Poezi nga Vaso Papaj

Poezi nga Vaso Papaj

 

Puthmë

Për ne sonte nata e fundit
Sonte zgjat gjer në mëngjes.
Sekondi i ngjaka minutit, 
Ora me një ditë, për besë.

Sonte puthmë që të ngopesh,
Nesër iki, s’do t’më kesh
Nuk të le që të dremitesh,
S’di ç’do mbetet midis nesh.

Syt’ e tu do t’marr me vete.
Kush e di në ç’breg do t’dal.
Nuk harroj që vetëm mbete,
Porositë i kam një mal.

Puthmë sonte të më ngopësh,
Mos më ler që të dremitem!
Në mëngjes më s’do të më shohësh,
Kushedi ku do të çapitem.

Dita e ndarjes, ja, do të gdhijë.
Dashuria jonë pa fat.
Do të derdhësh lot të zi,
Do të mbetesh fillikat.

 

Kilometra

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Seç më mbyti hapësira.
Retë më ngjajnë me egërsira.
Për çdo natë avionë, tragete.
Të mbaj në mendje, me vete,
Po me duar kurrë s’më preke,
Larg se larg përherë më mbete.

Kilometra,
Mijra kilometra, mijëra!
Të gjitha për një natë t’i lija,
Veç një herë pranë të të vija.
Zot, t’më bëje një trumcak!
Të çukitja atje në prag!
Mëngjesi të më mirrte prapë!
Le të qe dhe çmendurak.

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Po shoh ëndrra me çudira.
I kaloj në çast të gjitha,
Dete, po dhe kontinente,
Veç ti larg, e vetme mbete.
Duar zgjat e kurrë s’më preke.
Si t’ia gjej anën kësaj jete!?

 

Jam gënjeshtar

Jam gënjeshtar,
Mos u lodhni kot!
Jam gënjeshtar që kur linda,
Nuk ndryshoj dot.
Madje, jo vetëm
Jam mësuar të duartrokas tërë jetën
Atë,
Zonjën e madhe, Gënjeshtrën.

Jam gënjeshtar,
Bëj pjesë në piramidën e saj
(S’ka rëndësi, në bazë a në majë)
Pres medalje të përlaj,
Të bëhem Hero, Nder i kombit, Mjeshtër
Mjeshtër i madh,… i punës, i gunës.
Kam qenë dhe do të jem:
I flamurit të gënjeshtrës, tundës.

Jam gënjeshtar, vërtet
Vendin e çova të kacavaret litarëve, në det
Të mbytet thellësive,
Të ngrijë shtigjeve të dhive,
Të vdesë shpirtin te semaforët,
Të kapërcejë mure ambasadash:
Kope që i kanë varë këmborët.

Të uritur
Dhe me gënjeshtrën e madhe në xhep
Si vendi më i lumtur në planet,
Vetëm medalje nuk i dhashë,
Medaljet i mora për vete,
Me gjithë ç’kishin nga pas.

Jam gënjeshtar
I paparë
Dhe kur të mos jem,
Portretin do t’ma kenë varë
Në muzeun e madh të gënjeshtrës,
Si më i madhi atdhetar.

Jam gënjeshtar,
Vendi im, djepi im!
Vetëm ti do të mbetesh batall,
Me dallgët si gjithmonë përballë.
Medaljet do të kenë mbaruar.
I rrahur, i zhvatur, i mashtruar,…
Deri kur kështu, vallë?…

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s