E përvëlohet dhimbjes pa skaj
 
Po ti vazhdo të japësh dashuri
Mos më dëgjo mua, as shpirtin tim të rebeluar
Buzëqeshjen shndërroje në stoli gushe
Nuk mund të bëhesh ndryshe nga ç`je gatuar…
 
Fale vargun tim,
Falmë dhe mua
Jam qënie e brishtë
GRUA!
 
 
 
MALL
 
Sonte është hënë e plotë…
A mos je ngjitur në qiell
T’më shikosh a jam tretë?
Sonte e dashur, është hënë e plotë
E dikush patjetër ka me t’gjetë
Si medalion drite nëpër terrin e dhimbjes paskaj…
Është hënë e plotë…
Ndoshta është drita e trupit tënd.. .
Që rri mbi majat e pemëve
Si fshikje puthjesh..
Mos u ngatërro i dashur,
Jam unë hëna e plotë,
Është drita e trupit tim të brishtë
Nga mungesë e trishtë
Një grimcë ka mbetur mbi qerpik,
Rrëshqet ngadalë,
E t’piklon mbi buzë
Mos e lejo dimrin ta ngrijë
Hapi sytë!
Hënës sonte,
Fytyrën time borxh ia kam dhënë
Të shuaj mallin që po na mbyt!
 
 
 
MENDIMI I PARË
 
Mëngjeseve larë në vesë
Kur jemi zgjuar të përqafuar
Në netët pa hënë
Kur s’mbaj mend pse jemi grindur
E jemi zgjuar buzëvrarë
Me sy të ënjtur
Mbushur rrathë mavi
Zemëruar e trishtuar
Në netët e pakta
Kur s’kemi fjetur në të njëjtin shtrat
A ndoshta
As në të njëjtën dhomë
Në qytete larg njeri tjetrit
Rrallë, po shumë rrallë
Edhe në të tjera shtete
Asnjëherë s’të kam pyetur
Po gjithmonë kam dashur të di
Dhe ende dua ta di
Nëse jam
Mendimi i parë, i zgjimit tënd…
 
 
 
E NISA PUTHJEN
 
Ta nisa puthjen me një zog shtegtar,
Të vijë të të gjejë atje ku je…
Më doli e ndezur nga shpirti i bardhë,
Shpresoj mos të ta marrë ndonjë re!…
 
Shpresoj që acari të mos e ngrijë
E zogut nga krahët e vegjël të mos i bjerë
Qielli i murrmosur të mos ma nxijë
Të vijë si vajzë e qeshur shend e verë
 
E ndjej, ti po hesht i zemëruar,
Me inat mos më shiko, s’të kam asnjë faj,
Atë puthje veç për ty e kam dërguar,
Dil e prite ku më the, te një strehëz, në mal.
 
 
 
Ç’JE TI PËR MUA?
 
Po lodhem ta di, vallë ç’je ti për mua,
Je ëngjëlli që krahët më jep të fluturoj?
A djalli, që netëve të errëta më ngre prita
A deti plot tallaz ku dua të notoj?
 
Her’ më përkëdhel me afshin e valëve,
Her’ më përplas, shkëmbinjve me gjëmim,
Herë më bën të dehem dhe pse gota zbrazur,
Ti melhem i shpirtit, nga ti s’kam shpëtim!
 
Grindemi në mbrëmje, themi s’ka më nesër,
Por dita çuditërisht, sërish fillon me ty.
Tinëz më pret rrugën, mëngjesit buzëqeshur,
Ku shkoi inati mbrëmshëm, që s’vura gjumë në sy?
 
Vrullshëm më mbyll gojën, me puthje të zjarrta,
S’i bëj ballë tundimit, dorëzohem, të fal…
Ma ke pushtu zemrën, fole ke bër’ brenda,
Her’ më ngrin acar, her’ me djeg vullkan!…
 
 
 
I BEKUARI MALL
 
Paskam mall të papërshkruar, shumë mall;
Kam mall dhe s’di më tepër, për kë
Për nënën, a vajzën që kam larg…
A ndoshta kam mall, për Atë?
 
Përse më ka pushtuar kështu ky mall,
Ndërsa shpirti i lodhur kërkon qetësi
Fanepset një dritëz, që s’ka emër, as fjalë,
Nuk di në është mall, apo, dashuri?
 
Nuk di në është këngë, apo zjarr e flakë,
Prej meje, nuk di çfarë kërkon,
Herë shfaqet si rimë, herë shfaqet si varg,
Herë shfaqet, si marsh nostalgjie që gjëmon
 
Nuk di vërtetë çfarë emri t’i vë,
Nostalgji? Dashuri? Jam tepër në hall!
Më ka kapur për gjoksi, të marr frymë s’më lë,
Bekimin po të jap, o i bekuari mall…!
 
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s